TIRANË - Vrasja e ndodhur dje në Rrogozhinë ka bërë që Partia Demokratike të dalë në një konferencë për median, duke akuzuar ministrin e Brendshëm se “nuk e di”. Deklarata për median është bërë nga deputeti Gent Strazimiri.
 
“Një përplasje bandash, sipas policisë me motivin e hakmarrjes, ka ndodhur dje në mes të ditës, në një aks rrugor me fluks të lartë qarkullimi, që ka sjellë si pasojë: 2 të vrarë e dy të plagosur.  Një nga të plagosurit është një kalimtar i rastit, të cilin fati i keq e çoi në atë moment në zonën e luftës”, ka theksuar në fjalën  e tij Strazimiri.
 
Sipas tij, “vrasja është një ngjarje tipike mafioze, e mirëorganizuar, qartësisht e mirëpërgatitur dhe koordinuar nga një grup i strukturuar”. Strazimiri ka akuzuar ministrin Tahiri se nuk dinte të jepte shpjegime në lidhje me këtë krim.
 
“Ndërkohë dje, publikisht ministri i brendshëm, pyetjeve ne lidhje me ngjarjen me te fundit, iu përgjigj me “nuk e di”, “nuk mund ta parashikonim”, “nuk na kishin informuar”. Që vrasësit nuk kanë patur detyrimin të njoftojnë policinë dhe ministrin e saj për “pritën e mirëpërgatitur” dhe pasojat e saj, këtë e kupton çdo njeri normal, përveç Ministrit të Brendshëm”, ka deklaruar Strazimiri.
 
Sipas deputetit demokrat, burgjet nuk kanë për detyrë që të njoftojnë policinë për të dënuarit të cilëve u japin leje, e përcaktuar me ligj. “Që strukturat përkatëse të Drejtorisë së Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë, kanë detyrimin ligjor të njoftojnë policinë në momentin që vendosin të japin leje, veçanërisht për persona të dënuar për vrasje, këtë e thotë qartë ligji dhe është procedure standard jashtë të cilës nuk mund të dilet”, tha Strazimiri.
 
“Ministri dje minimalisht duhej të kishte njoftuar se personat përgjegjës në Policinë e Shtetit, ne Drejtorinë përkatëse te Burgut apo ne te dyja bashke kane zënë vendin e lënë bosh nga viktima, në Burgun qe i dha “lejen” tragjike. Po ministri këtë nuk e beri, e anashkaloi me një heshtje fajtore, duke luajtur rolin e “idiotit të dobishëm”.
 
Ndërkohë opinioni publik, qytetarët që vuajnë arbitraritetin e gjobave apo idiotësinë e policëve civile qe ruajnë semaforët, ndjejnë cdo ditë e me tepër faktin që ndërkohë që kjo qeveri po ç’organizon Policinë e Shtetit, krimi po organizohet me shpejtësi marramendëse duke përgjakur çdo cep të vendit. Fakti që krimi nuk kalon nëpër semaforet që ministri i ruan me policë të veshur dhe te zhveshur, nuk mund te jete justifikim”, deklaroi gjatë fjalës së tij, deputeti i PD-së, Gent Strazimiri.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)