Partia Demokratike mblodhi të mërkurën komisionin e ekonomisë dhe të ligjeve (oponencë e komisionit parlamentar të ekonomisë) për të diskutuar mbi rishikimin e buxhetit për vitin 2014.

Objekt i debatit ishin zërat në buxhet për shtresat në nevojë dhe të përndjekurit politikë si dhe sektori i bujqësisë.
Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Ligjeve në Partinë Demokratike, Albana Vokshi solli në vëmendje se shtresat në nevojë dhe të përndjekurit janë lënë në harresë. "Për shtresat në nevojë, deri më sot nuk është paguar asnjë qindarkë dhe kjo deklarohet nga Ministria e Financave në raportin që ka dorëzuar në Kuvend", tha Vokshi, duke shtuar se "PD do t'i kërkojë qeverisë që të miratojë zërat për këtë kategori sociale".

"Qeveria vazhdon të pohojë se po shlyhen pagesat për të përndjekurit, kur në të vërtetë uli me 12 milionë dollarë pagesën për ta, krahasuar me 2013. Kjo qeveri mashtron se po bënë më shumë për të përndjekurit se qeveria paraardhëse duke deklaruar se ka paguar 9 milionë dollarë, kur realisht ka paguar 2.6 milionë dollarë ose tre herë më pak. Krahasuar me 28 milionë dollarë të lëvruar nga Partia Demokratike vitin që shkoi, është njëmbëdhjetë herë më pak se qeveria demokratike", tha Vokshi.

Ndërsa përsa i përket sektorit të bujqësisë, deputeti Ardian Turku tha se "ky buxhet është zvogëluar gati 15%, gjë që dëshmon për dështimin e politikave për bujqësinë". /ATSH/