Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se PD do të marrë fonde për zgjedhjet e 14 majit. Ndonëse nuk morën pjesë në zgjedhjet e 2019, Celibashi sqaron se është neni 180 që e përcakton se fondi për PD do të bazohet sipas zgjedhjeve pararendëse vendore të vitit 2015.
Në një konferencë për gazetarët, Celibashi foli edhe për fondin që do i vendoset partive politike për fushatën zgjedhore duke sqaruar se nuk do të jetë më i vogël se 130 milionë lekë ndërsa thekson se është çështje që i takon Kuvendit. Fondet do të ndahen pasi të regjistrohen partitë politike.
“Është një vendim që do të duhet ta marr dhe s’po e bëj publik. Ligji ka përcaktuar në dispozitën tranzitore neni 180 që merr fonde partia që ka marrë pjesë në zgjedhjet pararendëse në 2019. E dimë që PD s’mori pjesë por neni 180 ka përcaktuar në referim do merren sipas rastit të 2015 dhe 2017. Ka një përjashtim që për ato që s’kanë marrë pjesë në këto zgjedhje do merret në konsideratë procesi i 2019. Ne nuk kërkojmë fond se është çështje që i takon Kuvendit dhe vendos se sa para do të vendosim në dispozicion të partive politike për fushatën e tyre zgjedhore. Ky fond nuk do jetë më i vogël se 130 milionë. Megjithatë është çështje e Kuvendit dhe nuk kemi obligim. Ne kemi bërë një lloj kujtese që ka fonde që vihen në dispozicion të cilat janë apo alokojmë me qëllim që të marrim masat”, tha Celibashi.
Sa i përket ‘luftës’ brenda PD, Celibashi u shpreh se do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit pala që do të vendosë Gjykata.
“Ka vetëm një PD, e cila nëse do plotësojë kushtet do të regjistrohet. PD në dijeni time s’ka dy dhe s’mund të kishte se s’mund të ketë dy partie me të njëjtin emër. Në momentin që do paraqitet kërkesa do të vlerësojmë siç e kemi thënë, dokumentacionin dhe do vlerësojmë cilësitë e personave që paraqesin kërkesën për regjistrim të PD. Besoj se me datë 3 gjykata di vendosë në lidhje me konfliktin se cili është organi udhëheqësi i PD. Besoj se është angazhim pozitiv i gjykatës para se të fillojë procesi elektoral, lidhet me pjesëmarrjen në zgjedhje të një partie politike, flasim për partinë kryesore të opozitës”, tha Celibashi.
Kujtojmë se një ditë më parë pati debate në Komisionin e Ligjeve pasi Enkelejd Alibeaj kërkonte që të merrej parasysh viti 2017 në mënyrë që PD të përfitonte fonde për zgjedhjet e 14 majit, ndërsa Ermonela Felaj shprehej se shqetësimet duhet t’i parashtronte në KQZ.
Çfarë parashikon Kodi Zgjedhor
Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 88 të tij se partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 1 për qind të votave në shkallë vendi në zgjedhjet më të afërta pararendëse të të njëjtit lloj, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje. Pra, nëse do të aplikohej ky nen Partia Demokratike nuk do të merrte fonde nga Buxheti i Shtetit pasi nuk mori pjesë së bashku me partitë e tjetra opozitare në zgjedhjet e vitit 2019.
Por në ndryshimin që i është bërë Kodit Zgjedhor në vitin 2020 është futur një dispozitë tranzitore neni 180. Në këtë nen thuhet se “në zbatim të nenit 88 të këtij ligji për financimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e para të përgjithshme pas hyrjes në fuqi të tij bëhet duke kryer përllogaritjet në bazë të rezultatit të zgjedhjeve në shkallë vendi për zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017”.
Pra për të shpërndarë fondet publike për partitë politike në zgjedhjet e ardhshme do të merret parasysh rezultati në zgjedhjet vendore të vitit 2015.