TIRANE- Nga demokratët votimi me 73 vota i Presidentit të ri Nishani shihet si një test i kaluar me sukses nga koalicioni qeverisës dhe si një konsolidim i aleancës për të shënuar dhe një fitore tjetër në zgjedhjet e verës së vitit 2013. Ka qënë ish-kryetari i PD, Tritan Shehu ai që foli me tonë vlerësuese për koalicionin me LSI e partitë e tjera. "Ky koalicion është i konsoliduar e tepër real, demokratik dhe i hapur me një pjesmarrje të të gjithëve dhe me rregulla reciproke, i cili funksionoi si duhet në zgjedhjen e presidentit të ri Nishani.

Eshtë një koalicion që do funksionojë dhe në të ardhmen, më 2013 e do përtërihet më shumë. Zgjedhja e Presidentit ishte një test i kaluar shkëlqyer për këtë koalicion. I cili do vijojë dhe pas fitores së vitit 2013. Madje mund të zgjerohet", tha Shehu për gazetën. Ai ka nënvizuar se PD doli më e fortë nga kjo sfidë presidenciale duke marrë atë që i takonte. "PD mori atë që i takonte si mazhorancë, si një forcë politike që ka qaeverisur me politikat e saj të qarta e me vizion afatgjatë, por dhe për qëndrimet e saj luajale ndaj aleatëve dhe hapësirës shqiptare në përgjithësi", nënvizoi Shehu. Për të cilin pas këtij procesi më e fortë doli Kushtetuta e cila u respektua, si dhe ligji e principet demokratike. "Gjithçka u zhvillua me një frymë kushtetuese, dalog brenda frymës kushtetuese dhe ishte një shenjë emacinipimi i politikës shqiptare", nënvizoi Shehu. Për të cilin për sa i përket ndryshimeve në qeveri, është shumë e rëndësishme që të zëvendësohet vendi vakant në Ministrinë e Brendshme, por për këtë Shehu thotë se janë hap të cilët i takon t'i ndërmarrë kryeministri i vendit.

Përsa i përket hyrjes së PDIU të Idrizit në qeveri, deputeti demokrat tha se "ka një marrëveshje me PDIU për koalicionin e ky është një problem që do duhet të vendosin partitë e koalicionit. Mendoj që ky vit i fundit do jetë vit reformash. Jam shumë i bindur në fitoren e vitit 2013", ka qënë deklarata e Shehut. Ndërsa lëvizjen më të fundit të Nanos e ka cilësuar një punë të brendshme të PS. "Padyshim që Nano është një personalitet i së majtës. Një lëvizje që realisht vjen si pasojë e problemeve të medha që ka PS e lidershipi i saj, si pasojë e politikave të gabuara që ajo parti ka mbajtur gjatë kësaj periudhe. Sidoqoftë duhet të presim, të shikojmë që kjo lëvizje të shërbejë për modernizimin dhe emacipimin të forcës më të madhe opozitare në vend. Shoh një platformë politike, ta ndjekim e të shpresojmë që produkti të jetë pozitiv për PS. Ne jemi të interesuar që PS të ketë një rol sa më emancipues në Shqipëri", tha Shehu.
(sg/Shqiptarja.com)