Jakin Marena: PD, si tregu i ‘Gabit’! Oferta, ju ofrojmë Berishën ‘fringo’ të ri

Jakin Marena: PD, si tregu i ‘Gabit’! Oferta, ju ofrojmë Berishën ‘fringo’ të ri

Moment nga protesta e dhunshme e PD më 7 Tetor

Partia Demokratike tregoi dhe njëherë se pavarësisht ‘bashkimit’ të pjesës më të madhe të deputetëve në një grup parlamentar rreth Berishës, nuk ka mbështetje në bazë. Përkundrazi, PD bazën e ka tërësisht të shpartalluar, të çorientuar dhe në lëvizje kaotike ‘cetrifugale’ që nxjerr jashtë ‘gardhit’ kontigjente të tërë demokratësh, të zhgënjyer nga lidershipi aktual.

Braktisja e kupolës së PD të udhëhequr nga Berisha, u pa qartë në protestën e 7 tetorit, teksa pjesëmarrja ishte tërësisht zhgënjyese, pavarësisht lekut të madh të hedhur nëpër rrethe për të siguruar protestues, përmes parave cash, pagesës së udhëtimit dhe të ushqimit.

Pa llogaritur këtu Tiranën, e cila qëndroi sërish indiferente ndaj thirrje të Berishës nga maja e ballkonit të pallatit tërësisht të tij ku gjendet nën arrest shtëpiak nën akuzën e korrupsionit pasiv për aferën e privatizimit të “Partizanit” në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Aq indiferente dhe pa pjesëmarrje ishte Tirana, por dhe bojkoti i rretheve, sa dhe Edi Paloka nuk i ka mbajtur nervat ndaj tyre, teksa deklaroi me zë dhe figurë që të mos e mërzisnin më gazetarët, pasi shqiptarët në vend që të protestojnë kanë gjetur rehatinë në kafe. Paloka bëri thirrje madje të dalin nga kafet, ose të mos flasin më.

Ndërkohë që mungesa e mbështetjes në Shqipëri shihet me sy të lirë, fundja është parë gjatë gjithë kësaj kohe që ka shpërthyer lufta në PD dhe kur ‘pronësia’ e vulës dhe logos së kësaj partie kalon herë në njërën dorë, atë të Bashës e herë në dorën tjetër atë të Berishës, vihet re se dhe ndërkombëtarët  vijojnë të qëndrojnë indiferentë ndaj protestave të PD e opozitës, burgosjes së deputetit Ervin Salianji për “Babalen” e famshme apo të arrestit shtëpiak me gjithë dhëndër të Sali Berishës, kreut të PD.

Për më tepër që i janë kthyer ashpër veprimeve të dhunshme të deputetëve të PD në Kuvendin e Shqipërisë me djegien e karrigeve dhe hedhjen e sendeve të forta në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropali, apo goditja e efektivëve të Gardës së Republikës, gjë që ka sjellë dhe përjashtimin e 24 deputetëve për një periudhën nga 10 deri në 60 ditë nga seancat dhe komisionet parlamentare.

Nga ana tjetër, aktet e dhunës, molotovi dhe djegiet e shkaktuara nga ana e protestuesve tek institucionet shtetërore, kazanët e plehrave, stacioneve të autobusëve dhe mbi të gjitha tek selia e PS, janë dënuar fort nga ndërkombëtarët, përfaqësuesit e të cilëve kanë bërë thirrje për qetësi, dialog dhe bashkëpunim mes palëve, në funksion të integrimit të vendit në BE.

Për më tepër që reagimi ka ardhur dhe nga miku i vetëm që i kishte mbetur Berishës dhe pjesës së PD rreth tij në CDU-në gjermane. Më konkretisht një ditë pas dhunës së PD në protestë, ka reaguar ashpër, një nga partitë kryesore të PPE. CDU-ja gjermane me një gjuhë të qartë e ka konsideruar Sali Berishën si fajtor për frymëzimin e dhunës në protestën e 7 tetorit në Tiranë.

Gunther Krichbaum, zëdhënësi për çështjet evropiane të grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, nënvizon se çdo akt dhune është krejtësisht i papranueshëm dhe tërësisht i padenjë për një vend që synon të bëhet anëtar i BE. Madje në deklaratën e tij, Krichbaum vë në pah përgjegjësinë e liderit të PD, Sali Berisha për të cilin thotë se për akuzat për të cilat është marrë i pandehur ai duhej të ishte në burg dhe jo në arrest shtëpie.

Për më tepër që Krichbaum, i cili shprehej se Sali Berisha duhet të shkojë në burg për protestën e 7 tetorit, teksa kjo deklaratë nga Gjermania është cilësuar si një shuplakë e fortë për ish-kryeministrin që ndodhet në arrest shtëpie, nën akuzën për korrupsion në dosjen Partizani.

Duke deklaruar distancimin e CDU/CSU si dhe të PPE-ve nga PD dhe veçanërisht nga kryetari i saj, Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpiak. “Kjo është arsyeja pse ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse partia ka fuqinë për t’u rinovuar.

Ajo ka nevojë për një figurë të ndershme në krye. Ashtu siç një demokraci ka nevojë për një qeveri të fortë, ajo ka nevojë edhe për një opozitë të fortë. Përpjekja për të paraqitur konceptet dhe argumentet më të mira duhet gjithmonë të ndodhë pa dhunë.

Fakti që kjo nuk ka qenë e mundur deri më tani, është në masë të madhe përgjegjësi e zotit Berisha. Ai nuk duhet të paraqitet si një viktimë e një procesi të supozuar të motivuar politikisht. SPAK-u, që e ka vendosur atë në arrest shtëpiak, është përtej çdo dyshimi.

Në fund të fundit, SPAK-u u krijua nën presionin e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh seriozitetin e akuzave, Berisha do të ishte vendosur në paraburgim në çdo shtet të BE-së dhe jo në një arrest shtëpiak të rehatshëm”, deklaroi Krichbaum. I fiksuam  këto pasazhe për të qenë korrektë.

Pra jo vetëm shqiptarët por dhe partnerët më të ngushtë nga radhët e partive të djathta evropiane, pasi qeveritë e SHBA, Britanisë së Madhe dhe të vendeve të BE me kohë dhe me vakt e kanë shpallur ‘non grata’ apo bërë ‘hasha’ Berishën, duke mos i dhënë as dorën jo më për ta përkrahur apo për të lëshuar ndonjë deklaratë kundër arrestit të tij, janë distancuar nga PD e udhëhequr nga Berisha, duke deklaruar se ai duhej të ishte në burg dhe jo një ofertë e ‘re’ për herë të tretë për qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme, përballë Edi Ramës dhe PS në qeverisje.

Për hir të së vërtetës PD është katandisur në atë farë feje, sa tashmë e udhëhequr në terren nga binomi Noka-Bardhi dhe nën udhëzimin e fortë të Sali Berishës, ‘non grata’ funksional, nën arrest shtëpiak dhe një kandidat potencial për në qeli, sidomos pas hapjes dhe të hetimit për ’21 janarin’ ku ish kryeministri demokrat del ‘violinë e parë’ më 21 janar 2011 si urdhërdhënës ndaj Gardës për të qëlluar mbi demonstruesit me pasojë vrasjen e 4 protestuesve opozitarë, pra kjo PD nuk ka asnjë shans as të rikuperojë votat e zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, jo më të pretendojë t’i afrohet pushtetit.

Pasi ka një rrjedhje dhe bojkot të vazhdueshëm dhe gjithnjë në rritje të demokratëve nga partia që kanë mbështetur për 33 vite me radhë.

Këtë e tregoi jo vetëm protesta e 7 tetorit në Tiranë, jo vetëm protestat e vobekta javore e ditore përballë bashkisë Tiranë dhe tek ballkoni i Berishës, por dhe sondazhet serioze, të cilat japin një mbështetje në rënie të lirë për PD dhe aleatët e saj, dhe njëherësh paralajmërojmë një humbje të thellë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Praktikisht PD të vetmen ofertë për qytetarët shqiptarë për të qeverisur vendin në një rast të mundshëm të ardhjes në pushtet, ka Sali Berishën, Flamur Nokën, Gazment Bardhin(Gazi me shumë dyshime pasi mund të akuzohet si tradhtar dhe një ‘kolonë e pestë’ e SPAK dhe ndërkombëtarëve brenda PD për t’i bërë varrin Berishës), Ilir Metën si aleat të mundshëm në zgjedhje dhe tërë ish ministrat dhe ish drejtorët e para vitit 2013, të cilët u larguan nga pushteti me 1 milionë vota gati 12 vite më parë.

Për më tepër që Berisha është dhe ‘non grata’ nga SHBA e Britania, si dhe trajtohet si i tillë nga vendet e BE e të rajonit, dhe është nën arrest shtëpiak për korrupsion pasiv, por është dhe shumë pranë arrestit në qeli për aferën e “Partizanit”, si dhe ’21 janarin’ e “Gërdecin’. Pra është një figurë tërësisht e konsumuar, e dhunshme dhe jo e ndershme, dhe sipas përfaqësuesit të lartë të CDU gjermane, e papërshtatshme për të qenë një ofertë serioze bashkë me PD që udhëheq për shqiptarët.

E thënë me terma më të thjeshtë, PD është kthyer si ai tregu i rrobave të përdorura që rëndom quhet tregu i “Gabit”, ku si ata tregtarët që shesin rroba të përdorura duke i reklamuar si mall të papërdorur dhe të paveshur thjeshtë e vetëm për t’i shitur, ashtu dhe PD kërkon t’ua shesë shqiptarëve Berishën si “fringo të ri” dhe të ‘papërdorur fare’.

Dhe nëse shqiptarët që aksesojnë tregun e rrobave të përdorura kanë rënë në paqe me këta tregtarë, pasi e blejnë mallin lirë fare, sipas xhepit që kanë, me PD e kanë shumë të vështirë të bëjnë paqe dhe të pranojnë ofertën e saj për Berishën ‘fringo të ri’ dhe ‘të papërdorur’. Pasi jo vetëm është tërësisht i konsumuar por dhe kushton shumë shtrenjtë për Shqipërinë Berisha, sado ‘lirë’ ta blejnë qytetarët shqiptarë.

E ka treguar sa herë ka qeverisur, herën e parë e shembi shtetin nga themelet për tre ditë dhe u grabiti shqiptarëve me “Piramidat” mbi 1.2 miliardë dollarë kursime, herën e dytë e hodhi  në erë si në “Gërdec”, i vrau shqiptarët në mes të bulevardit më 21 janar 2011 dhe e vodhi Shqipërinë në të gjitha herët përmes aferave të ndryshme, për të cilat është në dyert e SPAK dhe gjykatave.

Prandaj shqiptarët i janë larguar me kohë e vakt Berishës së rikthyer në krye të PD. Madje dhe demokratët, të cilët nuk besojnë më se Berisha po përpiqet të sjellë PD në pushtet. Ata janë të bindur se PD po përdoret nga Berisha për interesin e tij personal dhe hallet e tij dhe të familjes që e kanë zënë me drejtësinë.

Ndaj opozitarët shqiptarë janë në kërkim të një oferte të re, duke refuzuar ofertën Berisha, të riafruar si një standard i ri, tashmë në moshën 80 vjeçare, teksa ka provuar në 33 vite postin e presidentit, kryeministrit dhe të gjitha herët kryetarin e PD.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Skandaloze nga tifozët e Çekisë, përdhosin simbolet e Shqipërisë dhe shpalosin flamurin serb

FOTO/ Skandaloze nga tifozët e Çekisë, përdhosin simbolet e Shqipërisë dhe shpalosin flamurin serb