/ATSH-AFP/ - Pekini po synon të promovojë një bashkëpunim në rritje me vendet e Evropës qendrore dhe lindore, gjatë samitit ekonomik që do të zhvillohet sot në Beograd, ku një prej projekteve kryesore do të jetë zhvillimi i infrastrukturës së stransportit në rajon.
Projektet që do të shqyrtohen në Beograd janë pjesë e një strategjie të ndërmarrë gjashtë vite më parë në Greqi me dhënien me koncesion, gjigantit "Cosco", të dy terminaleve në portin e Pireut, ndërkohë që 80 për qind e tregtisë së ekonomisë së dytë botërore me Kontinentin e Vjetër bëhet nëpërmjet detit.
"Ne do të propozojmë ndërtimin e një rruge të shpejtë, tokësore dhe detare duke u mbështetur në hekurudhën Budapest-Beograd dhe portin e Pireut për përmirësimin e bashkimit rajonal", deklaroi kryeministri kinez, Li Keqiang në një intervistë për shtypin lokal me rastin e samitit të tretë ekonomik të përvitshëm mes Kinës dhe 16 vendeve të Evropës qendrore dhe lindore.

Marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Budapest-Beograd për trenat me shpejtësi të lartë do të nëshkruhet gjatë samitit të Beogradit.
Kina, që disponon rezerva të konsiderueshme të valutave, interesohet veçanërisht për infrastrukturat, energjinë, bujqësinë dhe industrinë.
Rritja e investimeve, që ka qenë nën pritshmëritë e shfaqura gjatë samiteve të mëparshme, në vitin 2012 në Varshavë, ku Kina premtoi kredi prej 10 miliardë eurosh dhe në 2013 në Bukuresht, mbetet çështja kryesore e këtij samiti.
Me përjashtim Hungarisë dhe Serbisë, ku investimet kineze arrijnë në miliarda euro, në vendet e tjera të tilla si Republika çeke, Sllovakia, Sllovenia dhe vendet Balltike, kjo shumë ka qenë mjaft simbolike.

Në Poloni, investimet në vitin 2013 kanë qenë reth 300 milionë euro, në Rumani ato janë ulur duke arritur nga 114 milionë euro në vitin 2013 në 45 milionë euro në vitin 2014.
Në fund të muajit tetor, Kina akordoi një kredi prej 687 milionë eurosh për Malin e Zi për financimin e ndërtimit të një segmenti të autostradës dhe arriti me Bosnjen një marrëveshje paraprake për ndërtimin e 62 kilometrave autostradë.
Pekini ka shfaqur gjithashtu interes për portet në Adriatik, veçanërisht në Kroaci dhe në Shqipëri, por asnjë marrëveshje nuk është arritur deri tani.