Pensionet suplementare, si do 
llogaritet pagesa, dokumentat

Pensionet suplementare, si do <br />llogaritet pagesa, dokumentat
Qeveria ka miratuar një vendim të ri për pensionet suplementare, ku përcaktohet mënyra si do llogaritet pagesa dhe kush do të mund të përfitojë. “Institucionet jopublike, të cilat përfshihen në këtë skemë për efekt të këtij ligji, janë universitetet, akademitë, kolegjet universitare, kolegjet profesionale të larta si dhe institutet, qendrat e agjencitë e kërkimit shkencor të akredituara. Lista e institucioneve të arsimit të lartë hartohet dhe përditësohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas kërkesës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, - thuhet në vendimin e qeverisë.

“Paga referuese” është paga bazë për titullin në institucionet publike, duke përjashtuar shtesat për funksion. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të ushtrimit të titullit. Si pagë bazë do të jetë ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.  

Llogaritja e përfitimit
Për efekt të llogaritjes së përfitimit, për titujt: a)“Profesorë” dhe “Drejtues kërkimesh”, të cilët kanë periudhë ushtrimi të titullit, pagë referuese e titullit do të merret ajo për titullin “Profesor” në institucionet e arsimit të lartë. b)“Profesorë të asociuar” dhe “Mjeshtër kërkimesh”, të cilët kanë periudhë ushtrimi të titullit, pagë referuese e titullit do merret ajo për titullin “Profesor i asociuar” në institucionet e arsimit të lartë. c) “Docent” dhe “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, të cilët i kanë pasur këta tituj para vitit 1994 dhe i kanë përfituar pasi është fituar më parë grada shkencore “Kandidat i shkencave”, pagë referuese e titullit do merret ajo e pozicionit “Lektor” në institucionet e arsimit të lartë. Masa e pensionit suplementar plus pensionin e pleqërisë nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i masës së pensionit të caktuar me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Për personat, të cilëve e drejta për pension suplementar, sipas këtij ligji, u lind pas hyrjes në fuqi të tij, ndërsa pensioni i pleqërisë u llogaritet sipas dispozitave në fuqi deri në 31.12.2014, shuma e pensionit të pleqërisë plus pensionin suplementar nuk mund të jetë më e lartë se dyfishi i masës mujore të pensionit të pleqërisë dhe shtesës së pensionit të pleqërisë, në momentin e lindjes së të drejtës për pension suplementar. 

Detyrimi
Kontributet suplementare llogariten nga subjekti punëdhënës dhe derdhen në organet tatimore sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara për mbledhjen e kontributeve nga skema e sigurimit shoqëror të detyrueshëm. Organet tatimore dhe të sigurimeve shoqërore nuk do të pranojnë kontribute suplementare për persona që gëzojnë titullin, por e ushtrojnë atë duke punuar në institucione kërkimore publike apo institucione jopublike, të cilat nuk janë të përcaktuara.

Dokumentat
Personat e interesuar për të përfituar pension suplementar sipasligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, duhet të paraqesin pranë organeve të sigurimeve shoqërore ku kanë qendrën e tyre të banimit kërkesën për përfitim, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm për këtë qëllim, si më poshtë vijon:
- Fotokopje të kartës së identitetit.
-Fotokopje të noterizuar të dëshmisë për dhënien e titullit ose vërtetim për dhënie titulli nga komisioni i kualifikimit shkencor apo nga komisioni i vlerësimit të titujve.
-Vërtetim, lëshuar nga qendra e punës, për pagën referuese si dhe kohën e gëzimit të titullit, në zbatim të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar.  

Shtesat në pension
Të gjitha shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, në masën e pensionit maksimal, në harkun kohor 1.10.1993–31.12.2014, të cilat vazhdojnë të paguhen edhe sot, do të bëhen 24 872 lekë në muaj, me kusht që shuma e kësaj shtese, bashkë me masën e pensionit të caktuar sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, përjashtuar shtesën sipas nenit 33, të këtij ligji, të mos kalojë vlerën 49 744  lekë në muaj.
Në të njëjtën masë do të kalojnë edhe shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave në harkun kohor 1.10.1993–31.12.2014, për familjarët e personit të vdekur, që merrte ose i takonte të merrte pension të posaçëm shtetëror ose shtesë pensioni të posaçëm.
Pas këtij ndryshimi, të gjitha pensionet e posaçme dhe shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, përfshirë edhe ato që nuk janë të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij vendimi, do të indeksiohen me 1,6%.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Kosovarët e duan Harris e serbët Trump

Kosovarët e duan Harris e serbët Trump