Pensionet e ushtarakëve, Pogaçi:
Skema që kërkojmë nga Qeveria

Pensionet e ushtarakëve, Pogaçi:<br />Skema që kërkojmë nga Qeveria
TIRANE- Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, Mehdi Pogaçi në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com”, kërkon nga qeveria e re e kryesuar nga Edi Rama shfuqizimin e aktit normativ të Berishës, i cili pavarësisht se është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, nuk e ka ndaluar atë që me një vendim qeverie ta zbatojë dhe për pasojë të ulë pensionet për ushtarakët në Rezervë. Madje t’i shpallë ata dhe debitorë dhe t’ua mbajë këtë diferencë. Pogaçi thotë se është takuar me ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe e kanë biseduar, madje propozimet me shkrim ia kanë dërguar asaj bashkë me kërkesën për shfuqizim të aktit normativ të Berishës. Ai thotë se duke qenë se gjithnjë e kanë votuar të majtën, shpresojmë shumë në zgjidhjen e problemit për afër 7 mijë ushtarakët në rezervë.
 
Gjithnjë keni pasur kontestime, sidomos për ligjin e fundit të miratuar nga qeverisja e kaluar që solli uljen e kontributit të shtetit për ju. Më konkretisht?
Është e vërtetë se kemi patur kontestime vazhdimisht në qeverisjen e kaluar, pasi asnjëherë nuk është zbatuar asnjë ligj, në favor të ushtarakëve, por nga viti 2006 e në vazhdim, ligjet janë përkeqësuar në vijimësi, edhe pse dy herë kemi fituar të drejtën në Gjykatën Kushtetuese. Por të dyja herët, qeveria “Berisha”, nuk i zbatoi vendimet e kësaj Gjykate, duke miratuar në fund të qershorit 2009 ligjin nr. 10125 dhe në dhjetor Aktin Normativ, të dy këto në kundërshtim me vendimin nr. 7 të vitit 2007 dhe vendimit nr. 33 të vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese. Absurde është, pasi, po kjo Gjykatë Kushtetuese, së cilës nuk iu zbatuan dy vendime dhe për të cilat duhej t'i kërkonte llogari qeverisë, shkeli mbi vendimet e saj me vendimin nr. 2 të vitit 2013, duke rrëzuar kërkesën e shoqatës së xhenjerëve për rrëzimin e Aktit Normativ.
 
Sa është numri i anëtarëve të shoqatës suaj që me një rregullim ligjor mund të përfitojnë atë që u takon, dhe e rëndon buxhetin e shtetit një faturë e tillë?
Numri i ushtarakëve në rezervë është rreth 7 mijë vetë, të cilët marrin tashmë pension minimal në shkallë vendi. Madje ata janë shpallur edhe debitorë nga korriku i vitit 2009, duke paguar borxhe të prapambetura, jo për faj të tyre. Them jo për faj të tyre, pasi ligji nr. 10125 dhe Akti Normativ, ligjërisht duhej të përfundonin së zbatuari brenda 6 mujorit të parë të vitit 2010. Pra, rillogaritja e pensioneve, edhe pse kundër dy vendimeve të cituara më sipër të Gjykatës Kushtetuese, duhej të kishte përfunduar, ndërsa kjo rillogaritje vazhdon edhe sot që flasim bashkë dhe ushtarakët në rezervë shpallen debitorë për shkak se dikasteret përkatëse nuk e kanë bërë detyrën në kohën e duhur. Ne si shoqatë, i kemi kërkuar ministres së Mbrojtjes, zonjës Mimi Kodheli, të marrë masa ndaj personave përgjegjës për rillogaritjen e pensioneve, për moszbatim në kohë të ligjit.
 
Çfarë kërkoni nga qeveria e re e majtë e drejtuar nga Edi Rama, e cila gjatë fushatës ka qenë shumë aktive në premtimin që ish-ushtarakët dhe ata në rezervë të trajtohen në mënyrë dinjitoze. Cila do të ishte skema më e përshtatshme që do të kënaqte dhe pritshmëritë tuaja?
Nga Qeveria e re, ushtarakët në rezervë dhe në pension kërkojnë atë çka atyre iu premtua para dhe gjatë fushatës elektorale: shfuqizimin e menjëhershëm të Aktit Normativ, si akt antiligjor, sepse shkel vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe, për pasojë, të ligjeve të mëparshme në interes të ushtarakëve, e antikushtetues, pasi shkel të drejtën kushtetuese të ushtarakëve për një jetë dinjitoze, mbi bazë të kontributeve dhe detyrave të kryera.

Njëkohësisht është në kundërshtim me të drejtat e Kartës së Helsinkit, e cila kërkon nga qeveritë përkatëse një pension dinjitoz për të garantuar një jetë të qetë e të sigurt për moshën e tretë. Mbas shfuqizimit të Aktit Normativ, ushtarakët në rezervë dhe në pension, kërkojne zbatimin gradual të statusit të ushtarakut të vitit 2004, si statusi më i mirë bashkëkohor me të drejta të përafërta me ato të ushtrive të vendeve të tjera anëtare të NATO-s.

Them zbatim gradual, pasi në pikpamjen financiare, nuk mund të zbatohet menjëherë, pasi jemi të ndërgjegjeshëm se edhe fatura financiare do të ishte relativisht e lartë për kohën që jetojmë. Por për këtë mund të gjendet zgjidhje, duke bashkëpunuar Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm me shoqatën tonë dhe shoqatat e grupet e tjera të interesit, ashtu siç ka edhe ligje të miratuara në vitin 2005 dhe në vitin 2006, të mbështetura dhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat mund të vihen në jetë.
 
Po nëse kërkohet të miratohet statusi i ri për ju...?
Çdo miratim statusi të ri nuk bën gjë tjetër, veçse shtyn përftimin e të drejtave të ushtarakëve dhe ndoshta do i përkeqësojë ato. Një taktikë të tillë u përpoq të përdorë qeveria “Berisha”, duke dashur të miratojë një status të ri, së bashku me ligjin për disiplinën dhe ligjin për gradat dhe karrierën ushtarake. Falë qëndrimeve tona kritike, por edhe të një grupi ushtarakësh aktiv, kjo ide e mbrapshtë nuk u realizua.
Ushtarakët janë të majtë, kanë qënë gjithmonë në mbështetje dhe kanë kontribuar vazhdimisht për fitoren e së majtës, prandaj edhe e majta u ka borxh atyre t'ju realizojë, e mos të gjitha, pjesën kryesore të premtimeve të bëra.
 
Keni pasur ndonjë takim me kryeministrin, apo keni në plan ndonjë takim për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjes suaj?
Deri më sot nuk kemi patur ndonjë takim me kryeministrin, pasi edhe me ministrin e Mbrojtjes arritëm të takohemi vetëm me 14 mars të këtij viti. Në atë takim, ne diskutuam me ministren e Mbrojtjes për problemet e zbatimit të statusit të ushtarakut dhe sidomos për problemet e vazhdimit të cenimit të pensioneve të parakohshme. Gjithashtu i propozuam ministres, si ndër masat më emergjente, faljen e borxhit të padrejtë dhe jo për faj të tyre, të ushtarakëve nga korriku i vitit 2009 dhe po ashtu shfuqizimin e Aktit Normativ.

Në datën 18 mars, sipas propozimit të vetë zonjës Kodheli, ne i dërguam përsëri, me shkrim, propozimin tonë për faljen e borxhit në pensione të ushtarakëve dhe shfuqizimin e Aktit Normativ. Jemi në pritje të reagimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe instancave të tjera për këtë problem. Është turp që një ushtarak merr sot një pension qesharak sa një pension kooperativisti, i cili ka edhe tokë, prodhon, në mos shumë, sa për vete. Duke qënë kështu, edhe pse nuk ka ligj, por thjesht një VKM, mjaft ushtarakëve, të cilët kanë përftuar tokë në fshat për shkak të të afërmëve të tyre, u hiqet pensioni i parakohshëm, ndërkohë që fshatari e merr atë.

Është tepër urgjente marrja e masave, fillimisht për çuarjen e pensionit të parakohshëm në nivelin e para korrikut 2009 dhe pastaj për rritjen e mëtejshme të tij. Nuk mund të imagjinohet që një ushtarak në rezervë, me fëmijët në shkollë të mesme apo universite, të rrojë me 11 apo 12 mijë lekë të reja. Koha nuk pret për këtë kategori, prandaj duhet vepruar menjëherë, pa abuzuar me durimin e ushtarakëve. Ushtarakët, megjithëse nuk është bërë asgjë deri më tani për përmirësimin e kushteve të tyre, kanë besim te mbajtja e fjalës së dhënë, pavarsisht se ishte fushatë parazgjedhore. ‘Burri lidhet prej fjalës, demi lidhet prej brirësh’, thotë një fjalë e urtë e popullit.

Shkrimi u publikua sot (2.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta