Parlamenti Evropian i ka kërkuar Serbisë që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, si kusht për rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, PE vë në dukje se Beogradi duhet të tregojë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE, përmes sundimit të ligjit dhe forcimit të demokracisë.

“Serbia duhet të tregojë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian. Përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është i mundur vetëm përmes reformave në sundimin e ligjit dhe forcimit të standardeve demokratike. Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën”, shkruhet në postimin në faqen zyrtare të PE.

Po ashtu në postim nënvizohet rëndësia e zgjedhjeve të ndershme në Serbi, për zgjidhjen e krizës politike që ka mbërthyer vendin prej kohësh.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të nevojshme për zgjidhjen e krizës politike”, theksohet në postim.