TIRANË – Thellohet përplasja mes Partisë Demokratike dhe Presidentit Bamir Topi pas incidentit 2 ditë më parë në përvjetorin e Kuvendit të Lezhës. Deputetja Paulina Hoti e akuzoi kreun e shtetit se po trillon dhe fantazon duke gënjyer shqiptarët për arsyen e vërtetë të mospjesëmarrjes së tij në takimin e Lezhës.
“Unë jam sot këtu për të deklaruar me përgjegjësi të plotë, se pretendimi i zotit Topi, se më 2 mars Partia Demokratike e Lezhës do të organizonte një proteste kundër tij është pjellë e një fantazie të sëmurë, trillim banal, identik me mashtrimin e tij të mëparshëm, siç ishte ai që ligjin e Lustracionit nuk e ktheu pasi ishin “përgatitur ta gjuanin me gurë dhe me vezë”, tha deputetja Hoti.
Sipas PD, presidenti po trillon sërish, sikundër bëri edhe me mospjesëmarrjen në pritjen për Pavarësinë e Kosovës.
“Ndërsa për mashtrimin tjetër për konsum të brendshëm se ai nuk shkoi në Lezhë sepse nuk u lejua të fliste, këtë i’a beson vetëm ndonjë zëdhënës i Edi Ramës. Bamir Topi nuk kishte konfirmuar asnjëherë pjesëmarrjen në festimet e Lezhës pasi duket se, jo Bashkia e Lezhës, por motive të thella personale nuk e lejuan të fliste atë ditë, në atë vend. Motive që shpjegohen qartësisht nga Edvin Rama në editorialin e tij të sotëm”, tha Hoti.


PD PËR RAMËN
“Përsa i përket pretendimit të Edi Ramës, se ai mungoi pasi nuk kishte marrë ftesë,është i vërtetë sa edhe pretendimi i Bamir Topit se nuk kishte marrë ftesë nga ambasada e Kosovës”, deklaroi deputetja demokrate.

(aq/shqiptarja.com)