TIRANË- Një ditë pas mbledhjes me strukturat e partisë, kryedemokrati Lulzim Basha ka dalë me një plan me 5 pika për masat lehtësuese të hartuara nga ekspertët e selisë blu. Ky plan, sipas demokratëve ka ardhur si pasojë e mungesës së strategjisë së qarta nga ana e qeverisë, për këtë arsye i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama që të mos kompleksohet, por t'i pranojë këto propozime, pasi sipas tyre është fakt tani më që qeveria e drejtuar prej tij ka dështuar në menaxhimin e situatës së COVID-19. 

Sërish vënë theksin te bërja e më shumë testeve, propozojnë shpërndarje falas të maskave për qytetarëve, mes të cilave edhe rritje e të buxhetit. Nga ana tjetër, këmbëngulin që qeveria po fsheh të dhënat e sakta, rrezikohet rëndë i gjithë procesi i “hapjes” duke ngritur një sërë shqetësimësh.

"Testimet realizohen në vetëm ne një laborator hermetik, pa asnjë mundësi për check tjeter dhe depistim të gjerë të popullsisë, kur në Shqipëri gjenden edhe së paku 10 qendra të tjera që mund ta realizojnë këtë. Vazhdon një konfuzion i plotë per testimet imunologjike, duke u tentuar që dhe kjo të realizohet vetëm në QSUT, kur kapacitetet për të tilla ekzaminime i kanë shumë laboratorë në vend. Po ashtu, nuk ka asnjë transparencë se cila metodë laboratorike po përdoret: ELISA, Chemiluminisence apo Imunokromatografia.

Mjeku i familjes vazhdon të jetë i pambrojtur e jashtë funksioneve të tij, gjë që ul kapacitetet identifikuese e mjekuese të sistemit shëndetësor. Kurba e shifrave të infektimit tek ne është unike sepse ajo është e bazuar mbi testime të pamjaftueshme, që janë më të ulëtat në rajon", thotë PD, sipas të cilëve nisur nga këto arsye, kanë hartuar planin me 5 pika.

Plani me 5 pika i PD-së për masat lehtësuese
1.Rritje të numrit të testimeve: test, test, test, identifikim, izolim e mjekim të çdo rasti. Kërkim të gjerë virusologjik e depistim imunologjik, duke mobilizuar të gjitha kapacitetet laboratorike, me rimbursim për qytetarët. Ndërkaq duhet përgatitur dhe për aplikimin e ekzaminimeve virusologjike mobile e të shpejta.
2.Pajisja masive gratis me maska të qytetareve, për të mundësuar mbajtjen e tyre në ambjentet publik duke i paraprirë kështu “hapjes”. Aktivizimi i plotë i mjekut të familjes, duke siguruar më parë mbrojtjen, pajisjen profesionale e logjistike të tij me instruktim të qartë.
3.Konsolidimin e strukturave mjekuese në nivel vendi, për t’i bërë ballë një rishpërthimi të mundshëm të ri gjatë procesit të “hapjes”, ashtu si po veprohet në vendet e tjera, duke mos ngelur sërish të papërgatitur për të nesërmen
4.Nga ana organizative të kalohet në një proces decentralizimi, duke deleguar kompetenca ne nivelet e 12 qarqeve, që nga ana e tyre duhet t’i shperndajnë më poshtë, për të shfrytëzuar kështu të gjitha kapacitetet dhe arritur të shkohet në çdo banesë e kontaktuar çdo individ.
5.Rritje e menjëhershme e buxhetit nga Qeveria në mbështetje të këtyre masave të domosdoshme dhe shumë të vonuara"