PD ka publikuar videon e një efektivi policie duke goditur me grushte një person, i cili ndodhet në pranga nga 'Shigjetat' dhe po shoqërohej për në makinën e policisë. Nuk dihet se kur dhe ku ka ndodhur ngjarja apo se çfarë arsye e ka detyruar policin të dhunojë të arrestuarin.

Nuk dihen shkaku i arrestimit dhe as i dhunës, po në video shihet se në pranga kanë rënë dy persona, ku njeri po futet nga 'Shigjetat' në makinë, ndërkohë që tjetri po dhunohet nga policia. I arrestuari tjetër ka nisur të bërtasë në momentin që shoku i tij po dhunohej nga efektivi i policisë.

Zëdhënësja e PD-së Iza Zhupa shprehet se arroganca e policisë së Sandër Lleshajt dhe Edi Ramës ka shkuar deri aty sa të rrahë të ndaluarit me pranga në duar. 

"Video tregon qartë brutalitetin ndaj një të riu, që, pavarësisht pozicionit të tij penal, nuk mund të goditet me grushta nga dikush që mban uniformën e Policisë së Shtetit.Këto sjellje antidemokratike janë tregues shqetësues të një regjimi policor, që nuk respekton ligjet dhe të drejtat elementare të njeriut", shkruan ajo krahas videos.

Zhupa kujton edhe rastin e rrahjes së të riut 15-vjeçar gjatë kohës së karantinës dhe ndalimin e paligjshëm të gazetarit të Report Tv në Shëngjin pak ditë më parë, krye të detyrës.

"Kjo është një sjellje për të cilën Europa na heq vizën e kuqe, pasi, siç u theksua sot me të drejtë në Parlamentin Europian, Shqipëria do të nisë negociatat, kur qeveria të tregohet e ashpër me narkotrafikantët, jo me gazetarët dhe qytetarët", shkruan ajo.