Personat që kanë fituar statusin e pensionistit, por kanë dëshirë të vijojë punën, do të mund ta bëjnë një gjë të tillë, madje duke mos paguar as kontribute. Burime nga Ministria e Financave bënë të ditur se drafti me ndryshimet ligjore, që synojnë motivimin e kësaj shtrese të popullsisë për të vijuar punën, por pa pasur koston e kontributeve shoqërore është gati.

Drafti është dërguar për konsultim në ministrinë e Shëndetësisë, Drejtësisë, dhe drejtorisë së tatimeve, institucione që pritet të japin mendimin e tyre mbi ndryshimet e propozuara.

Burimet saktësojnë se ndryshimet lidhen me dy momente, njohjen e statusit të pensionistit dhe paralelisht njohjen e vijimit të angazhimit në punë përmes një kontrate punësimi. Në këtë moment qytetarit i lind e drejta për të vijuar angazhimin në punë, por pa paguar kontributet, ç’ ka do të thotë se pagës bruto nuk do ti zbriten më kontributet shoqërore. Për shembull, në rast se një qytetar paguhet me pagën bruto 60 000 lekë, 15 000 lekë i paguan kontribute shoqërore, 5 000 lekë tatim mbi të ardhurat, duke marrë pagë neto në bankë 40 000 lekë. Pas hyrjes në fuqi të ligjit, ai që ka mbushur moshën e pensionit dhe do që të vijojë punën, nga paga bruto do ti zbritet vetëm tatimi mbi fitimin, dhe nuk do i zbritet vlera e kontributeve.

Diskutimi mes specialistëve ka prekur dhe pjesën e vjetërsisë në punë. Skenari i parë është që kjo periudhë pune të mos njihet si vjetërsi pune, duke pasur parasysh se qytetari do të përfitojë të ardhura shtesë nga mos pagesa e kontributeve shoqërore. Skenari i dytë, është që kjo periudhë të njihet si vjetërsi pune, duke i rritur dhe nivelin e pensionit përfituesit.

Këto ndryshime ligjore vijnë si kërkesë e qytetarëve, në procesin e Këshillimit Kombëtar. 66% e votuesve, ose 332 090 persona i janë përgjigjur pozitivisht idesë që personat që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë të punojnë të mos paguajnë kontributet shoqërore, 136 mijë i janë përgjigjur negativisht kësaj ideje dhe rreth 39 mijë të tjerë kanë abstenuar.

Këto ndryshime ligjore pritet të motivojnë profesionistët në fushën e mjekësisë dhe jo vetëm të mos tërhiqen nga vendi i punës. Përfitues janë edhes shoferët, të cilëve u njihet leja e drejtimit deri në moshën 70-vjeçare.

Rezultatet e Këshillimit Kombëtar