PD- PS firmosin me BE:
Po, do të bëjmë reformat

PD- PS firmosin me BE:<br />Po, do të bëjmë reformat
TIRANE Maxhoranca dhe Opozita angazhohen para Parlamentit Europian se do të realizojnë reformat e domosdoshme për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Dy partitë kryesore, PD e PS, ranë sot dakord për të firmosur një dokument të përbashkët i cili konfirmon angazhimin politik për realizimin e reformave. 

Një rezolutë e tillë nuk u arrit të miratohej në tre takimet e mëparshme të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, (SAPC), i cili vë përballë delegacionin e Parlamentit Europian dhe deputetë shqiptarë të të dy kaheve politikë. Takimi i katërt i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, (SAPC) u zhvillua sot paradite në ambientet e hotel Rogner në Tiranë.

Deklarata e përbashkët përmban 6 pika: Zhvillimi i një jete parlamentare normale, miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, rritja dhe zhvillimi ekonomik, realizimi i reformës zgjedhore, zbatimi i 12 rekomandimeve të KE dhe reforma institucionale. Në këtë deklaratë është shtuar dhe një nënpikë ku thuhet se BE mirëpret marrveshjen e arritur mes PD e PS

Kryesuesi i delegacionit me 6 eurodeputetë, Eurodeputeti Eduard e quajti "sinjal pozitiv", firmosjen e rezolutës dhe  theksoi se "duhen hapa konkretë për ndërmarrjen e reformave në mënyrë që Shqipëria të mos e humbasë trenin e radhës për në BE".

"Të dyja palët duhet të gjejnë mundësinë të punojnë së bashku. Do të jetë luks nëse humbasim më tepër kohë. Populli shqiptar meriton një pozitë më të mirë në BE. Mendoj se liderët politikë shqiptarë kanë filluar të sillen si të tillë dhe do të vijojnë kështu” " nënvizoi Kukan në konferencën për shtyp me gazetarët pas takimit.

Një nga prioritetet më emergjente është reforma zgjedhore."Të gjithë duhet të mësojnë nga gabimet e zgjedhjeve të kalurara dhe të punojmë së bashku për ndryshimet në kodin elektoral- vazhdoi  Kukan. Sipas tij "kodi ka mjaft komplikime. Ne sugjerojmë të shmangen ato .. dhe të nisë zbatimi për zgjedhjet e ardhshme. "


TAKIMI SHQIPËRI -BE

Takimi nisi rreth orës 09.00 me paraqitjen nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, të ecurisë së procesit të integrimit  në përmbushje të 12 rekomandimeve të BE-së.  Më pas mori fjalën Eduard Kukan i cili nënvizoi si të rëndësishme "gjetjen e një zgjidhjeje për të ecur përpara që Shqipëria të kapë trenin tjetër për në BE". Me një gjuhë tepër të ashpër eurodeputeti rumun Viktor Bostinaru, shprehu shqetësimin jo vetëm të tij, por siç tha vetë, edhe të gjithë Brukselit, për situatën në Shqipëri në lidhje me plotësimin e 12 prioriteteve kyce për integrimin drejt BE. Takimi zgjati rreth 3 orë.

Grupi i eurodeputetëve përbëhej nga Eduard Kukan, kryetar EPP Sllovaki, Viktor Bostinaru nën,kryetar PSD Rumani, Antonio Cancian EPP Itali, Tanja Fajon PSD Slloveni, Stanimir Ilchen Alde Bullgari dhe Michail Tremopoulos Greens/EFA Greqi.


TAHIRI: KONSENSUSI POLITIK NUK ZGJIDH KEQQEVERISJEN 

Deputeti socialist Sajmir Tahiri tha se konsensusi politik “është i pamjaftueshëm për të zgjidhur situatën e keqeverisjes deri në degradim."
“Administrata publike është larg të qenit e pavarur, e papolitizuar dhe t’i përgjigjet kritertereve të meritokracisë. Rasti më i fundit është rasti i bashkisë së Tiranës, ku u pushuan mbi 50 vetë nga puna për një ditë, vetëm pse ishin punonjës të administratës para zgjedhore.”- tha Tahiri.
“Gjyqësori është larg të qënit tërësisht i pavarur. Ka dy standarde në lidhje me zbatimin e ligjit. Janë mbi 27 padi ndaj deputetëve të opozitës vetëm pse kanë guxuar në parlament të bëjnë akuza të drejtëpërdrejta për korrupsion ndaj anëtarëve të maxhorancës. Kjo tregon instrumentalizimin e gjyqësorit, për të mos folur për dy standarde të zbatimit të  ligjit.” tha më tej deputeti PS duke përmendur rastin e padisë së deputetit Peza ndaj kryeministrit, e cila është depozituar 4 vjet më parë në gjykatën e Lartë dhe shorti u hodh një muaj më parë”. Tahiri denoncoi se “Emërimi i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese është bërë sipas preferencave politike, si dhe dhunën e ushtruar dje ndaj tij.”

GUMI: VJEDHJE ELEKTORALE? OPINION PERSONAL I BOSTINARUT

Në replikë me eurodeputetin rumun, deputeti demokrat Gumi tha: “Bostinaru këtu përmendi fjalën vjedhje elektorale. Këtë fjalë nuk e gjej në asnjë raport të BE, e kuptoj që mund të ndajmë çështje personale, por ky është një takim institucional”

FJALA E EURODEPUTETIT VIKTOR BOSTINARU:
Me një gjuhë tepër të ashpër eurodeputeti rumun Viktor Bostinaru, shprehu shqetësimin jo vetëm të tij, por siç tha vetë, edhe të gjithë Brukselit, për situatën në Shqipëri në lidhje me plotësimin e 12 prioriteteve kyce për integrimin drejt BE.

"Më lini të ngre pyetjen nëse të gjithë e mirëpresin marrëveshjen , nëse gjithcka shkon mirë: Pse jeni kaq vonë? Pse Shqipëria ka humbur më shumë se 2 vjet. Disa vende të Ballkanit kanë bërë shumë më mirë se Shqipëria, ndërsa vendi juaj është ende duke pritur. Nuk është pyetje retorike, por problem dramatik, pse kaq vonë. Dhe pyetja tjetër: A do të jetë i qëndrueshëm ky proces, dhe të shkoni më tej jo vetëm me fjalë të mira e premtime por për të zbatuar të gjitha?"

Bostinaru bëri apel për zgjidhjen e shqetësimeve që u paraqitën në progres raportin e nëntorit, që progres raporti tjetër të mos jetë thjesht më pak pozitiv por të na lejojë të japim vlerësim pozitiv.

"Ajo çka BE kërkon nga Shqipëria është bashkëpunimi mes maxhorancës dhe opozitës. Personalisht mirëpres hapat e fundit, dhe ju lutem, ju lutem, që të bëni gjithçka me bindje e efektivitet. Është thelbësore për të parë që ndryshimi të jetë i mirë, që zgjedhjet e tjera të mos vendosen në pikëpyejte dhe të konsiderohen si të vjedhura." nënvizoi Bostinaru.

Një tjetër shqetësim ishte dhe  "vendosja e infrastrukturës së duhur për të zbatuar ligjin elektoral që zgjedhjet të jenë të ndershme dhe të parandalojmë pikëpyetjet." Eurodeputeti tha se këtë shqetësim e kishte ndare të dhe presidenti Topi.

Duke u ndalur te lufta kundër korrupsionit, Bostinaru ngriti pyetjen: "Është i nevojshëm për BE apo e kërkojnë shqiptarët? …Pse është kaq i lartë politizimi në gjyqësor, dhe ndërhyrja politike në gjyqësor."  Është e domosdoshme të adresohet problemi- nënvizoi më tej Bostinaru, duke shtuar: "Ka dy aspekte. 1- niveli i lartë i rasteve të korrupsionit. Asnjë nga çështjet e rëndësishme nuk janë zgjidhur në këtë moment. E dini ju,  e dimë ne, dhe problemi vazhdon të mbetet.
Procesi që të jetë konsistent duhet të kemi fakte që nuk është një lojë ping pongu mes qeverisë e opozitës, dhe qeverisë e KE. A mund të pranohet fakti që në skandalin Pango, e denoncuar nga Top Channel, këtij i vendoset një gjobë e madhe? Si të besojmë luftën e korrupsionit?  Eshte dhe rasti i ish zv kryeministrit i cili ende nuk është zgjidhur."

Në lidhje  me lirinë e medias Bostinaru deklaroi: "Nuk duam të shohim më, por jo më, që problemet të mos jenë zgjidhur …  RTSH dhe radio publike sillen në mënyrë shumë të njëanshme me presidentin." Ai është presidenti i Republikës dhe jo lideri i partive.

Bostinaru bëri apel gjithashtu se po vendoset në rrezik besuesshmëria e institucioneve demokratike.
"Jam një mik i sinqertë i popullit, por besueshmëria e insitucioneve demokratike vihet në rrezik kur dikush që është në pozitë të lartë, si Presidenti, Kryeprokurorja dhe shefi i SHISH akuzohen për grusht shteti. Kur presidenti, kryeprokurorja dhe shefi i SHISH akuzohen për grusht shteti këto duhen parandaluar, sepse nëse dikush e ka thënë këtë, duhet zgjidhur nëse është e vërtetë apo gabim. Të flasësh në demokraci për një grusht shteti , tregon se diçka nuk funksionon. "

MALAJ SITUATA EKONOMIKE KRITIKE
Arben Malaj i PS-së u ndal në situatën ekonomike. Sipas tij ka rënie të ardhurave çka do të thotë do jemi përballë presionit për rritjen e deficitit dhe të borxhit publik. “Vitin e kaluar situate ka qenë e përkeqësuar . Në 2010 qeveria dështoi të mbledhë 330 mln dollarë, dhe për këtë shkurtoi fondet në sektorë jetikë. Shqipëria është në nivelin 60 % borxhi publik. Shenjat e krizës janë ndjerë me kreditë e këqija, në nivel 18 %. Këndvështrimi i opozitës nuk është për të krijuar panik, por për të ndalur përkeqësimin e financave publike, të rritet bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare”- tha Malaj

KUKAN: ËSHTË MOMENTI QË PËR SHUMË GJËRA TË BINI DAKORD TANI
Duke shprehur pëlqimin e tij për të punuar me shqiptarët, Kukan tha se “Është e rëndësishme të gjeni një zgjidhje për të ecur përpara. Është një situatë e re që unë do doja të besoja që kemi një zhvillim pozitiv. Vazhdoni dialogun politik, ka shumë gjëra për tu arritur, diskutuar dhe për të rëndë dakord dhe po mendoja se është momenti tani.”- nënvizoi Kukan.

“Unë mendoj se me takimin e sotëm është e nevojshme që Shqipëria të kapë trenin tjetër që të shkojë në BE. Nuk duhet të humbasim më shumë kohë.” Theksoi më tej Kukan duke shtuar se "Delegacioni i BE është këtu për tju ndihmuar. Fakti që janë 6 anëtarë të BE, si përfaqësues të grupeve në PE, intepretojeni si mbështetje e PE për Shqipërinë.”

LESKAJ: PS E ANGAZHUAR PËR INTEGRIMIN

Deputetja PS, Valetina Leskaj tha se PS mbetet e angazhuar për të realizuar të gjitha përgjegjësitë për të plotësuar 12 prioritetet e BE. “Për ne mbeten referencë arritja e procesit të integrimit, prandaj dhe propozuam paketën me 10 pika, por nuk gjeti mbështetje”. Deputetja socialiste nënvizoi se “opozita shqiptare luajti një rol nxitës e adresues për kalendarin e ligjeve me 3/5, komisionet e përbashkëta si për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Ndërsa përzgjedhja e Avokatit të Popullit po i nënshtrohet një procesi të hapur e demokratik.

BEJA: MIRATIMI I PR/LIGJEVE ME 3/5 DO PËRMBYLLET BRENDA MAJIT

Kryesuesi i delegacionit shqiptar Fatos Beja, tha se në bazë të propozimeve janë marrë parsysh edhe kërkesat e palëve për hartimin e një rregullore të përbashkët sipas rregullavet të Parlamentit Europian" si dhe shtoi se "miratimi i projekt/ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar do përmbyllet brenda muajit maj”

SEQUI: TEJKALONI PENGESAT SIGURONI TRANSPARENCË, LIRINË E MEDIAS

Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi duke folur në emër të Baroneshës Ashton dhe komisionit Fule tha se është me rëndësi arritja e konsensusit.
“Vendet e BE kanë mbështetur konsensusin, tani është e rëndësishme të adresohen të gjitha rekomandimet e BE dhe ne do ju përkrahim”
Sequi u ndal te reforma elektorale.
“Eshtë e rëndësishme që të punohet në grup. PE do vazhdojë t'ju mbështesë”- tha Sequi. Duke shprehur bindjen se projektet e Shqipërisë do të kenë mbështetjen e BE-së Sequi nënvizoi “Shmangni diskriminin, respektoni të drejtat e të burgosurve, të drejtat e minoritetit, tejkaloni pengesat për të siguruar transparencë dhe media duhet të jetë e lirë. 

MAJLINDA BREGU12 REKOMANDIMET E KE-SË PRIORITET

Takimi  nisi me paraqitjen nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, të ecurisë së procesit të integrimit nga qeveria shqiptare në përmbushje të 12 rekomandimeve të BE-së.Ministrja Bregu nënvizoi se bojkoti i parlamentit nga opozita e dëmtoi rëndë procesin e integrimit, duke e lënë Shqipërinë jashtë BE-së. Bregu nënvizoi se që nga viti 2010 Shqipëria po punon intensivisht në përmbushjen e 12 rekomandimeve të kërkuara. "Fakti që opozita ka pranuar të miratojë ligjet me shumicë të cilësuar është një hap para në përmbushjen e këtyre rekomandimeve", theksoi ajo.

KUKAN ME HAXHINASTON: INKURAJOMË DIALOGUN, PARTITË TË FOKUSOHEN TE INTEGRIMI
Në orën 08. 15 minuta Eduard Kukan zhvilloi një takim me zv. Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto. “PE vlerëson sinjalet pozitive që erdhën nga Shqipëria mes dy partive politike dhe sinjalet shumë të mira. Shpresojmë që kjo të vazhdojë më tej. Duam të inkurajojmë të vazhdojë më vonë dhe të sjellin rezultate të reja për më të mirën . Është e rëndësishme që liderët politikë të fokusohen në integrimin e Shqipërisë. Kukan falendenderoi Haxhinaston për “dialogun shumë konstruktiv” që kishte pasur me të.

TAKIMET DJE
Delegacioni i eurodeputetëve zhvilloi dje takime të veçanta me presidentin e Republikës Bamir Topi, kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, si dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Eurodepuetët përcollën mesazhin se vlerësonin si "pozitive" dhe hapa "inkurajues e konkret", arritjen e marrëveshjeve dhe votimi i tre ligjeve me 3/5 ndërsa shpresojnë se "kjo klimë të vijojë dhe bashkëpunimi politik mes palëve të japë rezultatet e duhura në funksion të aspiratave madhore të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë."

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?