Qeveria mendon të anulojë praktikën aktuale të subvencionimit të kontributeve të fermerëve, duke paraqitur një formulë të re për pensionet e fshatit. Aktualisht, për të përfituar pensionin minimal prej 16 mijë lekësh në muaj, një i vetëpunësuar duhet të paguajë mbi 66 mijë lekë në vit kontribute. Të vetëpunësuarit në qytet e paguajnë të gjithë këtë shumë nga xhepi i tyre. Por, fermerët paguajnë vetëm 38.400 lekë në vit, kurse pjesën tjetër ua paguan buxheti. Madje, banorët e zonave të thella rurale (malore) paguajnë vetëm 29.400 lekë.
Me draftin e ri, qeveria e heq përfundimisht subvencionin për fermerët, duke u dhënë atyre dy zgjedhje: të paguajnë 66 mijë lekë në vit, ashtu si të vetëpunësuarit në qytet dhe të përfitojnë pensionin e njëjtë me ta; ose të vazhdojnë të paguajnë 38.400 mijë lekë sa sot, por kur të dalin në pension do të përfitojnë një pagesë që mund të jetë deri në 35 për qind më i ulët se sa pensioni minimal i qytetit.
Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, kjo ndërhyrje ishte e domosdoshme. Reforma e pensioneve që u miratua në vitin 2014 parashikonte që kontributet e fermerëve do të rriteshin vit pas viti, derisa të barazoheshin me ato që paguajnë të vetëpunësuarit në qytet. Por, menjehërë pas miratimit të reformës, rritja e kontributeve u ngri. Fermerët filluan të braktisnin skemën. Përmes ligjit të ri, qeveria i vendos fermerët përpara një zgjedhjeje: të paguajnë sa sot dhe nesër do të marrin më pak pension se bashkëmoshatarët e tyre urbanë, ose të paguajnë njësoj me të vetëpunësuarit në qytet për të marrë pension të barabartë me ta.
Kushtet
Kushtet për t’u siguruar, sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, dhe VKM datë 28.01.2015, personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë këto kushte: Të ketë mbushur moshën 16 vjeç; të jetë i aftë për punë; çdo person mund të sigurohet deri në mbushjen e moshës për pension; Nuk duhet të jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë.
Po kështu, i vetëpunësuari në bujqësi duhet të banojë në të njëjtin nënqark ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale; të banojë në fshat, megjithëse tokën mund ta ketë në nënqarkun fqinjë.
Kontributet
Sigurimi si i vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm. I vetëpunësuari në bujqësi, që banon në zonat fushore, duke filluar nga data 01.01.2015 e në vazhdim mund të derdhë kontributet për sigurimet shoqërore kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38.400 lekësh. Ndërsa i vetëpunësuari në bujqësi, që banon në zonat malore, nga data 01.01.2015 e në vazhdim, mund t’i derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29.400 lekësh.
Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Për të bërë sigurim për periudha të kaluara, pagesa e kontributeve bëhet kundrejt masave aktuale, mbi të cilën aplikohen dhe kamatëvonesat përkatëse.
Përfitimet e deritanishme
Për një vit vjetërsie në punë në shtet, një i vetëpunësuar në qytet paguan 64.400 lekë, ndërsa i vetëpunësuari në zonat fushore paguan 38.400 lekë në vit. I vetëpunësuari në zonat malore paguan vetëm 29.400 lekë në vit. Diferencat përkatëse prej 26.000 lekë dhe 35.000 lekë subvencionohen deri më sot nga buxheti i shtetit.
Përfitim të vjetërsisë në punë, ku njohja e periudhave për të cilat janë paguar kontribute njihet vjetërsi në marrëdhënie pune me shtetin.
Dokumentacioni
Për të lidhur pensionin, i vetëpunësuari në bujqësi paraqet tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi të sigurimeve shoqërore këto dokumenta: certifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjëndjes civile; vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të bashkisë ose akt noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (p.sh, qiramarrje). Në çdo rast, për sigurim të periudhave për vitin korent si dhe për periudha të kaluara, do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari, bujqësore/blegtorale.
Procedurat
Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i vetëpunësuar në bujqësi plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim”. Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese. Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” personi paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”.
Këto dokumenta në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale. Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
16 vjec, i aftë për punë ??? Po rrisin pagesën e kontributeve edhe po ulin moshën e punësimit ?
PërgjigjuËshtë vendimmarrje më se e drejtë!
Përgjigju