PD: Rama bën arnim buxhetor
3.2 miliardë shtesë mashtrim

PD: Rama bën arnim buxhetor<br />3.2 miliardë shtesë mashtrim
TIRANE- Duke marrë shkas nga deklarata e djeshme e Kryeministrit të vendit mbi një buxhet shtesë prej 3.2 miliardë, deputeti i Partisë Demokratike, Ridvan Bode ka dalë në një deklaratë për mediat. Bode bën të ditura “shifrat”, që sipas tij, përgënjeshtrojnë deklaratat e Ramës mbi një rishikim të buxhetit në rritje. 
Gjithashtu ish ministri Bode ka bërë dhe një “bilanc” të situatës ekonomike në vend, ku flitet për mosrealizim të ardhurash dhe taksash.

“Të ardhurat e 8 mujorit flasin jo për tejkalim të të ardhurave të qeverisë qendrore, por për mosrealizim të tyre për 624 milion lekë, edhe pse programimi i të ardhurave ishte me rendimentin me të ulet fiskal në 10 vjetët e fundit dhe u parapri nga një rritje drastike e taksave. 
Të gjitha taksat e rritura janë me mosrealizim. Tatimet dhe doganat kanë krijuar një deficit prej 2 miliard e 243 milion lekësh. Akcizat, barra e të cilave u rrit kanë një deficit prej 4 miliard e 350 milion lekësh dhe për më tepër janë detaksuar më pak se 8 mujori i një viti më parë edhe duhan, edhe kafe, edhe birrë. Tatim fitimi ka deficit mbi 10 milion USD dhe fitimi i 8 mujorit i detaksuar është 100 milion usd më i ulët se 8 mujori i vitit të vështirë 2013.”- deklaroi nga selia blu Bode.

Bode gjithashtu deklaroi se të vetmet taksa të tejkaluara si 8 mujor janë tatimi mbi biznesin e vogël, duke kujtuar gjithashtu premtimin e bërë ndaj këtij biznesi, nga ana e Kryeministrit Rama, se do të paguante më pak.

Sipas Ridvan Bodes taksa progressive dhe premtimi i PS, se ky lloj taksimi do të bënte që 95% e shqiptarëve të paguanin më pak taksa, “doli sheshit si gënjeshtër këmbëshkurtër”.

“Të dhënat e 8 mujorit vërteton se në shtesën e të ardhurave të buxhetit, qytetarët kanë paguar 83% të tyre, ose rreth 190 milion USD më shumë se 8 mujori i vitit të kaluar, kurse biznesi me vetëm 40 milion USD.

Kjo konfirmohet edhe nga rritja e peshës së taksave paguar nga qytetarët (indirekte) në vëllimin e taksave gjithsej.”- ishin këto shifrat dhe argumentet e Bodes për të mbrojtur argumentin e tij.

Të ardhura shtesë në krahasim me atë që është programuar nuk do të ketë sipas Bodes, dhe jo vetëm. Por edhe rishikimi i buxhetit është “thjesht një akt pendues i qeverisë, për të zbutur efektet e dështimeve të qeverisë apo programimeve të gabuara me dashje apo mosnjohja e problemeve”.

“Kryeministri, pa iu dridhur zëri mashtroi me zë të lartë në ditën me diell se do risë me 152 milion USD investimet publike.
Të dhënat e 8 mujorit flasin për rreth 220 milion USD investime publike më pak, edhe pse borxhin e rritën në mënyrë galopante.
Janë 170 milon USD më pak investimet me financim të brendshëm edhe pse ka marë rreth 100 milion USD hua më shumë nga bankat, janë 50 milion usd më pak financimet e huaja nga kreditë e zhvillimit edhe pse ka marë 300 milion USD mbështetje buxhetore nga FMN dhe BB.”-sipas Bodes këto shifra janë tregues i financimeve të pakta në vend dhe pse huat e qeverisë rriten në mënyrë eksponenciale.

Bode nuk la pa përmendur, gjatë deklaratës së tij për shtyp, dhe ato fonde të programuara si shpenzime sociale, të cilat opozita i ka cilësuar prej kohësh si të pamjaftueshme dhe më të ulëta se një vit më parë.

“Sot pas një viti, edhe pse hoqi masivisht mijëra njerëz fatkeqë nga skema e pagesës së invaliditetit apo ndihmës ekonomike, përdorimi politik i këtyre programeve ia kërkon që të bëjë një shtesë të re. Të dhënat e 8 mujorit tregojnë se shpenzimet për shtresat në nevojë ekstreme janë 18 milion USD më pak nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe se vetë programi i qeverisë ka qenë po kaq më i ulët nga fakti i vitit të kaluar.”- deklaroi mbi këtë temë Bode.

Ish ministri i qeverisë Berisha dhe kryetari I komisionit të ekonomisë në “kuvendin paralel” të selisë blu cilësoi si demakogji politikën e ndjekur nga qeveria ndaj të përndjekurve politikë, “të cilët në 8 muaj kanë përfituar vetëm 8 përqind të shumës që kishin përfituar një vit më parë”.

“Në të vërtetë shifrat e 8 mujorit flasin për një trajim armiqësor të qeverisë Rama ndaj buxheteve lokale. Të ardhurat e pushtetit lokal janë rreth 16 milon USD më të larta nga një vit më parë, apo 20 milion më shumë se sa i ka programuar qeveria. Por shpenzimet e tyre janë 22 milion usd më pak nga një vit më parë ose 41 milion usd më pak nga programi. Janë mbi 55 milion USD shpenzime të ligjshme të pushtetit vendor që mbahen të bllokuara nga qeveria, që nuk autorizohen apo nuk transferohen fondet e grandeve (janë rreth 40 milion USD grante më pak të qeverisë qendrore) apo të ardhurave në njësitë e qeverisjes vendore. Dhe këtu nuk llogaritet bllokimi i projekteve me kredi të miratuara ligjërisht apo financimet për grantet konkuruese të infrastrukturës rajonale, të cilat po përdoren nga qeveria qëndrore për infrastrukturën nacionale.”- deklaroi gjithashtu Bode mbi raportin delikat të qeverisë dhe pushteteve lokale për sa i përket shpenzimeve dhe buxheteve.

Duke u rikthyer tek deklarata e djeshme e Kryeministrit Rama mbi një buxhet shtesë, Bode e cilësoi si mashtrim shtesë e qeverisë aktuale “përballë rritjes së pakënaqësisë publike ndaj dështimeve në ekonomi”. Gjithashtu sipas Bodes, ajo që po ndodh është veçse një arnim buxhetor dhe çdo rritje e të ardhurave apo shpenzimeve të buxhetit në këtë fazë, do të sillte rritjen e deficitit të tyre në buxhet.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni turin e Ramës me diasporën?



×

Lajmi i fundit

Kokaina në portin e Durrësit/ Identifikohet pritësi i 7 pakove me drogë në Angli (EMRI)

Kokaina në portin e Durrësit/ Identifikohet pritësi i 7 pakove me drogë në Angli (EMRI)