Rreth 100 pedagogë të Universitetit të Tiranës kanë protestuar sërish sot për vonesën e dhënies së pagës, ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë dhe vonesës së akteve nënligjore që bën të zbatueshme reformën  në arsim. 

“Një ligj nuk është si piramidat e Egjiptit që ndërtohen dhe nuk shemben më, edhe piramidat gërryhen nga koha. Kështu që një ligj në qoftë se nuk funksionon mund të ndryshohet”, tha Mark Marku.

“Shohim që Bordi i Administrimit dhe administratori sillen si opozitë me rektorët dhe pjesën tjetër të trupës akademike me një lloj arrogance që nuk ka qenë e zakontë në Universitetin e Tiranës. Fakti i cili është dhe maja e ajsbergut që ishte mosdhënia e rrogave të pedagogëve që vetëm kur kolegët e bënë publik shqetësimin, atëherë pas 10 ditësh erdhi një reagim i turpshëm. Jam i mendimit t’i kërkojmë dorëheqjen anëtarëve të Bordit të Administrimit që të hapet një epokë e re”, propozoi pedagogu Agron Gjermarkaj.

“Qeveria nuk na mbulon neve pagat e plota të 12 muajve, ka 3-4 vjet që ne 3 muaj të pagave ua marrim studentëve, kjo është shkelje me të dyja këmbët e ligjit” , tha pedagogu Fabian Topallaj.

Ata shprehen gjithashtu se nëse nuk merren parasysh brenda 10 ditëve kërkesat e tyre, situata do të degradojë në grevë. “Në qoftë se institucionet e zgjedhura, atëherë ne do u përgjigjemi me greve se nuk ka rrugë tjetër”, deklaruan pedagogët.

Ndërkohë, forumi për liritë akademikë zgjodhi 12 pedagogë të cilët do të jenë përfaqësues në përballjen me ministren e Arsimit, nëse e fundit do t’i mirëpresë. Pas takimit ka reaguar edhe ministria e arsimit, duke theksuar se “pagat e personelit akademik do të jenë në llogaritë e tyre bankare brenda ditës së sotme”. Por gjatë takimit, pedagogët ranë dakord se nuk do të pranojnë rrogat nëse mundësohen prej studentëve.

“Refuzojmë në qoftë se na jepen prej studentëve”, thonë njëzëri pedagogët.

Megjithatë gjatë takimit, pati edhe përplasje mes pedagogëve, ku kërkuan që pedagogët përfaqësues të mos ishin njëkohësisht edhe përfaqësues të një partie politike.

Sa i përket ndryshimeve në ligjin e arsimit të lartë, Ministria e Arsimit në deklaratën e saj shpërndarë për mediat, theksoi se ligji i ri synon që të rrisë autonominë e universiteteve, ndërsa thekson se do të nis puna për bërjen e akteve nënligjore.

d.b/shqiptarja.com