PD-ja me primare si Republikanët amerikanë?

PD-ja me primare si Republikanët amerikanë?

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Në Foltoret e tij, Berisha ka hedhur idenë që përzgjedhja e të gjithë kandidatëve të PD-së, nga kandidati për kryeministër deri tek kandidatët për këshilltarë bashkiakë të zgjidhen nga elektorati i partisë, me zgjedhje primare si ato që zhvillojnë Republikanët amerikanë. Ide e mrekullueshme! Por a është e realizueshme?

Meqë unë kam votuar në zgjedhje primare në SHBA, po përcjell përvojën time të votimit në primare, për ta bërë sa më të thjeshtë përgjigjen e kësaj pyetje.

Çdo shtetas amerikan 18 vjeç e sipër ka të drejtë të votojë, por që ta ushtrojë këtë të drejtë, duhet të regjistrohet si votues në shtetin ku banon. Kur u regjistrova si votues në Virginia (shtetin ku banoja), kisha mundësi të regjistrohesha si Republikan, Demokrat, Tjetër, ose i pavarur. Ditën që zhvillohen zgjedhjet primare në Virginia, në qoftë se je regjistruar si Republikan, nuk mund të votosh për garat në Partinë Demokrate apo në ndonjë parti tjetër. Por në qoftë se je regjistruar si i pavarur, mund të votosh për garat brenda njërës prej partie, sipas dëshirës (Çdo shtet i SHBA-së ka rregulla të ndryshme votimi, por shumica dërrmuese i ka si Virginia).

Kur unë shkova të votoj për herë të parë në zgjedhje primare, në shkollën ku ishte qendra e votimit, në të njëtin ambient ishin 3 makina elektronike votimi (nga një për secilën parti qëzhvillonte gara primare). Meqë unë isha i regjistruar si i pavarur, më pyetën se për garat e cilës parti doja të votoja dhe më treguan se në cilën makinë elektronike duhej të kryeja votimin. Ata që ishin të regjistruar si Republikanë, Demokratë apo Libertarianë i drejtonin menjëherë në makinat elektronike përkatëse. Dhe në fund të ditës mësuam rezultatet e zgjedhjeve primare në Virginia në secilën parti…

Kthehemi tani në Shqipëri. Në qoftë se vetëm PD-ja zhvillon përzgjedhje primare të kandidatëve, si do të merret vesh që ata që vijnë të votojnë janë vërtet nga elektorati 650-mijësh i PD-AN? Ndonjë kandidat mund të sjellë përkrahës të tij, që ndoshta s’kanë votuar ndonjëherë për PD-në. Ose PS-ja mund të organizojë një diversion të fshehtë për të dërguar votuesit e saj në mbështetje të kandidatëve më të dobët demokratë.

Në qoftë se zgjedhjet primare nuk sanksionohen nëKodin Elektoral, për t’u zhvilluar në të njëjtën ditë për të gjitha partitë, dhe në qoftë se votuesit nuk regjistrohen në avancë se në cilat primare duan të votojnë, nuk ka gjasa që ndonjë parti të zhvillojë zgjedhje primare të pakontestuara. Dhe zgjedhjet e kontestuara brenda një partie e përçajnë atë…

Sanksionimi i zgjedhjeve primare në Kodin Elektoral dhe regjistrimi në avancë i atyre që duan të votojnë në to nuk garanton moskontestime, por i ul ndjeshëm gjasat e kontestimit. Sidoqoftë, një ndryshim i tillë dramatik në Kodin Elektoral do patjetër konsensusin e PS-së. Po a ia jep Rama Berishës një konsensus të tillë???

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim