Për ata që duan shpëtimin e PD

Për ata që duan shpëtimin e PD

Në disa mesazhe publike kam shprehur shqetësimin e thellë për degradimin e papërballueshëm të PD dhe kam bërë thirrje që PD të rikthehet në vlerat dhe idealet themeluese të saj.

PD mund dhe duhet t’a nxjerrin nga gropa ku ka rënë vetëm udhëheqës që identifikohen me idealet dhe vlerat themeluese, udhëheqës që nuk bartin ngarkesa negative nga qeverisja e saj, njerëz që kanë reputacion publik antikorruptiv, që janë të panjollë, karizmatikë dhe shpresëdhënës.

PD ka nevojë për udhëheqës që identifikohen me shoqërinë, që i flasin asaj, që frymëzojnë, që ngjallin besim dhe që japin shpresë.

PD ka nevojë për udhëheqës që nuk imitojnë, por që hapin shtigje të reja, krijojnë politikë të re, prezantojnë ide dhe vizion të ri.

PD ka nevojë për udhëheqës që nuk i ka parë dhe nuk i ka provuar më parë, ka nevojë për gjak të ri.
Unë kam bërë thirrje që Partia të dilte nga qorrsokaku i konfliktit dhe nga dyluftimi Basha-Berisha, sepse ky dyluftim vetëm e konsumon.

Unë kam bërë thirrje që PD t’i largohej debatit për individët dhe t’i rikthehej debatit për idetë, vlerat dhe parimet, me shpresën se kjo mund të bëhej rruga për të identifikuar dhe promovuar liderin e ardhshëm, njeriun që i përfaqeson më mirë këto vlera dhe parime dhe që i mbron bindshëm ato.

Në rrethin e miqve të mij fejsbukas kam hasur skepticizëm.

Sa më shumë që unë flas për vlera, aq më shumë miqtë e mij më flasin për individë. Debati i tyre nuk ikën dot nga Basha-Berisha. Edhe kur u largohet atyre, ai merret me emra të tjerë të politikës së shkuar apo asaj aktuale dhe unë nuk arrij t’i bind miqtë e mij se PD do të shpëtojë vetëm kur të çlirohet nga individët (Basha-Berisha të parët) dhe betejën ta bëjë për parimet, liderët t’i zgjedhë bazuar në vlerat që përfaqësojnë dhe në besueshmërinë që krijojnë.

Unë jam i detyruar të pranoj kulturën politike që na sundon dhe t’i përshtatem asaj, ndaj në këtë postim po hedh një hap në drejtim të miqve të mij, me shpresën që ky hap do të kuptohet më shumë.

PD është në qorrsokak dhe grupi parlamentar i saj ka dalë zyrtarisht me një platformë katërpikëshe për të dalë nga qorrsokaku.
Kjo platformë është hartuar në mënyrë të tillë që t’i volisë Bashës dhe të inatose Berishën.

Kjo platformë nuk e konsideron fare Partinë dhe hallin që e ka zënë atë.

Unë dua të tentoj të propozoj një platformë alternative, që ka në qendër

Partinë dhe nuk merakoset as për Bashën, as për Berishën:

1. PD duhet të futet në zgjedhje për Kryetarin sot, me fushatë zgjedhore së paku 90 ditore, zgjedhjet të jenë transparente, me lista zgjedhësish publike, me administrim neutral (pse jo nga KQZ, pse jo me votim elektronik);

2. Mandati i kryetarit të jetë dy vjeçar, pa të drejtë përtëritje. Mandati dy vjeçar i papërtëritshëm të jetë i përcaktuar në Statutin e PD. Klauzola e Statutit lidhur me mandatin të jetë e pamodifikueshme për 30 vjet nga miratimi i saj (kulti i individit dhe pengmarrja e partise nuk luftohen dot ndryshe)

3. Sali Berisha dhe Lulzim Basha të ndalohet të kandidojnë në zgjedhjet fillestare, si bartës dhe frymëzues të konfliktit brendapartiak, si dhe të ndalohen të marrin pjesë, të organizojnë apo të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në procesin zgjedhor fillestar;
4. Grupi parlamentar i PD të unifikohet dhe t’i nënshtrohet disiplinës së grupit në përputhje me rregullat e funksionimit të tij;
5. Drejtimi i Partisë në periudhën 90 ditore të bëhet nga autoritetet e përcaktuara nga statuti, të cilat duhet të kufizohen vetëm në menaxhimin e përditshëm të punëve dhe të mbajnë distancë dhe neutralitet ndaj procesit zgjedhor.

Ne vitin 2013, kur bëhej gati t’i impononte Partisë Lulzim Bashën për kryetar, Sali Berisha u thonte njerëzve që ia shanin Lulin si humbës: “mund të humbë një herë, mund të humbë katër herë, por një herë do t’i vijë dita që të marrë pushtetin”. Kjo ishte filozofia e Berishës, ky ishte skenari i tij, ai që na solli në këtë gjendje ku jemi sot.

Filozofia e propozimit tim është e kundërta: le t’i zgjedhim liderat pa frikë, një herë apo katër herë, sepse do të vijë dita që partia të vijë në pushtet. Nëse gabojmë një herë apo katër herë, lideri i gabuar nuk na e pushton partinë, nuk na e merr atë peng ASNJËHERË.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben: 24/03/2022 15:21

    Shume dakort,por tek Pd-ja nuk ka njeri te tille ne horizonr.Jane te gjithe qesharak.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur