PE fton Malin e Zi të tejkalojë tensionet politike dhe të përparojë drejt BE-së

PE fton Malin e Zi të tejkalojë tensionet politike dhe të përparojë drejt BE-së

Parlamenti Evropian ftoi Malin e Zi që të tejkalojë ndasitë politike dhe të përparojë në procesin e integrimeve evropiane, duke theksuar se kriza aktuale politike ia ka humbur një vit të tërë këtij shteti kandidat për Bashkimin Evropian.

Kjo është përfshirë në rezolutën për Malin e Zi që u votua më 18 tetor në PE. Ajo u hartua nga raportuesi për Malin e Zi në PE, Tonino Piculla, socialdemokrat nga Kroacia.

Gjatë debatit për rezolutën, shumë eurodeputetë shprehën shqetësime për përpjekjet për ndikim nga Rusia në Mal të Zi si dhe përshëndetën vazhdimin e përshtatjes së plotë të Podgoricës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Deputetët në PE kërkuan që cilado qeveri që do të formohet në Mal të Zi të mbajë kursin drejt BE-së.

Mali i Zi ka mbështetur të gjitha sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe PE-ja kërkoi që kjo të vazhdojë, pavarësisht se në Mal të Zi ka forca politike që kanë qëndrime pro-ruse.

Po ashtu, në rezolutë është përmendur edhe shqetësimi për ndërhyrje nga Kina dhe Serbia në çështjet e brendshme të Malit të Zi.

Deputetët e Parlamentit Evropian përmes këtij raporti kanë kërkuar që Mali i Zi të përshpejtojë procesin e reformave, sidomos ato që janë të nevojshme për procesin e integrimeve në BE, siç janë reformat në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Mali i Zi vazhdon të jetë vendi më i avancuar kandidat në procesin e anëtarësimit në BE në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Podgorica ka hapur të gjithë kapitujt negociues në këtë proces dhe deri më tani i ka mbyllur tre kapituj. Por, për vite të tëra nuk ka mbyllur kapituj negociues.

Procesi ka ngecur për shkak të krizave të vazhdueshme politike në shtet. Mali i Zi ka mbajtur të parakohshme parlamentare më 11 qershor. Lëvizja Evropa Tani fitoi më së shumti vota, përkatësisht 26 për qind.

Qeveria e re pritet të formohet nga Millojko Spajiq, do të jetë e treta që nga largimi i Partisë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviçit nga pushteti, në gusht të vitit 2020.

Qeveria e parë e Zdravko Krivokapiçit, e formuar nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe, zgjati 14 muaj. Qeveria e dytë, në krye me Dritan Abazoviçin, u përball pas tre muajsh me votë mosbesimi dhe deri më sot ajo funksionon me mandat teknik./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë