Australia po përballet me shpërthimin më të madh të difterisë në dekada, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar edhe viktimën e parë nga sëmundja pas pothuajse 10 vitesh. Sipas autoriteteve shëndetësore, një burrë që humbi jetën në prill në spitalin “Royal Darëin” rezultoi të kishte vdekur nga difteria, pas analizave të kryera në një laborator jashtë vendit. Rasti i fundit fatal nga kjo sëmundje në Australi ishte regjistruar në vitin 2018.
Vetëm gjatë këtij viti janë raportuar 245 raste, shifra më e lartë që nga viti 1991. Shpërthimi ka prekur kryesisht komunitetet indigjene në zonat e largëta të vendit. Rastet nisën të shtoheshin në fund të vitit 2025 dhe pësuan rritje të fortë në muajin shkurt. Më shumë se 60% e infektimeve janë regjistruar në veri, ndërsa pjesa tjetër kryesisht në Australinë Perëndimore.
Qeveria australiane ka nisur vaksinime masive në zonat më të prekura. Sipas autoriteteve, që nga fundi i marsit janë kryer mbi 10 mijë vaksinime për të frenuar përhapjen.
Çfarë është difteria?
Difteria është një infeksion bakterial shumë ngjitës që prek kryesisht hundën, fytin dhe në disa raste lëkurën. Sëmundja përhapet përmes kollës, teshtimës ose kontaktit të afërt me personat e infektuar. Simptomat më të zakonshme janë ethet, dhimbja e fytit, vështirësia në frymëmarrje dhe lodhja e fortë. Në rastet më të rënda, difteria mund të bllokojë rrugët e frymëmarrjes dhe të rrezikojë jetën.
Mjekët theksojnë se sëmundja mund të parandalohet me vaksinë, e cila konsiderohet mbrojtja më efektive kundër përhapjes së saj
Komente








