“Pedalo për jetën” ishte mesazhi që të rinjtë përcollën për të sensibilizuar për kancerin e gjirit, aktivitet i organizuar nga  Europa Donna Albania.  Gazetarë e studentë dhanë mesazhin se të bësh një jetë aktive ndihmon në reduktimin e kancerit të gjirit.

Për të parandaluar kancerin e gjirit një rol të rëndësishëm luan  sistemi imunitar, që zë një vend po kaq të rëndësishëm tek kërkimet shkencore.
Stili i jetës dhe faktorët e lidhur me stresin përbëjnë një rëndësi në rritje sa i përket riskut për t`u prekur nga kanceri i gjirit. Për një shëndet të mirë duhet bërë aktivitet fizik i rregullt, sepse ndihmon duke ulur mundësinë e prekjes nga tumoret deri në 38 %.

Të rinjtë pedaluan në qendër të Tiranës duke përcjellë mesazhin se duke bërë një jetë aktive dhe praktikimi i sporteve forcon imunitetin dhe ndikon në uljen prekjes së tumoreve.
Europa Donna Albania po bën sensibilizim intensiv për gratë e sëmura me kancer edhe në muaj të tjerë dhe jo vetëm në tetor që është dhe muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën.

Donjeta Zeqa, drejtoresha e organizatës “Europa Donna Albania” u shpreh se aktiviteti fizik  është shumë i rëndësishëm për një shëndet të mirë.

“Ndonjehërë rutina e përditshme na rrëmben duke lënë pas dore kujdesin ndaj shëndetit por është shumë e rëndësishme të bëni aktivitet fizik dhe të ushqeheni shëndetshëm. Pedaloni më shumë, ofrojini më shumë mundësi vetës tuaj dhe shëndetit tuaj,” u shpreh Zeqa.

[gallery]20260[/gallery]

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)