Janë tronditëse shifrat e CEZ-it, është një humbje prej 43.2 përqind e energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar ose e barabartë me 200 milionë dollarë sa 70 përqind e fuqisë së kaskadës së Drinit. Ndërkohë që ne jemi në një situatë financiare që sapo ka kaluar, sapo i ka shpëtuar gropës së madhe financiare të krijuar nga qeverisja e kaluar”. Zv.kryeministri Niko Peleshi prezantoi rezultatet e punës së Task-forcës kombëtare për energjinë e ngritur një muaj më parë.
Në një konferencë për shtyp,Peleshi u shpreh se deri më tani janë bërë 146 kallëzime penale në Prokurori për shkelësit. “Është ngritur në të gjithë Shqipërinë rrjeti i njësive operacionale nën drejtimin e prefektëve të qarqeve në bashkëpunim me institucionet e rëndësishme siç është prokuroria, dhe drejtoritë rajonale të policisë në bazën e një fryme të krijuar me memorandumin e bashkëpunimit të firmosur. Puna po vijon me intensitet por ka ende shumë punë për tu bërë.
Ndër deklaratat e tjera të zëndëskryeministrit Peleshi ishin edhe ato që kishin të bënin me tolerancën zero ndaj individëve dhe bizneseve që ju shmangen detyrimeve për të paguar energjinë elektrike. “Të krijohet kultura e pagimit, kjo është sfida e rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare” theksoi zëvëndëskryeministri Peleshi. Ndërsa Task Forca do të vijojë aksionet për të bërë të mundur ndërprerjen e të gjitha lidhjeve të paligjshme në territorin e vendit.
Diskutime edhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese
Situata problematike në sistemin e shpërndarjes së energjisë, ishte në qendër të diskutimeve dhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku u shqyrtuan kandidaturat për kryetarin e Entit Rregullator të Energjisë. "Si të reformohet akoma më tepër ky sektor elektroenergjitik dhe të shpëtojë dhe nga një kolaps në të cilin ai ka rënë, ku elementët bazë dhe më të rëndësishëm është performanca e kompanisë së shpërndarjes.
Kuptohet ka nevojë në rradhë të parë për një reformë në mënyrë që të arrihen treguesit maksimalë pozitivë, pasi gjendja është relativisht shumë e keqe dhe e rënduar", tha Petrit Ahmeti, kryetar i ERE-s. Sipas kryetarit aktual të ERE-s, pritet që në gjashtëmujorin e parë të vitit të zgjidhet dhe në mënyrë përfundimtare konflikti administrativ mes shtetit dhe kompanisë CEZ, që aktualisht është në administrim shtetëror.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetët ishte dhe TEC-i i Vlorës që nuk ka funksionuar asnjëherë dhe për të cilin sipas kandidatit tjetër për kryetar të ERE-s, Gjin Rosaj kërkohet një investim shtesë prej 12 milionë eurosh për te rinovuar teknologjine qe do ta bente efektiv. Theksojmë se pas dorëheqjes së ish kryetarit Sokol Ramadani nga posti i kryetarit të bordit të ERE, qysh nga muaji tetor 2013 këtë Institucion e ka drejtuar z. Petrit Ahmeti, i cili u emërua si kryetar i bordit të ERE-es, duke u zgjedhur nga parlamenti. Natyrisht kjo ishte edhe periudha në të cilë ishte mandate i ish kryetarit të dorëhequr Sokol Ramadani.
Shkrimi u publikua sot (04.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)