TIRANË - Partia per Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) i kërkoi sot Ministrisë së Arsimit që të kërkojë nga pala greke mësimin në shqip të të gjithë emigrantëve, arvanitasve dhe çamëve të padëbuar, në zbatim të parimit të reciprocitetit.

PDIU reagoi sot pas marrëveshjes së arritur një ditë më parë mes ministrit të Arsimit të Greqisë, Andreas Loverdos dhe ministres Lindita Nikolla, për ngritjen e një komisioni të përbashkët me ekspertë shqiptarë dhe grekë për të diskutuar mbi tekstet e Historisë dhe Gjeografisë, por dhe mbi zbatimin e të drejtave për minoritetet në të dy vendet.
Në deklaratën e sotme, PDIU i bën thirrje Ministrisë së Arsimit të kërkojë publikisht përfshirjen e historisë dhe gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë në tekstet shkollore greke, si një e vërtetë historike e pamohueshme./ATSH/