TIRANË, 17 Korrik /ATSH- I. Vata/-Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka dalë të enjten në një deklaratë për mediat për të denoncuar mosreagimin e Kryeministrit një javë pas goditjes dhe kërcënimit me jetë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike.
Sot një javë më parë, u shpreh Bylykbashi, "Edi Rama urdhëroi goditjen dhe kërcënimin me jetë të deputetit të opozitës, Gent Strazimiri, sapo ky i fundit mbaroi fjalën në foltoren e Kuvendit, ku denoncoi përfshirjen e elementëve kriminalë brenda mazhorancës".
"Prej një javë tashmë Edi Rama ka edhe emrin e deputetit dhe provat e pakontestueshme të së kaluarës kriminale të Arben Ndokës. Por, ai hesht. Si personi që eliminoi dy gra kandidate nga lista për t'i hapur rrugën hyrjes në parlament të Arben Ndokës, Edi Rama hesht edhe për kërcënimin që deputeti i tij i bëri zëdhënëses së Partisë Demokratike", tha Bylykbashi.
Po ashtu, ai ka akuzuar kryeministrin si autori i vërtetë i goditjes dhe dhunimit të deputetit të opozitës dhe si i tillë hesht. "Edi Rama dhe Ilir Meta kanë një mision, për t'i shërbyer deri në fund aleancës së krimit me të cilën erdhën në pushtet", theksoi deputeti i PD-se. /a.ke/