Militantët e PD kanë sulmuar pasditen e sotme KZAZ nr.3 në Shkodër duke thyer xhamat e saj dhe më pas i kanë vënë flakën me benzinë. Siç raporton gazetari i Report tv Ergys Kavaja, flakët kanë përfshirë katin e parë të kësaj godine duke djegur dy klasa. Përplasjet kanë vijuar për disa momente dhe është dashur ndërhyrja e policisë dhe forcave zjarrfikëse për të neutralizuar situatën e tensionuar.

Tensione janë shënuar edhe në Tropojë ku punonjës të bashkisë, që drejtohet nga i zgjedhuri i PD-së, Besnik Dushaj paraditen e sotme kanë shqyer derën e muzeut të qytetit duke marrë materialet zgjedhore, të cilat më pas i hodhën në rrugë.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi po bën gjithçka për të zbatuar dekretin e presidentit Ilir Meta që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, edhe pse ky vendim u konsiderua nul nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili nga ana tjetër po vijon përgatitjet për procesin zgjedhor.

Pikërisht në këtë pikë, është krijuar një situatë e paprecedentë. Bashkia e Shkodrës e drejtuar nga Voltana Ademi e zgjedhur nga Partia Demokratike po pengon procesin, duke bllokuar një nga 8 KZAZ-të që ky qark ka. Bëhet fjalë për KZAZ numër 2, që është në Pallatin e Sportit "Vllaznia".

Ademi ka nxjerrë në terren efektivë të Policisë Bashkiake të cilët mëngjesin e sotëm, nuk kanë lejuar të futen në ambientet e Pallatit të Sportit anëtarët e KZAZ. Në mbrojtje të tyre, me kërkesë nga vetë KZAZ-ja, ka shkuar Policia e Shtetit, ku janë shënuar debate dhe tensione, por deri më tani anëtarët nuk kanë mundur të futen në KZAZ.

Edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu ka nxjerrë në terren zëvendësin e tij, dhe Policinë Bashkiake për të kërkuar lirimin e ambienteve në varësi të bashkisë, që po shërbejnë si KZAZ për administrimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit.

Të gjitha bashkitë që drejtohen nga përfaqësues të opozitës jo parlamentare (PD -LSI) kanë kërkuar që të lirohen KZAZ-të pas dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.Këto bashki kanë deklaruar se nëse nuk do të lirohen ambientet që janë në menaxhim të bashkisë dhe po përdoren për KZAZ, atëherë do të ndërhyjë policia bashkiake.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:41
Bardhi flet pas incidentit në KZAZ-në e Shkodrës: Fjala e presidentit duhet të ishte ligj

Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia tha pas incidentit të ndodhur në KZAZ nr.13 në Shkodër se qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme përballë një qeveria e cila sipas tij është kapur në flagrancë duke vjedhur votën.

"Votime pa zgjedhje i bëjnë pikërisht këta persona që janë zënë në flagrancë duke vjedhur e duke blerë me paratë e drogës, votat e qytetarëve. Kupola e Edi Ramës është zënë në flagrancë duke vjedhur votën e qytetarëve shqiptarë. Kjo mazhorancë është e paligjshme dhe duhet të përballet me drejtësinë. Në ditët e e ardhshme qytetarët do mbrojnë më çdo kusht votën lirë dhe nuk do ketë shans askush t'u implikohet me urdhër politik. Në një situatë papërgjegjshmërie totale, ku qeveria dhe mazhoranca është faktuar si ilegjitime, ku parlamenti është kthyer në një teatër nuk është çudi edhe sjella e paprecedentë e KQZ. Në një shtet ligjor dekreti i presidentit duhet të ishte ligj. Ministri Lleshaj është pjesë e kësaj strukture kriminale për të vënë në funksion dhe shërbim të këtyre grupeve kriminale shtetin. kjo betejë bëhet nga qytetarë të ndershëm të këtij vend. Banda është zënë në vjedhje, blerje dhe shitblerje në bashkëpunim të ngushtë me grupet kriminale. nuk ka rrugë tjetër veçse Edi Rama të largohet pasi janë zënë të përfshirë në vjedhje të votës", tha Spahia.

Ora 20:59
Sulmuan KZAZ-në në Tropojë, policia shoqëron 13 persona

1560853154_tropoje.jpg

Pas përplasjeve të ndodhura ditën e sotme në Tropojë, policia ka shoqëruar 13 persona. Të arrestuarit janë pjesë e administratës, mes tyre punonjës të Bashkisë së Tropojës. Ata dyshohen se janë përfshirë në sulmin e ndodhur mëngjesin e sotëm në KZAZ nr.9 duke hequr që aty me forcë materialet zgjedhore.

Ora 20:39
Shkodër/ Militantët e PD i vënë flakën me benzinë KZAZ-së nr. 3

Pas përplasjeve të ndodhura në KZAZ nr. 3 në Shkodër, në shkollën 'Shejnaze Juka', militantët e PD  i kanë vënë flakën godinës duke përdorur benzinë. Bashkë me ta ka qenë edhe ish-deputeti Bardh Spahia. Ata janë konfrontuar me punonjësit e policisë dhe zjarrfikëset duke mos lejuar edhe ndëryrjen e tyre.

Ora 16:23
Edhe Xhelal Mziu tenton të bllokojë zgjedhjet në Kamëz: Zbatoj dekretin e të parit të vendit (VIDEO)

Edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu ka nxjerrë në terren zëvendësin e tij, dhe Policinë Bashkiake për të kërkuar lirimin e ambienteve në varësi të bashkisë, që po shërbejnë si KZAZ për administrimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit.

Xhelal Mziu ka shpërndarë në facebook video nga momenti kur policia bashkiake dhe zëvendëkryetari i Bashkisë, i kërkojnë policisë së rendit që të largohet nga KZAZ 27 dhe 28. Ata i kanë treguar policisë së Rendit se zbatojnë dekretin e të parit të vendit, siç shprehen për presidentit Ilir Meta.

"Në Kamëz nuk ka zgjedhje më 30 qershor 2019", shkruan Mziu teksa shpërndan video nga këto momente.

Debatet

Punonjës të Policisë Bashkiake - policëve të rendit: Ne vimë me shkresa zyrtare, ti më thua nuk kam nevojë të të japë shkresë. Më jep një shkresë, ju po na dilni 30-40 vetë si garipa po na thoni largohuni. Ju jeni zbatues. Unë jam inspektor i policisë bashkiake të lutem më jep një shkresë.

Zv.kryetari i Bashkisë së Kamzës: Unë po zbatoj një ligj që ka dalë në fletore zyrtare nga i pari i shtetit. Nuk të kam ardhur si cub i Mirditës por si zyrtar. Unë kam ardhur të zbatoj dekretin e të parit të shtetit. Ligjin e kujt po zbaton?

Efektivi i Rendit: Unë po zbatoj ligjin e Policisë së Shtetit.

Zv.kryetari i Bashkisë së Kamzës: Ti dhe zoti Lleshi duhet të arrestoni presidentit në mënyrë që të bie ligji poshtë

Efektivi i Rendit: Unë jam shumë i informuar

Zv.kryetari i Bashkisë së Kamzës: Je i informuar në mënyrë partiake

Përfaqësues i Bashkisë: Nuk është KZAZ mbi vendimin e presidentit. I kemi çuar shkresë KZAZ për lirimin e ambienteve. Vetëm gjykata Kushtetuese e diskuton dekretin e presidentit.

Ora 16:07
Bashkia e Vaut të Dejës ultimatum KQZ-së: Lironi ambientet e KZAZ-ve brenda ditës së nesërme!

Kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila i drejtohet KQZ me një ultimatum se duhet të heqë materialet zgjedhore nga KZAZ nr. 6 e cila ndodhet në ambientet e shkollës profesionale 'Ndre Mjeda' para orës 16:00 të ditës së nesërme.

Ai urdhëron ndërprerjen e veprimtarisë zgjedhore në këtë zonë dhe heqjen listës së zgjedhësve të afishuara në qendrat e votimit. Ndërsa përmes një kërkese drejtuar Komisariatit të Vaut të Dejës ai kërkon që të mbështesë zbatimin e këtij urdhri.

Ora 15:50
Shkodër/ Voltana Ademi kërkesë shkollave: Mos lejoni vendosjen e materialeve zgjedhore

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi i është drejtuar shkollave në njësinë administrative të Shkodrës një kërkesë ku i thotë se duhet ndaluar përdorimi i tyre si KZAZ apo qendra votimi për procesin zgjedhor. Ajo i drejtohet atyre me një paralajmërim duke i kujtuar se kanë për detyrë administrimin e procesit arsimor në këto ambiente, dhe jo të objektit.

Ademi thotë përmes shkresës se shkollat janë prona në pronësi dhe nën administrim të Bashkisë së Shkodrës dhe nuk mund të merren në dorë nga persona të paautorizuar.

Report Tv mëson se 3 prej shkollave në këtë njësi administrative janë KZAZ, konkretisht shkolla e Mesme 'Shjenaze Juka', shkolla 9-vjecare 'Azem Hajdari', dhe shkolla e mesme profesionale 'Arben Broci', ndërsa pjesa tjetër janë qendra votimi.

Ora 15:05
Bllokimi i KZAZ nga bashkitë e PD-LSI, Meta: Do mbaj shënim ata që ju provokojnë...sulm të hapur ndërkombëtarëve

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për herë të parë pas situatave të tensionuara dhe sulmeve të organizuara nga kryebashkiakë të PD-së dhe LSI-së në disa KZAZ. Meta i vlerëson të gjtiha këto bashki që sipas tij po zbatojnë ligjin, pas dekretit të tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Përmes një reagimi nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, thuhet se Meta po mban shënim të gjtihë personat që shkelin ligjin dhe provojnë tensione artificiale.

Me këtë, Meta i referohet Policisë së Shtetit, e cila pas thirrjeve të KZAZ-ve, ka dalë në mbrojtje të tyre për të garantuar sigurinë e materialeve zgjedhore.

Nga ana tjetër, në reagimin e parë për këtë situatë të krijuar disa ditë më parë kur kryebashkiakët e PD-së dhe LSI-së vunë në lojë skenarin për bllokimin e KZAZ-ve, Meta sulmon edhe ndërkombëtarët. Thotë se kjo situatë u shërben grupimeve të errëta të huaja që kërkojnë destabilitet dhe të defaktorizojnë rolin e Shqipërisë në Rajon.

"Presidenti Meta vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë. Presidenti mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale, të cilat u shërbejnë vetëm atyre grupimeve të errëta vendase dhe të huaja, që kërkojnë destabilitet në Shqipëri dhe rajon, me qëllim defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve"

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi

Disa ditë më parë kryebashkiakët e PD-së dhe LSI-së i bënë kërkesë KQZ-së që të lirojë ambientet në administrim të këtyre bashkive të vëna në shërbim të KZAZ-ve, Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor. Kjo kërkesë është refuzuar nga KQZ me argumentin se zbaton vetëm dekretin e presidentit Meta që ka caktuar datën 30 qershor për garën elektorale për zgjedhjen e kryebashkiakëve të rinj. Ndërkohë që nga KQZ, institucioni më i rëndësishëm i administrimit të zgjedhjeve, dekreti i dytë i anulimit pa afat të zgjedhjeve u shpërfill dhe pas një rezolute të Kuvendit, u quajt inekzistent.

Sot në Shkodër Voltana Ademi nxorri policët bashkiakë të pengojnë futjen e komisionerëve në ambientet e KZAZ numër 2 që ndodhet në Pallatin e Sportit 'Vllaznia', ndërsa edhe më keq akoma ishte situata në Tropojë në KZAZ numër 9 tek muzeu, punonjës të bashkisë dhe militantë mësunë brenda KZAZ-së dhe shkatërruan materialet, vendvotimin, mjetet e votimit te fshehtë që instalohen brenda KZAZ.

Mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta pas firmosjes antikushtetuese të dekretit për anulimin e zgjedhjeve.

Ora 14:03
KQZ: Do të çojmë para drejtësisë kryebashkiakët që po pengojnë procesin zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes zëdhënëses Drilona Hoxhaj, njoftoi sot, se do të çojë para drejtësisë të gjithë kryebashkiakët që po tentojnë të bllokojnë procesin zgjedhor. Në një deklaratë për mediat, Hoxhaj tha se KQZ do t'i drejtohet organeve kompetente për të garantuar zbatimin e ligjit, duke cituar tre veprat penale për të cilat do të padisë kryebashkiakët dhe personat në cenimin e një procesi të qetë zgjedhor në KZAZ (Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve)..

"KQZ do t’i drejtohet organeve kompetente për të garantuar zbatimin e ligjit. Ju kujtojmë se, veprime të tilla përbëjnë vepër penale sipas nenit 248 “Shpërdorim i detyrës”, nenit 325 “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe nenit 326/a “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Penalizimi për këto vepra, është edhe shkak për moszgjedhje/mosemërim në funksionet publike, sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” (dekriminalizimi)", tha Hoxhaj.

Hoxhaj i bëri edhe një herë thirrje bashkive të drejtuara nga PD dhe LSI që të reflektojnë dhe të shmangin pengimin e procesit zgjedhor.

"Disa kryetar bashkie i janë drejtuar KZAZ ku kanë kërkuar lirimin si dhe ndërprerjen e afishimit të listave të zgjedhjeve në shkolla, në administrim të bashkive. KQZ vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave për vetëqeverisjen vendore. KQZ ripërsërit kërkesën për reflektim dhe për të shmangur pengimin e procesit zgjedhor, cenojnë kompetencën e KQZ, KZAZ, në ushtrimin e funksioneve administrative publike të parashikuara në kodin zgjedhor", tha Hoxhaj.

Nga ana tjetër ajo tha se me shkresë të Kuvendit, KQZ do të vijojë punën për administrimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor, dhe siç rezoluta e miratuar nga 100 deputetë thotë - dekreti i presidentit për anulimin e tyre duhet të konsiderohet inekzistent.

"Kuvendi i Shqipërisë përmes Rezolutës, datë 10.06.2018:

- ka shprehur mbështetjen për qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor duke inkurajuar KQZ të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore, të datës 30 qershor 2019, në zbatim të dekretit të Presidentit nr. 10 928, datë 5.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”;

- i bën thirrje të gjitha organeve publike, që ngarkon ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendorë të datës 30 qershor 2019, të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit, datë 10.06.2019, për shfuqizimin e Dekretit nr. 10928, datë 5.11.2019, dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor".

Pas deklaratës së zëdhënës se KQZ-së, kryetari Klement Zguri në një reagim tha se distancohet nga ky qëndrim. "Deklarata është qëndrim i katër anëtarëve të Komisionit, nuk është qëndrimi im"

Ora 12:11
Nga shfaqja e cirkut tek marrja e çelësave...Çfarë ndodhi ditë më parë në Shkodër/ Voltana Ademi 'kyç' KZAZ nr.2

Shqiptarja.com mëson ekskluzivisht, se rreth 4 ditë më parë, në ambientet e Pallatit të Sportit Vllaznia në Shkodër, është mbajtur një shfaqje cirku, ku e pranishme ka qenë edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Mësohet se pas shfaqjes, në dalje, kryebashkiakja i ka marrë rojës çelësat e derës kryesores të Pallatit të Sportit. Një ambient brenda Pallatit të Sportit, është njëherazi KZAZ numër 2, brenda së cilës janë materialet zgjedhore për ditën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Por bashkitë e djathta, edhe e Shkodrës, kanë dalë hapur kundër kësaj dat duke thënë se në zbatim të dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, do të bëjnë gjithçka që ambientet që janë në administrim të bashkive, siç është Pallati i Sportit në Shkodër, të mos përdoren si seli të KZAZ-ve. Voltana Ademi doli sot në deklaratë ku tha se ka nxjerrë policinë bashkiake në KZAZ numër 2 për të mos lejuar të futen anëtarët. Në deklaratën për mediat, Ademi foli se disa persona kanë hyrë me forcë në ambientet e KZAZ-së. Në fakt, Shqiptarja.com u interesua, dhe mësoi se forca është përdorur pikërisht për këtë arsye: Pasi kryebashkiakja ka marrë çelësin dhe dera kryesore ka qenë ë mbyllur. Burime nga Policia thanë se dera kryesore është hapur me forcë prej tyre, por është kuptuar më tej, se kryetarja e Bashkisë ka mbyllur edhe derën e dhomës që shërben si seli e KZAZ-së.

Në mbështetje të anëtarëve të KZAZ-së që duhet të garantojnë procesin zgjedhor me mbledhje të vazhdueshme për të pasur gati të gjitha materialet zgjedhore, është Policia e Shtetit. Burime nga Policia thanë se në të gjitha KZAZ-të e qarkut të Shkodrës dhe në gjithë Shqipërinë, ka efektivë të rendit, në përgjigje të thirrjes së KZAZ-ve për të mbrojtur materialet zgjedhore. Të njëjtat burime thanë për Shqiptarja.com se në qarkun e Shkodrës probleme po hasen vetëm në KZAZ numër 2 tek Pallati i Sportit, pasi në 7 KZAZ e tjera të qarkut, situata është normale dhe anëtarët janë futur në to.

Kryetarja e Bashkisë ka urdhëruar policinë Bashkiake që në KZAZ numër 2 të mos lejojë të futen askënd.

Mësohet se aktiviteti i Pallatit të Sportit nuk ndërpritet dhe se KZAZ numër 2 është një dhomë e veçantë brenda këtyre ambienteve. Pallati i Sportit mbyllet i gjithi në ditën e zgjdhjeve dhe kur kthehet në qendër numërimi votash, që do të thotë se prona e bashkisë nuk cenohet në asnjë moment. Por siç ajo e tha në deklaratë, edhe nëse zhvendosen në ambient tjetër,m vetë Voltana Ademi do jetë në ballë të qytetarëve shkodranë për ta penguar një proces zgjedhor, siç ajo e quan - farsë!

Ora 12:05
Pas Tropojës dhe Shkodrës, demokratët në Lezhë ultimatum: Hiqni KZAZ-në deri në 16:00

1560852392_1558468241franfrrokaj.jpg
E ndërsa në bashkinë Tropojë KZAZ-ja u sulmua nga punonjësit e bashkisë që drejtohet nga PD-ja dhe militantët dhe në Shkodër vijojnë tensionet, duket se e njëjta gjë do të ndodhë pasdite në Lezhë, që mund të vijojë më pas në të gjitha bashkitë e drejtuara nga opozita.

Bashkia Lezhë përmes një letre drejtuar KZAZ-ve 12 dhe 13 në këtë bashki i vendos ultimatum duke i kërkuar lirimin vullnetarisht të ambienteve të shkollës 'Besëlidhja'.

Nëse nuk do largohen deri në orën 16:00 të ditës së sotme, kryetari i bashkisë Lezhë Fran Frrokaj kërcënon se do të ndërhyhet. Ai bën thirrje edhe për heqjen e afishimit të listave të zgjedhësve. Gjithashtu Frrokaj i ka dërguar një shkresë policisë së shtetit ku i kërkon ndihmë për lirimin e ambienteve.

Ora 11:17
Bashkia Tropojë dhe demokratët sulmojnë KZAZ-në, shkatërrojnë materialet zgjedhore (VIDEO-FOTO)

Sulmohet KZAZ-ja nr. 9 në Tropojë. Punonjësit e bashkisë së Tropojës, që drejtohet nga përfaqësuesi i PD-së, Besnik Dushaj dhe militantët kanë shqyer derën e KZAZ-së që është vendosur te muzeu i qytetit, ndërsa më pas kanë marrë materialet zgjedhore, vendvotimet duke i hedhur në rrugë duke i shkatërruar plotësisht. Report Tv sjell pamjet e momentit kur punonjësit dhe militantët shqyejnë derën me forcë dhe thyejnë dritaret.

Nën thirrjet 'Rama ik' dhe 'e duam Shqipërinë si gjithë Europa' ata pushtuan KZAZ-në, ndërsa policia e rendit që ishte e pranishme nuk ndërhyri.  Edhe në Tropojë ka qenë e njëjta situatë si në Shkodër, ku policia bashkiake ishte në krah të punonjësve bashkiakë të drejtuar nga i zgjedhuri i PD-së, që kërkonin zbatimin e dekretit të Presidentit duke mos e njohur KQZ-në, ndërsa policia e rendit në mbrojtje të anëtarëve të KZAZ-së, por nuk ndëhyri duke shmangur incidentet. 

Ora 10:43
Voltana Ademi nxjerr 'zbuluar' planin për të penguar zgjedhjet (VIDEO)

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi mbajti një konferencë për mediat ku tha se do të bëjë gjithçka që të mos lejojë që ambjentet që janë në administrim të Bashkisë, siç është Pallati i Sportit, të mos përdoren si KZAZ, pasi siç tha ajo zbaton vetëm dekretin e Presidentit Ilir Meta, që e ka anuluar 30 qershorin si datë zgjedhjesh.

E pyetur nga gazetarët, nëse KZAZ-të do të zhvendosen në një tjetër ambient që nuk është në administrim të Bashkisë, ajo sërish tha se do të bëjë gjithçka që Shkodra të mos kalojë në një proces farsë ligjor. Pra teksa tha se këtë "betejë" po e bën për të ruajtur ambientet që janë në administrim të Bashkisë së Shkodrës, Ademi nxorri veten zbuluar se në fakt e gjitha është vetëm për të penguar procesin zgjedhor, edhe nëse KZAZ-të do të zhvendosen në ambjente që nuk i takojnë Bashkisë.

"Dje në mëngjes i dërguam letër policisë së shtetit ku i kërkuam mbështetjen për lirimin e ambienteve të ish-KZAZ kudo ku janë dhe kemi informuar që do ta kërkojmë këtë mbështetje në momentin e duhur. E kemi vënë në dijeni policinë. I kam çuar letër tjetër, policisë dhe prefektit, duke kërkuar zbatimin e ligjit. fakti që kemi të njëjtën sjellje të jashtëligjshme edhe sot. Bëj këtë deklaratë sepse publikisht gjërat duhet të bëhen të vërteta. policia e shtetit nuk duhet të guxojë të veprojë jashtë ligjit. Do veprojmë për lirimin e të gjitha KZAZ. Si Kryetare e Bashkisë së Shkodrës kam detyrimin ligjor të bëj gjithçka për kontrollin e territorit të Bashksië, duke mos lejuar asnjë puç institucional të bandave të Edi Ramës, që drejtojnë Policinë, Prefekturën dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Qytetarët do bëjnë gjithçka për të mos lejuar farsë...jam e gatshme të udhëheq të gjithë qytetarët për të mbrojtur qytetin e vet. Policia duhet të veprojë sipas ligjit, përndryshe do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për tu përballur me gjithçka është e jashtëligjshme qofshin edhe Policë të Shtetit", tha Ademi.

Ora 09:15
PD-ja bllokon sërish KZAZ në Shkodër, dekreti i Metës përplas Rendin me Bashkiaken (VIDEO)

Ashtu si ditën e djeshme edhe sot militantët e Partisë Demokratike nuk kanë lejuar hapjen e derës së KZAZ nr. 2 në kryeqendrën e veriut. Në momentin që anëtarët kanë shkuar te Pallati i Sportit ku është vendosur KZAZ-ja, militantët e opozitës të mbështetur nga policia bashkiake e Shkodrës i kanë bllokuar.

Ne këtë moment ka ndërhyrë policia e rendit për t'u ardhur në ndihmë anëtarëve të KZAZ-s, teksa nuk kanë munguar debatet, tensionet dhe shtyrjet mes efektivëve.

"Turp, nuk preket polici i bashkisë, është uniformë e shtetit shqiptar, nuk ia kam dhënë unë, me kap policin me dorë është e turpshme, fakti që policia e shtetit është e armatosur është e turpshme. Nëse dikush ka marrë përsipër me pushtuar institucionin e bashkisë Shkodër me armë le ti dalë zot. Unë e kam detyrim ligjor se ma ka dhënë ligji. Nëse shkel ligjin merrni më çoni brena mua"  akuzoi drejtori i policisë bashkiake Shkodër, Anton Hasanpapaj.