Moratoriumi
Masa të rrepta dhe gjoba deri në 5 milionë lekë për të gjithë ata që do të dëmtojnë pyjet apo shfrytëzojnë ato. Këto janë penalitet që parashikon moratoriumi i pyjeve i cili ka hyrë në fuqi gjatë ditës së djeshme dhe do të zbatohet për 10 vjet. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka e ka quajtur një vendim historik që do të ndryshojë të ardhmen e pyjeve. Ai ka kërkuar përfshirjen e qytetarëve për zbatimin e moratoriumit.
“Gjithashtu u kërkojmë të gjitha institucioneve shtetërore që janë ngarkuar për zbatimin e këtij ligji, angazhim maksimal për zbatimin me sukses të moratoriumit të pyjeve. Qëllimi i këtij ligji është që të reduktojë ndërhyrjet mbi fondin pyjor, të degraduar si pasojë e mbishfrytëzimit dhe dëmtimeve të tjera, me synim përmirësimin dhe rehabilitimin e gjendjes së tij”, ka deklaruar Koka. Sipas tij të gjitha kundravajtjet administrative do të gjobiten në vlerën 5 milionë lekë.
Çfarë parashikohet
Dokumenti 10 vjeçar ka për qëllim ndalimin e veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të vendin. “Në bazë të këtij moratoriumi ndalohet kategorikisht ushtrimi i veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Po kështu ndalohet tregtimi i produkteve të tij, si dhe eksporti i lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe i qymyrit të drurit” ka pohuar Ministri Koka.
Por, duket se moratoriumi ka lënë hapësira për ato bashki të cilat e kanë te nevojshme përdorimin e druve për ngrohje. “Përjashtohen nga shfrytëzimi i lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri, rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor dhe kullosor referuar legjislacionit në fuqi si dhe shfrytëzimi i lëndës drusore për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve dhe pastrimin e mbetjeve drusore” thuhet në ligj. Sipas këtij të fundit, bashkitë dhe komunat do të kenë përgjegjësi direkte për menaxhimin e pyjeve dhe për furnizimin e popullatës me dru zjarri e cila duhet të ketë kosto sociale.
Çfarë ndalohet?
Ndalohet ushtrimi i veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ndalohet tregtimi i produkteve të tij.
Ndalohet eksporti i lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe i qymyrit të drurit.
Çfarë lejohet?
Lejohet shfrytëzimi i lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri;
Lejohet shfrytëzimi i pyjeve në rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor dhe kullosor referuar legjislacionit në fuqi,
Lejohet shfrytëzimi i lëndës drusore për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve dhe pastrimin e mbetjeve drusore.
Masat dhe penalitetet
Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, por përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, në vlerën 5 milionë lekë. Afati i zbatimit të këtij ligji është 10 vite nga data e hyrjes së tij në fuqi.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)