Edi Rama ka zgjedhur ironinë për t'iu përgjigjur atyre që, në vend të ftesës së tij për dialog, kanë zgjedhur të përmbysin e të shkatërrojnë karriget përpara Kryeministrisë.
“Pedagogët” erdhën sot përsëri…”, shkruan kryeministri në Facebook, duke e vendosur fjalën “pedagogët” në thonjëza, një thumb i drejtpërdrejtë për grupin e pedagogëve që të mbështetur nga familja Berisha është bashkuar protestës dhe kërkon dorëheqjen e tij. Kontrasti i vënë në pah nga Rama është i qartë. Ata që duhet t’u mësojnë studentëve forcën e argumentit, shfaqen në një protestë ku karriget e dialogut shkërmoqen në trotuar.
"“Dje, dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot, dialogu është këtu përsëri” thotë Rama në videon e tij ku shfaqet jo vetëm momenti kur ai nxjerr karriget por edhe shkatërrimi i tyre nga protestuesit.
Një thumbim që merr edhe më shumë kuptim nga prania e familjarëve të Berishës në këtë grupim, të cilin mazhoranca e akuzon se po e përdor emrin e pedagogëve për betejën politike kundër qeverisë.
Prej dy ditësh, kryeministri ka vendosur përpara Kryeministrisë karrige me mbishkrimin “Dialog”, duke ftuar studentët dhe protestuesit të ulen për të biseduar. Por ftesa është refuzuar nga një pjesë e tyre, të cilët këmbëngulin se nuk duan dialog, por largimin e Ramës.
Të njëjtën kërkesë e kanë mbështetur edhe rreth 1300 pedagogë, nga afro 10 mijë në vend, të cilët janë mbështetur jo vetëm nga Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi por edhe nga vetë Berisha.







Komente
Komento