Duket se sulmet e organizuara kundër Belind Këlliçit ende nuk kanë përfunduar.

Ato kanë ardhur nga portalet pranë djalit të Berishës, të cilat duket se shërbejnë për të bërë ‘shembull’ këdo që pretendon apo kërkon t’i zërë vendin kreut të PD-së.

Edhe pse duket se Këlliçi është ‘tërhequr’ dhe nuk lë dalje publike pa glorifikuar Berishën, sërish portali ‘timoni.al’, që njihet për afërsinë me djalin e Berishës, ka zgjedhur ta sulmojë Këlliçin.

Në një editorial të fundit, mes të tjerash, Këlliçi akuzohet se punon prapa krahëve të Berishës dhe nuk guxon ta sfidojë përballë, por bën lojën e PS-së dhe të oligarkëve të lidhur me pushtetin.

“Në vend që të dalë përballë Sali Berishës në garë të hapur, ai preferon t’i shërbejë skenarëve që e godasin Berishën në heshtje, në emër të “ndryshimit”. Por ndryshimi që ai kërkon nuk është demokratik – është ndryshimi i logos, jo i moralit; ndryshimi i emrit, jo i shpirtit të opozitës.” – thuhet mes të tjerash.

Më tej Këlliçi akuzohet si peng i interesave ekonomike, madje cilësohet si kali i Trojes brenda PD.

Belind Këlliçi ka zgjedhur të bëjë betejë jo për PD-në, por kundër PD-së, jo për opozitën, por për t’i shërbyer pushtetit. Ai është simboli i një brezi të rremë që flet për moral, por ushqehet nga korrupsioni; që flet për liri, por është peng i interesave të errëta ekonomike. Dhe në këtë mes, demokratët e thjeshtë duhet të kuptojnë një gjë: kali i Trojës është brenda. Dhe nëse nuk e njohin në kohë, do të jetë vonë për të shpëtuar kështjellën.” – mbyllet shkrimi i portalit ‘timoni.al’

/TEMA