Pengimi i drejtësisë, tani fokusi kryesor në hetimin e dokumenteve të Trump-it

Pengimi i drejtësisë, tani fokusi kryesor në hetimin e dokumenteve të Trump-it

Foto ilustruese

Hetimi i FBI-së mbi informacionet 'top-sekret' të qeverisë të zbuluara në Mar-a-Lago po përqendrohet në pyetjen nëse ekipi i ish-presidentit Donald Trump pengoi hetimin në mënyrë kriminale. Një dokument i ri pretendon se të dhënat e qeverisë ishin fshehur dhe hequr dhe se zyrtarët e zbatimit të ligjit ishin mashtruar për dokumentet që ishin ende atje. Pretendimi nuk do të thotë domosdoshmërisht se zoti Trump ose dikush tjetër do të përballet përfundimisht me akuza. Por mund të përbëjë kërcënimin ligjor më të drejtpërdrejtë për ish presidentin Trump dhe ata në orbitën e tij të afërt, pjesërisht sepse Departamenti i Drejtësisë e ka konsideruar historikisht pengimin si një faktor me peshë që anon në favor të ngritjes së akuzave penale që përfshijnë keqpërdorimin e informacionit të klasifikuar.

"Kjo shkon në zemër të përpjekjes për të korruptuar vetë integritetin e sistemit tonë të drejtësisë penale", tha David Laufman, i cili dikur mbikëqyrte të njëjtin seksion të kundërzbulimit në Departamentin e Drejtësisë tani përgjegjës për hetimin në Mar-a-Lago.

Mocioni i fundit i Departamentit të Drejtësisë në këtë rast është përqëndruar më pak në heqjen e informacionit të klasifikuar vitin e kaluar nga Shtëpia e Bardhë për në Mar-a-Lago dhe më shumë në ngjarjet e pranverës dhe verës së kaluar. Kjo ishte periudha kur zyrtarët e zbatimit të ligjit u përpoqën - pa sukses - të merrnin të gjitha dokumentet dhe u siguruan, në mënyrë të rreme, se gjithçka ishte dorëzuar pas një "kërkimi të zellshëm".

Departamenti i Drejtësisë lëshoi një thirrje me detyrim ligjor në maj për dokumentat dhe zyrtarët vizituan Mar-a-Lagon më 3 qershor për t'i mbledhur ato. Kur arritën atje, thuhet në një dokument të Departamentit të Drejtësisë të publikuar të martën, atyre iu dorëzua nga një avokat i zotit Trump një "zarf i vetëm i mbështjellë dy herë " që përmbante dokumenta.

Një avokat i Trump tha se të gjitha të dhënat që kishin ardhur nga Shtëpia e Bardhë ishin mbajtur në një vend – në një depo - dhe nuk kishte asnjë document tjetër në ndonjë hapësirë private apo vend tjetër në shtëpi.

Por FBI-ja dyshoi në vërtetësinë e këtyre deklaratave dhe mori një urdhër kërkimi për t'u kthyer në Mar-a-Lago më 8 gusht.

Zyrtarët kishin "gjetur prova se të dhënat e qeverisë ishin fshehur dhe hequr nga dhoma e depos dhe se ka të ngjarë të jenë bërë përpjekje për të penguar hetimin e qeverisë", thuhet në dosjen e re të Departamentit të Drejtësisë.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, në kërkimin e tyre në gusht, agjentët gjetën dokumente të klasifikuara jo vetëm në dhomën e depos, por edhe në zyrën e ish-presidentit – duke përfshirë tre dokumente të klasifikuara të gjetura jo në kuti, por në tavolina zyre. Në disa raste, agjentët dhe avokatët që kryen shqyrtimin e dokumenteve të sekuestruara kërkuan leje shtesë pasi materiali ishte shumë i klasifikuar.

“Që FBI-ja, brenda pak orësh, gjeti dy herë më shumë dokumente të klasifikuara sesa 'kërkimi i zellshëm' që këshilltari i ish-presidentit dhe përfaqësuesit e tjerë kishin kryer për disa javë, vë në pikëpyetje serioze deklaratat e bëra në dorëzimin e dokumenteve në 3 qershor dhe vë në dyshim shkallën e bashkëpunimit në këtë çështje”, thuhet në dokument.

Departamenti i Drejtësisë ka deklaruar në dosjet gjyqësore se, përveç hetimit të krimeve që lidhen me keqpërdorimin e informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe dokumenteve të tjera, po shqyrton gjithashtu mundësinë nëse dikush ka kryer pengesa.

Nga depozitimi i çështjes nuk është e qartë se sa pjesë nga ky hetim mund të përqendrohet tek zoti Trump, i cili ka këmbëngulur vazhdimisht se ekipi i tij ishte bashkëpunues me FBI-në, apo tek ndonjë prej avokatëve ose përfaqësuesve të tij të përfshirë në dorëzimin e dokumenteve në departament.

Pengimi ka rëndësi sepse është një nga faktorët që kërkojnë hetuesit për të vendosur nëse do të ngrenë akuza. Për shembull, në njoftimin e tij të korrikut 2016 se FBI-ja nuk do të rekomandonte akuza penale kundër Hillary Clinton-it në një hetim që përfshin trajtimin e emaileve të saj, drejtori i FBI-së James Comey përmendi mungesën e pengimit si një nga arsyet.

Kur Departamenti i Drejtësisë akuzoi ish-drejtorin e CIA-s, David Petraeus në vitin 2015 për ndarjen e informacionit të klasifikuar me biografen e tij, ai vendosi të përfshijë në dokumentet e gjykatës hollësi rreth deklaratave të rreme që prokurorët thanë se ai kishte bërë gjatë një interviste të FBI-së.

Nuk është hera e parë që një hetim për pengimin e drejtësisë është zhvilluar në lidhje me zotin Trump. Prokurori i posaçëm Robert Mueller hetoi nëse zoti Trump kishte penguar një hetim nëse fushata e tij presidenciale e vitit 2016 kishte bashkëpunuar me Rusinë, dhe megjithëse zoti Mueller nuk rekomandoi akuza kundër presidentit të atëhershëm, ai gjithashtu refuzoi ta shfajësonte atë.

Në rastin aktual, hetuesit federalë ka të ngjarë të vlerësojnë arsyet përse përfaqësuesit e zotit Trump dhanë deklarata në lidhje me statusin e informacionit të klasifikuar në Mar-a-Lago që rezultuan lehtësisht të kundërshtuara nga provat, si dhe se cilët individë ishin të përfshirë në heqjen e kutive dhe pse.

Sarah Krissoff, një avokate në Nju Jork dhe ish-prokurore federale, tha se hollësitë e informacionit në dosjen e kësaj jave tregojnë historinë e vet.

“Duke lexuar mes rreshtave të asaj që ata thonë, duket se kishin informacion shumë të drejtpërdrejtë nga një burim në lidhje me vendndodhjen e dokumenteve të klasifikuara brenda Mar-a-Lagos dhe në thelb fshehjen ose mungesën e bashkëpunimit në përpjekjet e mëparshme për të rimarrë ato dokumente,” tha ajo.

Qëllimi i depozitimit të së martës mbrëma ishte të kundërshtonte një kërkesë nga ekipi ligjor i zotit Trump për caktuar një ekspert të posaçëm për të shqyrtuar dokumentet e sekuestruara gjatë kontrollit të këtij muaji dhe për t'i kthyer zotit Trump disa pasuri të sekuestruara. Gjyqtarja e qarkut të Floridas, Aileen Cannon do të dëgjojë argumentet mbi këtë çështje të enjten./ Marrë nga VOA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja