Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot mbahen deklaratat hyrëse në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët përballen me akuza për pengim të drejtësisë.

Sipas aktakuzës, Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë dyshohet se gjatë periudhës prill-nëntor 2023 kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale që lidhen me dëshmitarë, si dhe kanë dhënë udhëzime për ndërhyrje në dëshmitë e tyre.

Prokuroria pretendon se këto veprime kanë synuar të ndikojnë në rrjedhën e procesit gjyqësor. Pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Pas përfundimit të deklaratave hyrëse, Prokuroria do të vijojë me paraqitjen e provave para trupit gjykues.

Thaçi, ish-president i Kosovës, akuzohet edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me tre ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Më 18 shkurt, gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Thaçi hodhi poshtë akuzat ndaj tij dhe duke theksuar se veprimtaria e tij gjatë luftës ka qenë në mbrojtje të popullit të Kosovës.

Thaçi akuzoi ish-presidentin serb Slobodan Millosheviç si “të vetmin njeri që po bënte plane për një gjenocid tjetër”, duke shtuar se ishte detyruar të largohej nga Kosova për shkak të ndjekjes nga regjimi i Beogradit.

Lajm në përditësim...