Për ata që vaksinat iu duken si vota!

Për ata që vaksinat iu duken si vota!

Foto ilustruese

Ndoshta edhe janë të tilla vaksinat. Pra, që sjellin lëvizje e spostime në një garë elektorale, ose në pëlqyeshmërinë e një qeverie. Kjo nuk është e pakuptueshme dhe as e pashpjegueshme. Njerëzimi ndodhet prej një viti në një garë që si çmim ka jetën. Dhe kur bëhet fjalë për jetë a vdekje, bëhet gjithashtu fjalë edhe për kurora dafinash ose ferrash, në qafën e atyre që menaxhojnë krizën, kudo në botë.

E megjithatë efekti elektoral i vaksinave do duhej të ishte vetëm anësor, e madje dhe cinik, në këtë garë botërore për jetën. Fjala vjen, s’dihej të ishte një mollë sherri për votat në Lezhë a Delvinë, po një argument shumë serioz për jetët e lezhjanëve e delvinjotëve. E megjithatë këto orë duket se po përjetojmë një garë të pisët politike shqiptare, e cila me vaksinat ka pak të bëjë, por merret me efektet e tyre anësore – jo me trombozat, por me votat!

Disa vende evropiane kanë pezulluar përkohësisht, për shkak të disa rasteve të dyshuara mpiksjeje gjaku, fushatën e vaksinimit me vaksinën Astrazeneca. Duket më shumë si një rivalitet tregjesh mes BE dhe Britanisë së Madhe, e cila këto orë, nga ana e saj, ka shtuar ritmet e vaksinimit me AstraZeneca.

Arbitri i kësaj situate i ka idetë të qarta. OBSH dhe EMA kanë nënvizuar se përfitimi nga vaksina në fjalë është shumë i lartë sesa risku i mpiksjes që gjakut, pasi rastet në fjalë, pas 17 milion dozash të injektuara, janë më të vogla sesa ritmi i trombozave tek njerëzit në kushte normale, pa vaksina në mes. Përtej kësaj, rastet e mpiksjes në Skandinavi, Itali etj, janë të palidhura shkencërisht me vetë vaksinimin me Astrazeneca.

E megjithatë kaq barut mjafton e tepron për topat e politikës shqiptare. Megjithëse popullata i pret vaksinat si ujët e pakët në të gjitha meridianet e paralelet e globit, megjithëse në Ballkanin Perëndimor kanë zbarkuar deri më sot fare pak të tilla, sherrxhinjtë politikë e mediatikë të Tiranës nuk po lenë gur pa lëvizur për të anatemuar vaksinën britaniko-suedeze pikërisht në momentin që ajo po injektohet në krahët e mësuesve në të gjithë Shqipërinë.

Tashmë është e lexueshme fare qartë e zeza në të bardhë se një pjesë e politikës shqiptare e do vendin pa vaksina ditën e zgjedhjeve. Me fjalë të tjera, vaksina konsiderohet një faktor i padëshërueshëm në duelin për jetë a vdekje të 25 prillit, pasi qeveria mund të fitojë ca pikë që prishin llogaritë e shifrave dhe mund të bëjnë që balanca të anojë nga Edi Rama.

Kjo parti njerëzish që mendojnë se është më mirë të ketë ca vdekje më shumë, por ama të shporret qeveria, po luan një lojë sa cinike, aq edhe të ndyrë në planin njerëzor. Deri dje i thonin Ramës se dështoi që të sjellë vaksina, tani që lexojne deklaratat e tij provokuese se “do të vijë një mal me vaksina”, na del se vetë vaksinat nuk qenkan të mira.

Në katër vjet kjo qeveri ka pasur si risk të saj, në bilancin e punëve, një tërmet dhe një pandemi. Mund të thuhet se në funksion të garës elektorale Lulzim Bashës s’i ka ecur aspak keq fati, tjetër punë sa i zoti është që ta nxjerrë ose gomarin e tij nga balta. Nëse në këtë bilanc në gri të thellë futen dhe vaksinat, sharësit e tyre sërish nuk kanë pse qahen. Kanë plot për të thënë e për të bërë deri në zgjedhje.

Vaksinat nuk janë vota, avoketër të vdekjes! Fati juaj elektoral nuk lidhet me gabimet e një laboratori diku në Suedi që ka hedhur në shishe lëngun e gabuar, por me aftësinë për të qenë bindës tek ata që do ju votojnë. Lerini vaksinat dhe vaksinuesit në punën e tyre, se po shpëtojnë jetë njerëzish. Merruni me veten kryesisht, sepse aty qëndron tromboza politike që ju ka mbajtur tetë vjet në opozitë!

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 16/03/2021 17:17

    Ata jane atrifizuat krejt , ne opozite dhe po kthehen ne mbetje ta pariciklueshme ska vaksine per trute e shplate

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65- vjeçari