Peleshi: Si hyra në politikë
dhe pse i pranoj sfidat
Investimet nga katedralja te kalldrëmet

Peleshi: Si hyra në politikë<br />dhe pse i pranoj sfidat <br />Investimet nga katedralja te kalldrëmet
KORÇE- Ndokush mund të thotë se ai është rastësisht në krye të Bashkisë së Korçës. Por jo. Për 41 vjeçarin që drejton në një mandat të dytë qytetin tradicional të zbardhur rëndshëm nga dëbora këtë dimër, gjithçka ka qenë një sfidë.
Niko Peleshi, baba i tre fëmijëve, nuk e ka asfare problem që në mesnatë të dalë rrugëve të qytetit të tij. Ai është kryetar i mbi 87 mijë banorëve që ka qyteti i Korçës, apo ndoshta me statistikë i 70 mijë rezidentëve në këtë qytet.
Madje në profilin e vet në facebook, nga mesnata e zbardhur korçare, ai hedh disa foto, për të tërhequr drejt Korçës sa më shumë vizitorë. Në këtë karrem, ramë edhe ne ga zetarët e shqiptarja.com. Zbuluam fotot dhe pamë komentet e qytetarëve për fotot e hedhura nga kryetari i tyre:
Maria: "Më ka marrë malli për Korçën, dua të vij vrap duke parë këto foto".
Genti: "Të organizojmë një simpozium me skulptura prej dëbore"? dhe Niko i përgjigjet: "fantastike do ishte, e bëjmë dot brenda këtij dimri"?
Odeta: "Niko, mendo pak më shumë për parkun Rinia, sepse është e vetmja gjë e virgjër dhe unike e qytetit. Sikur të shtrohej me pllaka si trotuaret dhe të vihej në funksion liqenka në fund të parkut, plus ndriçim. Besoj se edhe ty do të pëlqente"....
Komunikime të tilla ka pa fund, ndërsa kryebashkiaku i qytetit të traditës historike, dhe bardhësisë së këtij dimri, i qetë, nuk ngurron të rrëfejë dhe të ndajë me lexuesit tanë, mënyrën sesi erdhi deri në këtë stad të karrierës së tij, por edhe dilemat që ka për të ardhmen: A do të jetë ai, pas këtij mandati të dytë të sapofilluar, kryetar për të tretën herë i bashkisë së Korçës? Sidoqë të jetë, duket se i ka dhënë një lloj jete ndryshe korçarëve, por edhe atyre që preferojnë që Krishtlindjet dhe Vitin e Ri ta kalonin në Korçë. Ka restorante tradicionale, por edhe jetë nate. Ecja në rrugët e qytetit, apo në Parkun Rinia, të ndriçuara aq bukur, të japin përshtypjen, se tej bardhësisë, Korça të fal shumë ngrohtësi...
***
Që i ri në moshë ai merrej me biznes. Biznesi i kompjuterave. Shumë i specializuar. Andaj dhe faqja zyrtare online e bashkisë së Korçës është e kuruar me shumë kujdes. Sepse Niko, i hedh një sy edhe vetë si kryetar bashkie.
"U zgjodha kryetar i Dhomës së Tregtisë së qytetit. Në vitin 2004, Korça, si gjithë Shqipëria, vuante nga terri energjetik. U mblodhëm atëkohë gjithë bizneset. Një përfaqësi e jona shkuam te prefekti. Dhe i thamë: Nuk duam ta dimë sesi është situata në Shqipëri. Nëse deri të premten, Korça, nuk ka 24 orë drita, meqënëse i paguajmë 100 përqind faturat e energjisë, përpara zyrës suaj në prefekturë, do të keni të gjithë punëtorët e të gjitha bizneseve".
Ultimatumi i Nikos shkoi menjëherë në zyrën e kryeministrit Nano në Tiranë. Nuk është se Nano trembej nga ultimatume të tilla, por diç e tërhoqi te kurajua dhe guximi i të riut 34 vjeçar asokohe. Të premten, ditën e ultimatumit, Korça ishte 24 orë në 24 me drita. Sfida e parë, kishte rezultuar e suksesshme.
E vërtetë zoti Peleshi, flitet shumë se ju jeni një njeri i Nanos në PS...
Më kërkoi në takim, kryeministri Fatos Nano. Dhe shkëmbyem shumë ide. Ndër të tjera, më ofron postin e Prefektit të qytetit të Korçës. Nuk është se ktheva menjëherë përgjigje, por rrugës duke zbritur për në qytet po e mendoja: çfarë do të thoshte kjo, dhe cila do të ishte karriera ime politike.
Dilemat e përfshijnë 34-vjeçarin, nëse do të duhet të rrinte në profilin e tij të biznesmenit, apo do t'i hynte karrierës politike. Roli i prefektit e joshte, por çdo të bënte më pas?
"E pranova, por i kërkova Nanos që kur të bënte emërimin, publikisht të më jepte dhe teserën e Partisë Socialiste".
Por, të tjera dilema vazhduan. Të ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e 2005 apo jo?
Ecejaket Korçë-Tiranë dhe anasjelltas, filluan të bëhen të shpeshta. Për Nikon, duket se Nano i kishte thënë të vërtetën që të mos kandidonte për deputet. Në Korçë, Ben Blushi do të ishte i sigurt kandidat për deputet. Ndërsa në zonën tjetër që mbetej, Nano nuk kishte asnjë dëshirë të kandidonte Nikon. "Nuk mendoj se ti mund të jesh një kandidat rural", kujton sot Niko shprehjen që atëkohë i kishte thënë Nano. Pas takimit me Nanon ishte drejtuar drejt Korçës.
Për pak orë, vazhduan disa telefonata mes tij, Ben Blushit e Fatos Nanos. Nano ndërkohë e garantonte, se po planifikonte diçka ndryshe për njeriun që mendonte se do t'i ndryshonte pamjen qytetit. "Niko, më ke thënë se do të bësh diçka për qytetin tënd, dhe unë kam vendosur të të kandidoj në postin e kryetarit të Bashkisë në vitin 2007". Për PS, fitorja e Korçës ishte një lloj tabuje. Para 2007, vetëm tre vjet kjo bashki ishte administruar nga e majta dhe në të shumtën e viteve, konsiderohej si një bastion i djathtë, edhe për shkak të ndikimit dhe influencës që kishte në këtë qytet Ritvan Bode, një nga funksionarët më të lartë të Partisë Demokratike.
"E pranova atë që më tha Nano. Kur erdhi në Korçë, në mitingun që po bëhej për prezantimin e kandidatit për deputet Ben Blushi, Nano me mikrofon në dorë u drejtohet korçarëve: tani prezantoj përpara jush, kandidatin për bashkinë e Korçës në vitin 2007, Niko Peleshi...Nano mbajti premtimin që bëri për të më propozuar si kandidat për kryetar bashkie dhe këtë e bëri në zgjedhjet e përgjithshme të 2005, pra dy vjet para".
Epo, duket disi e çuditshme. Sepse nuk ishte më në dorën e Nanos se kush do të ishte kandidat për kryetar bashkie në vitin 2007. Kongresi i PS, nxorri një tjetër lider, pas dorëheqjes së Nanos nga humbja e zgjedhjeve të përgjithshme, Edi Ramën.
E si ju vendosi Rama si kandidat për kryetar bashkie në vitin 2007?
Po mendoj se terreni ishte bërë gati. Unë isha shpallur si kandidat. Pas zgjedhjeve të 2005, isha edhe kryetar i PS së qytetit. Kishte një dëshirë dhe bashkëpunim të dyanshëm të gjithçka të ndodhte në këtë mënyrë".
Kështu, Niko Peleshi, ishte ndër të parët drejtues që theu tabutë për Korçën, dhe fitoi pothuajse me 15% më shumë të votave ndaj rivalit të tij demokrat. Karriera po i printe të riut që kishte lënë biznesin, për të hyrë në politikë. Filloi të mendonte shumë shpejt për qytetin, projekte të reja, vënien në ruajtje sipas një vendimi të qeverisë për qendrën e qytetit, kujdesi për rrugët, shtrimi i disa bulevardeve dhe trotuareve me pllaka dhe ndriçim të kujdesshëm; rikonstruksioni i disa godinave; projekte që kishin të bënin me punësimin sezonal të studentëve më të mirë (duhet kujtuar se edhe Niko Peleshi vinte nga shkolla me një medalje ari)...Projektet dhe idetë e biznesmenit kryetar, tani po bëheshin realitet në qytetin që e kishte pasion për ta drejtuar.
Megjithatë, unë di, zoti Peleshi, se marrëdhëniet tuaja me Edi Ramën nuk kanë qenë të mira. Ka pasur ulje ngritje, madje edhe tensione...(Niko vë buzën në gaz).
"Kur Nano filloi atë turin e zemërimit, erdhi edhe në Korçë. Pata një bisedë të gjatë me Ramën. Unë i thashë arsyet se pse do e prisja Nanon në Korçë, edhe pse nuk mendoja njëlloj si ish kryetari i PS. Në fund të fundit, ai ishte një ndër njerëzit që më hapi dyert e futjes në politikë. Këtë fakt e kam bërë të qartë dhe publikisht".
Atëherë, kjo ishte përplasja e parë me kryetarin në detyrë. Pak më vonë do të vinte edhe një tjetër, fill para zgjedhjeve të 2009, kur Niko Peleshi për tre javë do të shkonte në SHBA, i përzgjedhur për një trajnim nga zyrtarët amerikanë. Por Niko, e garantoi Ramën, se nëse në qytetin e Korçës do të kishte vota minus, atëherë vetë ai, do të mbante përgjegjësinë.
"Punova shumë në elektorat, në mënyrë që Korça të dilte sa më pozitivisht në zgjedhje".
Të gjithë e kuptuan këtë gjë. Rama po ashtu e kuptoi këtë gjë. Të paktën, zyrtari i lartë i bashkisë së Korçës, tregoi një tjetër anë të karakterit të tij me ekuilibrat që ruajti ndaj dy njerëzve të pushtetshëm në PS, mes ish-liderit Fatos Nano, dhe kryetarit aktual Edi Rama.
Mesa duket, marrëdhëniet me Ramën tani i keni shumë të mira. Për festën e krishtlindjeve, Rama ishte në Korçë, në bashkinë tuaj...
Krishtlindjet janë një festë që më shumë festohen këtu sesa në ndonjë vend tjetër. Ndaj zoti Rama erdhi në qytetin tonë. Eshtë e vërtetë që marrëdhëniet i kemi shumë të mira.
Po mos ndoshta në këtë ftohje ka ndikuar edhe fakti se ju keni një aleancë të hapur me zotin Blushi, që ka qenë kundërshtar i fuqishëm i Ramës?
Jo, jo, Blushi është deputet i këtij qyteti, dhe unë bashkëpunoj me gjithë deputetët e qarkut të Korçës.
Megjithatë, nuk kam sesi mos ta bëj pyetjen sesi ju u gjendët krah Bodes dhe disa biznesmenëve për Skënderbeun, ekipin e futbollit. Edhe ky u konsiderua si një flirt me PD...
Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne bëmë një marrëveshje xhentëlmenësh që ata të merrnin të administronin ekipin dhe të ecej përpara, ndërkohë që Bode nuk do të bllokonte projektet e qytetit. Marrëveshja u thye nga Bode, të gjithë qytetarët e Korçës e dinë këtë. Personalisht, e kam ndërgjegjen e pastër për këtë fakt.
Po mirë, po me Andra Manon, ai ishte kundërshtar i juaji në zgjedhjet e 2011? Të gjithë e dinë që ju keni qenë shokë?
Jo vetëm kaq, por të gjithë sot mendojnë se jemi akoma, madje mendojnë se gjithçka ka qenë një lojë. Eshtë e vërtetë që e kam pasur mik. Nuk e kuptova pse gjithë ai vrer dhe gjithë ato shpifje në fushatën zgjedhore.
Të gjithë thonë se kryetarët e Bashkisë kanë shumë në dorë. Bëjnë lekë me leje ndërtimi. Mbaj mend akuzat që ju ka bërë Maks Velo për "betonizimin e qytetit". Ke bërë lekë, zoti Peleshi në detyrën e kryetarit?
Maks Velo, më ka akuzuar shumë, por duke e njohur ndoshta tipin e tij, nuk kam dashur të reagoj. E kam futur në juri në disa projekte për qytetin, ai thjesht ka kërkuar tarifa më të mëdha për të qenë pjesë e tyre, ndërkohë që pagesat e buxhetit të bashkisë janë modeste. Qyteti i Korçës, është ndër të vetmit qytete në Shqipëri, që e kanë zbatuar me përpikmëri vendimin e qeverisë të marrë nga Nano për të ruajtur qendrat e qyteteve, për të mos dhënë asnjë leje, derisa të bëheshin planet urbanistike të qendrave. Dhe s'është dhënë asnjë leje. Ndërkaq, projektin për qendrën e fitoi një studio gjermane. Është një projekt që përputhet edhe me arkitekturën e qytetit. Të gjithë e kanë pëlqyer, pavarësisht se mund të ketë edhe njerëz që mendojnë ndryshe.
Dhe tani vjen ajo pyetja e dilemës zoti Peleshi. Do të kandidoni për një mandat të tretë për kryetar bashkie, apo do të preferonit të hyni si kandidat për deputet në zgjedhjet e 2013?
Nuk e kam menduar një gjë të tillë, jam fokusuar në punën dhe projektet e qytetit për të ardhmen e Korçës.
***
Ky është Niko Peleshi politikisht, si biznesmeni-politikan që solli një gjë ndryshe për politikën në qytetin e tij. Dhe ishte shumë i hapur gjatë bisedës për të treguar rrugëtimin e tij në labirinthet e politikës. Ka disa njerëz që dallohen që në fytyrë, kur janë të sinqertë. Niko, të lë këtë përshtypje. Bisedën e bëmë duke ecur në këmbë rrugëve të qytetit, ndërkohë që ka rënë shumë dëborë. Niko Peleshi ndalon herë pas here dhe takohet me të gjithë. Dikush i thotë një gjë, një tjetër diçka tjetër. Mëngjezet, drekat e darkat pothuajse i ka të zëna me shumë miq që i bujtin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë në këtë Korçën e turizmit dimëror. Kur nisemi, nuk ngurron të thotë të kemi kujdes se rrugët janë me ngrica. Sapo zbres Qafë-Thanën i çoj një sms: "kryetar falemnderit, e zbritëm zonën e vështirë". Çuditërisht, nuk vjen asnjë përgjigje për momentin. Pas dy orësh, kujtohet. "Ah ok, më fal se isha me fëmijët".
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

5 vjet nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit me 51 viktima, Braçe: Nuk kisha parë aq shumë jetë të humbura në një agim

5 vjet nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit me 51 viktima, Braçe: Nuk kisha parë aq shumë jetë të humbura në një agim