Dita e madhe për boksierin shqiptar Nelson Hysa po afron. Shkodrani i peshave të rënda më 13 nëntor në pallatin e sportit të Durrësit do të zhvillojë ndeshjen e pestë në boksin profesionist teksa përballë do ketë Deny Williams, një kundërshtar që në të kalurën e tij ka hedhur nokaut edhe lëgjendën Mike Tyson.
“Ka patur një periudhë shumë të artë Deny Williams në atë kohë, duke nokautuar Tyson. Besoj dhe shpresoj që me përgatitjen që kemi bërë, me formën që po kaloj, por edhe mbështetjen e madhe të spektatorëve çdo gjë të shkojë sipas planit. E kemi vendosur se si do të boksojmë,”-u shpreh Nelson Hysa, boksier.
Deri më tani Nelsoni numëron vetëm fitore në boksin profesionist dhe në rast se ia del edhe ndaj Williams do ta ndihmonte të ngjiste shumë shkallë në renditje. Gjithsesi objektivat e tij janë më të larta se kaq.
“Aktualisht po i marr ndeshjet me rradhë, pasi deri në mbyllje të vitit kam edhe dy ndeshje të tjera. Në vitin e ardhshëm, nëqoftëse vijoj kështu siç jam tani, synoj një titull të madh në Europë,”-tha Nelson Hysa, boksier.
Nelson Hysa deri më tani të katër fitoret në boksin profesionist i ka me nokaut.