Deputetja e PD-së, Ina Zhupa akuzon qeverinë se me keqqeverisjen e saj po ndëshkon fëmijët duke i lënë të mësojnë me turne, në një kohë që mund të përdorin godinën Eko Kampus në Sarandë që është ndërtuar pikërisht si një kompleks mësimor. Zhupa shprehet se ky kampus është ndërtuar prej tre vitesh, por nxënësit nuk mësojnë në të pasi nuk janë bërë punimet hidraulike dhe elektrike, ndërsa mungojnë edhe baza materiale me tavolina dhe karrige. Fajin për këtë, Zhupa ia vendos keqqeverisjes, ndërsa pasojat i vuajnë fëmijët.
"Ndodhem në qytetin e Sarandës, mbrapa meje është godina e quajtur Eko Kampusi, një godinë e ndërtuar prej gati 3 vitesh dhe e pa vendosur në funksion për të mirën e nxënësve të Sarandës.Kjo godinë është bërë me taksat dhe paratë e qytetarëve të Sarandës. Sot fëmijët nëpër shkollat 9-Vjeçare të Sarandës kryejnë mësim me 2 turne vetëm sepse qeveria dhe pushteti lokal nuk kanë menduar që ta pajisin brenda me mjetet e duhura për të zhvilluar mësimin, për ti bërë instalimet elektrike dhe hidraulike. Në seancen dëgjimore që kishim në Komisionin e Edukimit me Ministren e Arsimit, unë e pyeta për Eko Kampusin dhe i kërkova shpjegime se përse nuk e vendosin në funksion për fëmijet e qytetit të Sarandës dhe sigurisht që ngela pa marr një përgjigje.
Sepse ata nuk kanë përgjigje se pse paratë e buxhetit të shtetit dhe paratë e bashkive i çojnë në funksion të klientëve të pushtetit në funksion të oligarkëve, në funksion të pasurimit të tyre dhe klientëve të tyre. Nuk kanë përgjigje se pse fëmijët e Sarandës sot pa asnjë arsye vazhdojnë të bëjnë mësim me dy turne, vazhdojnë të bëjnë mësim në klasa të mbi populluara edhe pse në periudhë pandemie, kur godina është gati është bërë me taksat e tyre dhe duhet të ishte në funksion për ta. Ky është modeli I keqqeverisjes që ofron Edi Rama dhe i krizave që ofron nga keqmenaxhimi i tij", tha Zhupa.
Eco Kampus në Sarandë ka tre vite që ka përfunduar dhe ishte një projekt i qeverisë për të kthyer ish rezidencës qeveritare në një kampus të ri, ku do të ndërtohen ambiente sportive dhe kampus arsimor, me shkollë 9-vjeçare, kopsht dhe gjimnaz. Godina është e përfunduar, por ende jo funksionale për nxënësit pasi mungojnë instalimet hidraulike dhe energjetike.