Pekini kundërshton testimin e detyrueshëm për pasagjerët kinezë

Pekini kundërshton testimin e detyrueshëm për pasagjerët kinezë

Foto ilustruese

Kina kundërshtoi masën për të detyruar pasagjerët kinezë të testohen për COVID-19 para hyrjes në një numër vendesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, një masë që pason një valë të re të përhapjes së koronavirusit në Kinë.

Autoritetet kineze thanë se masa është vendosur pa ndonjë bazë shkencore, por vendet hedhin dyshime mbi të dhënat e Pekinit mbi pandeminë dhe transparencën rreth numrit të rasteve.

Pekini kërcënoi të ndërmarrë masa kundër vendeve që kanë vendosur kufizime për udhëtarët kinezë, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropaine.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi javën e kaluar se pasagjerët që udhëtojnë nga Kina duhet të kenë një test negativ për COVID-19, ose dëshmi se e kanë kaluar sëmundjen, para se të lejohen të hipin në aeroplan.

Një numër në rritje vendesh kanë vendosur kufizime të ngjashme për udhëtarët kinezë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha sot se Kina mund të ndërmarrë “kundërmasa bazuar në parimin e reciprocitetit”.

“Kufizimet, që disa vendeve kanë vendosur ndaj Kinës, nuk kanë bazë shkencore. Këto masa të tepruara janë të papranueshme. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të keqpërdorur masat kundër COVID-19 për qëllime politike”, tha zonja Ning, në përgjigjen më të mprehtë të Kinës deri më sot për këtë çështje.

Australia dhe Kanadaja këtë javë iu bashkuan vendeve që detyrojnë udhëtarët nga Kina të testohen për COVID-19 para se të hipin në aeroplan, ndërsa Kina po lufton me një valë të re të koronavisurit.

Ato pasojnë vendimin e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Indisë, Japonisë dhe disa vende evropiane, për forcimin e masave ndaj udhëtarëve kinezë, mes shqetësimeve për numrin real të infeksioneve dhe frikës për mundësinë e shfaqjes së varianteve të reja.

Italia ishte anëtarja e parë e Bashkimit Evropian që vendosi masën e detyrimit të testimit për koronavirus për pasagjerët e linjave ajrore që vijnë nga Kina, megjithëse disa ekspertë thonë se një masë e tillë mund të mos jetë alternativa më e mirë për të mbrojtur popullsinë lokale, pasi variantet e reja që mund të vijnë nga Kina tashmë kanë depërtuar në Evropë.

Krahas Italisë, masa të njëjta për pasagjerët kinezë kanë vendosur edhe Franca dhe Spanja.

Parisi u bëri thirrje qytetarëve francezë të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme në Kinë. Franca gjithashtu detyron mbajtjen e maskës në fluturimet nga Kina në Francë.

Qeveria e Spanjës tha se qytetarëve kinezë u duhet testi negativ ose dëshmia e vaksinimit për të udhëtuar.

Kina, vendi që kohën më të madhe të pandemisë zbatoi strategjinë “zero-COVID”, që parashihte kufizime të ashpra për ta zhdukur virusin, ndryshoi papritmas qëndrim duke i lehtësuar kufizimet në dhjetor.

Autoritetet kineze njoftuan se nga data 8 janar ata që udhëtojnë jashtë vendit nuk do të kenë më nevojë të izolohen pasi të rikthehen në Kinë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian pritet të takohen të mërkurën për të koordinuar masat ndaj Kinës./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Magjia e Krishtlindjeve, qindra njerëz shijojnë koncertin festiv në sheshin 'Skënderbej'

Magjia e Krishtlindjeve, qindra njerëz shijojnë koncertin festiv në sheshin 'Skënderbej'