Një parti si Partia Demokratike, e cila lindi 27 vjet më parë si mishërimi i aspiratës kombëtare për "Shqipërinë si gjithë Europa, ndërsa sot është kthyer në një bunker plastmasi, ku po shkruan e izoluar nga europa dhe bota, faqen më të zymtë të historisë së saj.
Ju e dini se sot duhet të zhvilloheshin zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës.
Ne u tërhoqëm për të shmangur derdhjet rrugëve të Kavajës të përsheshit të gatuar në bunkerin e plastmasit dhe për t'i krijuar PD-së mundësinë e fundit për përfshirjen me dinjitet në zgjedhjet e 18 qershorit.
I kemi propozuar PD-së një mekanizëm të ri institucional që adreson si asnjëherë në këto 27 vite problemin e vjetër të mungesës së një kontrolli transparent të marrëdhënies së pushtetit ekzekutiv me procesin zgjedhor.
Asnjëherë! E përsëris, kurrë gjatë 15 proceseve zgjedhore gjatë pluralizimit opozita nuk ka pasur mundësinë që i ofrohet sot, për t'u bërë pjesë e qeverisë nga fillimi në fund të fushatës zgjedhore, përmes një ekipi teknik të zgjedhur nga ajo vetë dhe të insistuar nga partnerët ndërkombëtarë, në funksion të adresimit në kohë reale të çdo shqetësimi të saj në të 5500 Qendrave të Votimit në të gjithë vendin, për të pasur sytë dhe veshët brenda në administratën shtetërore, brenda në polici, brenda në sistemin arsimor të Shqipërisë, brenda në rrjetin e burgjeve të vendit, ku opozita nuk ka qenë kurrë në 27 vjet pluralizëm.
Sot mund të jetë dhe mund të japë një kontribut konkret për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve zgjedhore të këtij vendi.
Por, deri tani PD nuk ka dashur të dëgjuar dhe mesa duket në pak orët e mbetura për të dëgjuar dhe për të vendosur të punojë me ne për të mirën e Shqipërisë, zor se do të dëgjojë dhe do ta bëjë detyrën e saj karshi vendit, qytetarëve të këtij vendi dhe zgjedhësve të saj.
Fatkeqësisht, kohën e fituar nga tërheqja jonë nga Kavaja dhe shmangien e një shfaqje turpi në rrugët e këtij qyteti të vogël, PD nuk e shfrytëzoi për të mbyllur laboratorin e krizës artificiale në Bulevard dhe për të hapur një faqe të re bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës në funksion të standardeve më të mira zgjedhore.
E humbi këtë kohë të çmuar në mënyrë abuzive duke festuar një fitore imagjinare në bunkerin ku është kyçur nga frika e drejtësisë dhe duke kërcitur dhëmbët për fitore të tjera si kjo. Me shumë keqardhje, fija e shpresës që PD të kthehet në rrugën e arsyes, të çbllokojë Vettingu, të votojë Reformën Zgjedhore, të caktojë zv/kryeministrin dhe tre zv/ministra në pozicione kyç dhe me kompetenca të plota për të mos lejuar e për të ndëshkuar çdo përzierje favorizuese të shtetit në zgjedhje, është një fije shpresë tanimë e padukshme.
Përfundimi se në zgjedhjet e 18 qershorit do të shkojmë pa PD-në, po merr formë përfundimtare për shkak të verbërisë së dy njerëzve: liderit të vjetër dhe hakmarrës për shkak se nuk e treti humbjen e rëndë të katër viteve më parë; kryetarit të ri që imiton të vjetrin dhe lider dot nuk bëhet.
është për të ardhur keq. Durimi ynë nuk mjaftoi sepse në fund fare frikën nga drejtësia dhe nga humbja në këto zgjedhje që po rezulton fatale për PD-në, ne nuk ia heqim dot dy njerëzve që po sakrifikojnë partinë e tyre historike për interesa krejt personale.
As qeverinë nuk ua japim dot në tavolinë për t'i marrë me të mirë për të mos hedhur në erë PD-në dhe as zgjedhjet nuk i shtyjmë dot se kështu u thotë mendja atyre që të mos destabilizojnë Shqipërinë.
As shqiptarët nuk i lëmë në mëshirën e një lufte qorre për pushtet, duke iu hequr të drejtën sovrane të zgjedhin ata vetë qeverinë dhe opozitën që duan. Zgjedhjet janë të popullit, jo të shërbëtorit të tij në qeveri dhe opozitë.
Kështu që, në mos ndodhtë mrekullia në orët që kanë mbetur, se po ndodhi shyqyr që ndodhi dhe këto fjalë nuk kanë më asnjë rëndësi, ne nesër do të nisemi drejt 18 qershorit pa Partinë Demokratike, e cila duhet ta ketë shumë të qartë se Shqipërinë peng nuk e merr dot kurrë dhe as nuk e bën dot një vatër gjullurdie në rajonin e trazuar nga ndërhyrja e aktorëve të tjerë kundër BE dhe NATO.
Destabilizimi që ëndërron, për turpin e saj më të madh dhe nën ndikimin e dy mendjeve të çartura që i friken drejtësisë dhe zgjedhjeve, nuk e realizon dot. Drejtësinë e redhe rrugën tonë për Shqipërinë që duam me shtet, punë e mirëqënie dhe me vendosmëri të plotë për t'iu bashkuar familjes së madhe europiane duke filluar nga zbatimi i Vettingut, nuk e bllokon më përtej 18 qershorit.
Por në mungesë të PD-së në 18 qershor, ne nuk do të harrojmë për asnjë çast ata shqiptarë që janë mësuar të votojnë PD-në. Duke repsektuar këdo prej tyre që do të presë në shtëpi rilindjen e vështirë të asaj partie në vitet që do të vijnë, do të ftoj të mirëpresim çdo demokrat të arsyeshëm të vijë për të ndërtuar Shqipërinë që duam për shtet, mirëqenie dhe punë për të gjithë.
Tani më, o të bashkuar dhe përpara për Vettingun dhe rrugën drejt Europës, ose mbrapa dhe të ndarë nga Europa për interesat e një grushti njerëzish pa Vetting dhe as drejtësi, i mbyllur në një bunker plastmasi. O të bashkuar pa dallim përpara për shtetin që u duhet njësoj socialistëve e demokratëve, të gjitha familjeve të zakonshme të këtij vendi, o mbrapa, prapë të ndarë dhe prapë pa shtet, ku njeriu është viktimë e padrejtësisë të ngritur në sistem.
O bashkë për të shkuar përpara për një ekonomi që rritet më shumë, edhe më shpejt, me një shtet dinjitoz në Rajon e Europë, ose mbrapa me një Shqipëri pa zot, ku ata që respektojnë ligjin dhe s'paguajnë detyrimet quhen budallenj, ndërsa ata që s'paguajnë dritat dhe shkelin ligjin fitojnë gjithnjë.
Sa më shumë të bëhemi në 18 qershor, aq më pranë jemi me Europën dhe aq më larg do t'i sekterisim fantazmat e të shkuarës. Sa më shumë të mblidhemi çdo ditë deri më 18 qershor, të flasim, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të kuptohemi njëri me tjetrin, aq më të mundur do ta kemi për të bërë gjënë e duhur për atdheun tonë të përbashkët.
Thirrja ime sot është të ngremë Shqipërinë me fjalën tonë, me votën tonë ku ose do të ndahemi përfundimisht nga e shkuara ose do të mbetemi peng të së shkuarës kush e di për sa kohë. Ju lutem atyre, të gjithë atyre që janë larg atdheut, nëse nuk vini dot për të votuar në 18 qershor, ngrini telefonat dhe aty ku jeni deri në 18 qershor bëni të paktën 10 vota për Shqipërinë që duam, flisni me familjarët dhe iu thoni që kjo nuk është betejë për flamujt e partive, por për flamurin kuqezi të Skënderbeut, rilindasve, Ismail Qemalit. Duhet t'i tregojmë Europës se shqiptarët nuk janë të paaftë të bëjnë shtet. Lutja ime për të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri dhe që kutinë e votimit e kanë disa qindra metra larg shtëpisë, është të mos mendojnë për sot, por për nesër, të mos shohin qime në syrin e njëri-tjetrit, por traun në syrin e atyre që duan të marrin peng të ardhmen e këtij vendi.
Refuzimi i PD për të hyrë në zgjedhje dhe gatishmëria e turpshme e dy mendjeve të çoroditura që e kanë marrë peng PD-në për të na ndarë së gjalli nga bota, nga amerika, nga Europia të cilavë u kanë shpallur luftë, do të marrë si përgjigje refuzimin e popullit të bashkuar për planin kriminal të destabilizimit të Shqipërisë.
Me kurajo, së bashku për Shqipërinë që duam!
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com
