Deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka dalë ditën e sotme në një deklaratë për shtyp duke vijuar akuzat ndaj kreut të Bashkisë, Erjon Veliajt.
Në fjalën e saj, Vokshi është shprehur se Partia Demokratike disponon të dhëna se vendimi i Ujësjellësit të Tiranës për të blerë makina luksoze elektrike është korruptiv dhe për këtë arsye çmimi i ujit është shumë herë më i shtrenjtë.
E vërteta është se Ujësjellësi i Tiranës, nën varësinë direkte të Erion Veliajt, ka parà, por, në vend që t’i investojë ato për furnizimin me ujë të kryeqytetit, Erion Veliaj i shpërdoron për t’ia dhënë miqve e sponsorëve.
Albana Vokshi, deputete
Deklarata e plotë e Vokshit:
Të gjithë qytetarët e Tiranës e dinë dhe e ndjejnë se Fatura e ujit të pijshëm po shtrenjtohet çdo vit, që kur qyteti drejtohet nga Erion Veliaj. Por, megjithëse paguajnë shumë herë më shtrenjtë, ujë të rrjedhshëm në rubinet nuk ka.
Çmimi bëhet disa herë më i shtrenjtë sidomos për ata qytetarë që e blejnë ujin në treg.
Erion Veliaj, i cili ka rritur taksat dhe tarifat, përfshirë edhe atë të ujit, ankohet se nuk ka para mjaftueshëm për ujësjellësin.
E vërteta është se Ujësjellësi i Tiranës, nën varësinë direkte të Erion Veliajt, ka parà, por, në vend që t’i investojë ato për furnizimin me ujë të kryeqytetit, Erion Veliaj i shpërdoron për t’ia dhënë miqve e sponsorëve.
Në këtë tabelë, në një analizë shumë të thjeshtë, gjeni se ku shkojnë tenderat e ujësjellësit të Tiranës.
86 tendera nga 260 ose një në tre tendera jepet pa garë.
Vlera që do të kursehej nëse do të kishte garë të rregullt sipas ligjit është 2.4 milionë euro.
Por shpenzimet e luksit janë edhe më skandaloze.
73 tendera nga 260, ose 12.7 milionë euro, shkojnë për luksin dhe rehatinë e Erjon Veliajt dhe drejtuesve të UKT-së.
Erion Veliaj ka para për ujësjellësin, por në vend që t’i investojë ato për furnizimin me ujë të kryeqytetit, ka blerë këto ditë, 5 makina elektrike.
Ajo çfarë bie në sy janë specifikimet e ujësjellësit për aksesorët luksozë të makinave të blera, që nga pasqyrat me palosje elektrike deri tek sistemi i navigimit.
Partia Demokratike disponon të dhëna se vendimi i Ujësjellësit të Tiranës për të blerë makina luksoze elektrike është korruptiv dhe për interesa biznesi që lidhen me atë vetë, miqtë dhe familjen e kryeministrit.
Makinat elektrike me vlerë gati 40 milionë lekë secila prej tyre, pra shumë herë më tepër se çmimi i një makine të njëjtë por me çmim normal tregu, janë blerë tek miku i Edi Ramës, Agron Papuli, i cili ka qenë i vetëm në garë, sepse, sipas specifikimeve të Ujësjellësit, dhënia e miliona lekëve janë paracaktuar për makinat e Papulit. Ky është i njëjti përson të cilit policia i mori me qera disa makina pak kohë më parë për 1.8 milionë euro të tjera. Ky është financuesi i Edi Ramës, të cilit i ka dhënë 17.3 milionë euro nga buxheti vetëm për blerje makinash
Erion Veliaj duhet të tregojë a është blerja e këtyre makinave dhe plani për autobuzët elektrikë, pjesë e aferës me vëllain e kryeministrit, Olsi Rama, për të siguruar karikimin e automjeteve elektrike në pikat e kontrolluara nga vëllai i kryeministrit, Olsi Rama?!
Qytetarët e Tiranës paguajnë më shumë për faturat e ujit të pijshëm, sepse Erion Veliaj nuk blen vetëm makina elektrike për të pasuruar financuesin e Edi Ramës, por për të pasuruar edhe vëllain e Drejtorit të Rrugëve, tek i cili blen matësit e ujit të cilën qytetarët e Tiranës e paguajnë 56 mijë lek.
Erion Veliaj nuk e trajton veten njësoj si qytetarët e Tiranës, të cilët nuk kanë ujë të pijshëm në shtëpi, sepse investimet e Bashkisë mungojnë. Për zonën rezidenciale ku Erion Veliaj banon, Ujësjellësi ka investuar rreth 300 milionë lekë që Erion Veliajt të mos i mungojë uji në shtëpinë e tij luksoze.
Qytetarët e Tiranës nuk meritojnë një kryebashkiak të korruptuar, prioriteti kryesor i të cilit është pasurimi i shpejtë nëpërmjet grabitjes së qytetarëve.