Qëkurse Kievi dhe mbështetësit e tij evropianë hodhën poshtë një propozim amerikan me 28 pika, për një marrëveshje që do t’i jepte fund pushtimit rus të Ukrainës, duke paralajmëruar se ia mbante anën Moskës, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë përpjekje për ta hartuar një version të rishikuar, të njohur si plani me 20 pika.

Pas një takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Florida më 28 dhjetor - i shoqëruar nga telefonata me presidentin rus Vladimir Putin - presidenti amerikan Donald Trump tha se, pas gati katër vjetëve luftë dhe bisedimeve të pasuksesshme Rusi-Ukrainë gjatë vitit 2025, marrëveshja mund të jetë “më afër se kurrë”.

Por, Trump tha gjithashtu se kanë mbetur “një ose dy çështje shumë të ndërlikuara” dhe se ujdia për paqe - diçka që ai e ka kërkuar me ngulm qëkurse e mori detyrën për herë të dytë në janar - mund të mos arrihet.

Trump po i referohej një prej mospajtimeve kryesore: territorit, veçanërisht në rajonin lindor të njohur si Donbas, dhe ndoshta edhe të ardhmes së centralit të madh bërthamor të Zaporizhjas, të cilin forcat ruse e morën nën kontroll pak pas fillimit të pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022.

Ka edhe pengesa të tjera të mundshme, përfshirë çështje që lidhen me garancitë e sigurisë për Kievin dhe një referendum të mundshëm në Ukrainë për çdo pakt që do t’i jepte fund pushtimit rus. Ndërkohë, retorika gjithnjë e më e ashpër nga Moska ka shtuar pikëpyetjet mbi fatin e planit me 20 pika dhe përpjekjet për paqe në përgjithësi. Më poshtë mund të mësoni se cilat janë disa nga pengesat më të mëdha drejt një marrëveshjeje.

Rusia e nisi pushtimin e plotë tetë vjet pasi e aneksoi Krimenë dhe shkaktoi luftën në Donbas, rajonet Donjeck dhe Luhansk në Ukrainën lindore.

Sot, Rusia kontrollon pothuajse të gjithë Luhanskun dhe më shumë se tri të katërtat e Donjeckut, ku ka dështuar të arrijë pushtimin e plotë pavarësisht luftimeve të vazhdueshme dhe intensive. Sipas vlerësimeve perëndimore, më shumë se 1.5 milion ushtarë nga të dyja palët janë vrarë ose plagosur në këtë luftë.

Çështja e kontrollit të pjesës së rajonit të Donjeckut që ende mbahet nga Ukraina - e cila përfshin qytete të rëndësishme dhe fortifikime që mund të jenë vendimtare për ta ndalur përparimin e mëtejshëm të Rusisë - është ndoshta pengesa më e madhe për një marrëveshje për paqe.

Moska ka kërkuar për kohë të gjatë që Ukraina t’ia dorëzojë të gjithë Donjeckun, një nga pesë rajonet ukrainase për të cilat Kremlini pretendon pa prova se i përkasin Rusisë.

Putin ka përsëritur disa herë kohët e fundit se Rusia do ta marrë me forcë pjesën e mbetur të krahinës nëse Kievi nuk ia dorëzon atë Moskës.

Ukraina thotë se nuk do ta dorëzojë zyrtarisht asnjë pjesë të tokës së vet dhe nuk sheh arsye për ta shpërblyer agresionin rus duke i dhënë, de facto apo de jure, ndonjë copë toke që Rusia nuk ka arritur ta pushtojë.

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë diskutuar një kompromis të mundshëm, sipas të cilit ajo pjesë e Donbasit do të bëhej zonë e çmilitarizuar ose zonë e lirë ekonomike, me tërheqjen e forcave ukrainase dhe ndalimin e hyrjes së trupave ruse.

Zelensky la të kuptohet javën e kaluar se është i hapur për një plan të tillë, nëse ukrainasit e mbështesin, por theksoi se nëse Ukraina tërheq trupat e saj, Rusia duhet ta bëjë të njëjtën gjë, duke i tërhequr forcat e saj në një largësi të ngjashme.

Kremlini ka treguar se nuk do të pranojë t’i tërheqë forcat e tij në asnjë skenar që nuk njeh të gjithë Donbasin si territor rus dhe që nuk e lejon Rusinë ta patrullojë zonën me njësi policore dhe të gardës kombëtare.

Zelensky, përkundrazi, ka sugjeruar se zonat e çmilitarizuara mund të ruhen nga Ukraina, ndërsa forca ndërkombëtare ta monitorojnë vijën e kontaktit midis dy palëve.

Korniza e papërfunduar e planit me 20 pika nuk është bërë publike, megjithëse Zelensky e përshkroi atë pas bisedimeve me Trumpin në resortin Mar-a-Lago më 28 dhjetor. Territori ishte një nga çështjet për të cilat ai tha se SHBA-ja dhe Ukraina ende nuk kishin rënë dakord; tjetra ishte e ardhmja e centralit bërthamor të Zaporizhjas.

Me gjashtë reaktorë, ky central në lumin Dnjepër në Ukrainën juglindore është më i madhi në Evropë. Pasi Rusia e mori nën kontroll në fillim të marsit 2022, ai nuk prodhon energji elektrike, por ka nevojë për furnizim të jashtëm me energji - i rrezikuar herë pas here nga sulmet - për ta ftohur ujin dhe për ta parandaluar shkrirjen.

Zelensky tha se Shtetet e Bashkuara kanë propozuar menaxhim të përbashkët dhe ndarje fitimesh midis SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë. Ukraina e kundërshton këtë dhe në vend të saj kërkon që ajo të kontrollohet nga SHBA-ja dhe Ukraina, dhe që SHBA-ja t’ia dërgojë Rusisë gjysmën e energjisë së prodhuar nëse ajo dëshiron.

Rusia nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të pranonte këtë, apo ndonjë marrëveshje që kërkon që Moska të heqë dorë plotësisht nga kontrolli mbi centralin. Çështja ndërlikohet edhe nga fakti se Zaporizhja është një nga pesë rajonet tokësore të Ukrainës - së bashku me Donjeckun, Luhanskun dhe Hersonin - për të cilat Moska ka pretenduar që nga shtatori 2022 se i përkasin Rusisë.

Ky pretendim, i cili kundërshtohet ndërkombëtarisht pothuajse nga të gjithë, krijon gjithashtu pengesa të mundshme shtesë për një marrëveshje paqeje.

Propozimi me 28 pika parashikonte ngrirjen e vijave të frontit në Zaporizhja dhe Herson, por Putin ka sugjeruar në komente të fundit se Rusia mund të përpiqet të marrë pjesët e konsiderueshme të këtyre dy rajoneve që nuk i kontrollon aktualisht, përfshirë të dyja kryeqendrat rajonale, nëse nuk arrihet një marrëveshje e kënaqshme paqeje.

Gjithashtu, Ukraina dëshiron që Rusia të tërhiqet nga rajone të tjera ku ajo mban pjesë më të vogla territori, si Sumi, Harkiv, Dnipropetrovsk dhe Mikolaiv, para se një marrëveshje paqeje të hyjë në fuqi. Duket e pamundur që Rusia ta pranojë këtë pa fituar të paktën kontroll mbi Donbasin, ose njohjen e Donbasit si territor rus, ose të dyja.

Pengesa të tjera të mundshme lidhen me përpjekjen e Kievit për garanci të sigurisë nga Perëndimi, të cilat ai thotë se janë thelbësore për të siguruar që një marrëveshje paqeje të mos e lërë Ukrainën të pambrojtur ndaj sulmeve të mundshme në të ardhmen.

Rusia ka thënë vazhdimisht se trupat nga vendet e NATO-s nuk duhet të dislokohen në Ukrainë dhe ka kërkuar ndalim të përhershëm të anëtarësimit të Ukrainës në aleancë, diçka që plani me 20 pika, siç u paraqit nga Zelensky, nuk e përfshin.

Ai parashikon që vendet perëndimore t’i ofrojnë Ukrainës garanci “të ngjashme me Nenin 5”, një referencë ndaj dispozitës së traktatit të NATO-s, sipas së cilës, një sulm i armatosur ndaj një anëtari konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve.

Një pengesë tjetër e mundshme: Zelensky ka thënë se lëshimet e mundshme territoriale dhe aspektet e tjera të një marrëveshjeje paqeje duhet të votohen nga populli në Ukrainë dhe ka bërë thirrje për një armëpushim prej të paktën 60 ditësh për t’u përgatitur për një referendum të tillë.

Rusia ka hedhur poshtë vazhdimisht thirrjet për armëpushim, duke thënë se ajo që nevojitet është një marrëveshje e përhershme paqeje. Në një paraqitje televizive më 19 dhjetor, Putin tha se Moska mund të ndalonte zjarrin për një ditë të vetme nëse Ukraina mban zgjedhje dhe lejon ukrainasit që jetojnë në Rusi të votojnë.

Putin përsëriti kërkesat e kahershme ruse gjatë kësaj paraqitjeje prej katër orësh e gjysmë, duke kritikuar ashpër udhëheqjen e Ukrainës dhe duke mos dhënë asnjë sinjal se Moska është gati të bëjë lëshime thelbësore për t’i dhënë fund luftës.

Prej atëherë, Rusia ka ashpërsuar më tej retorikën e saj, dhe zëdhënësi i Putinit tha se Moska do ta “forcojë pozicionin negociues” pas asaj që Rusia pretendon se ishte një përpjekje ukrainase për të sulmuar me dhjetëra dronë një rezidencë që përdoret shpesh nga Putin.

Zelensky e hodhi poshtë këtë pretendim duke e quajtur “gënjeshtër”.

Rritja e tensioneve mund të minojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, dhe retorika e ashpër e Rusisë ngre një pyetje themelore: A e dëshiron Putin paqe? Shumë analistë thonë se, të paktën për momentin, ai nuk sheh nevojë për një pakt paqeje nëse beson se ai do ta linte Rusinë shumë larg asaj që ata e quajnë një nga objektivat e tij kryesore në luftë: nënshtrimin e Ukrainës.

Në fjalimin e Vitit të Ri drejtuar kombit, Putin shprehu besim në “fitoren” e Rusisë në luftë dhe nuk përmendi fare paqen apo përpjekjet për ta arritur atë.

“Çështja thelbësore në përpjekjet për paqe në Ukrainë është se korniza e zhvilluar midis SHBA-së dhe Ukrainës - megjithëse përfshin disa interesa ruse - mbetet thelbësisht e papranueshme për Moskën”, shkroi më 30 dhjetor në X Tatyana Stanovaya, hulumtuese e lartë për Rusinë dhe Euroazinë në Qendrën Carnegie, e cila prej vitesh ka studiuar Putinin dhe Kremlinin./REL