Partia Demokratike thotë se ka identifikuar policin që sipas tyre goditi djalin e kryedemokratit të Fierit, Luan Baçi, dje menjëherë pas përfundimit të protestës së dhunshme para Parlamentit.

Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, ka publikuar një foto, ku thotë se ai quhet Kreshnik Aliaj dhe është efektiv i forcave operacionale të Policisë, i veshur civil. PD e akuzon atë si personin që goditi në fytyrë djalin e Luan Baçit. Djali u shoqërua dje nga policia dhe më tej u la i lirë pas verifikimeve të kryera për veprimet e dhunshme në protestën e16 marsit të opozitës.

"Këta nuk janë policë që përfaqësojnë shtetin, këta janë policë që përfaqësojnë bandën në pushtet", shkruan Ina Zhupa e cila ka postuar edhe foton e personit që pretendohet se është polici.

Momenti i shoqërimit të djalit të ish-deputetit Luan Baçi u shfaq me video në media, ku dëgjohej që ai të thoshte se nuk është goditur nga një polic. Ndërkohë, babai i tij ish-deputet, i kërcënoi efektivët se do ta kishin personale me të, ndërsa nuk munguan as ofendimet e rënda banale.

“Ishim nisur për në Fier kur më telefonojnë qytetarë fierakë dhe dëgjoja zhurmë e zëra. Më thonë që policia po i dhunon e po i shoqëron me forcë. Unë ktheva menjëherë bashkë me djalin në makinë. Kur mbërrijmë në vendin ku po ndaloheshin protestuesit, i them djalit filmo me celular. Vetë shkova të flisja policët dhe po ju thosha që pse i shoqëroni me dhunë se mund të vijnë vetë në Komisariat. Atë moment djali im është qëlluar nga një polic civil. Kanë ndërhyrë qytetarë të tjerë dhe policë dhe më pas unë iu kërkova të shkoja në komisariat bashkë me djalin. Kjo është një përpjekje për të trembur qytetarët, për t’iu bërë presion. Djali im nuk po bënte asgjë, as nuk po dhunonte dhe as po qëllonte, vetëm po filmonte me celular dhe u godit”, tha Baçi pas incidentit.