Në këtë verë përveluese, fermeri Rexhep Shehu nga fshati Nange i Kukesit nuk ka arritur të vadisë asnjëherë misrin e grurin.

"Kam gjashtë dynymë tokë me grurë e misër. Uji nga kanali nuk ka ardhur fare këtë vit. Nuk dimë pse!", shprehet ai.

Situata është e njëjtë në fshatin Tregtan të Hasit, ku kanali vaditës është jashtë funksionit dhe rezervuari ka pak ujë. Mungesa e reshjeve ka përkeqësuar më tej gjendjen.

"S’ka ujë as për vaditje, as për të pirë. Jetojmë me puse që i hapim vetë", shprehet nje banorë

Sipas kryetarit të Bashkisë Has, Miftar Dauti, zona ka 200 kilometra kanale vaditëse dhe 24 rezervuare por shumica janë të dëmtuara.

Miftar Dauti, kryetar i Bashkisë Has u shpreh se "kemi bërë pastrimin me fondet që kemi, por për rregullim të plotë duhen investime nga Ministria e Bujqësisë."

Problemet nuk ndalen vetëm te bujqësia. Në Tregtan, banorët nuk kanë as ujë të pijshëm dhe prej më shumë se 20 vitesh mbushin ne puse.

"Po vazhdoi kështu, s’ka rrugë tjetër veçse të ikim", shprehet banori.

Dikur, këto zona njiheshin për prodhimin e drithërave, por sot tokat po mbeten djerrë. Statistikat tregojnë rënien drastike: Në vitin 2024 në qarkun e Kukësit ishin mbjellë 325 hektarë me grurë e misër, ndërsa këtë vit vetëm 285 hektarë. Dhjetë vite më parë, sipërfaqja arrinte ne mbi 1000 hektarë.