Një çështje që prek drejtpërdrejt shqiptarët në Luginën e Preshevës është depozituar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për herë të parë, sipas mediave vendase, kjo gjykatë ka regjistruar një padi që lidhet me pasivizimin e adresave të banimit nga autoritetet serbe
Çfarë do të thotë pasivizim? Në praktikë, qytetarëve u fshihet adresa nga regjistrat civilë. Ata rezultojnë sikur nuk jetojnë më aty. Pa adresë aktive, humbasin të drejtën për letërnjoftim, pasaportë të re, pension, sigurim shëndetësor dhe shërbime të tjera bazë. Sipas pretendimeve në padi, kjo po i detyron shumë shqiptarë të largohen.
Padia është ngritur kundër Serbisë nga avokati Drini Grazhdani, në emër të Teuta Fazliut. Ai thotë se fakti që çështja është regjistruar dhe ka marrë numër aplikimi është një hap i rëndësishëm, pasi shumica e rasteve. 90%, rrëzohen që në fazën e parë.
Synimi, sipas tij, është që gjykata të mos japë vetëm një vendim individual, por të detyrojë Serbinë të ndalojë këtë praktikë për të gjithë rastet e ngjashme. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve në Luginë që të ndjekin rrugët ligjore brenda vendit, si kusht për ta çuar çështjen deri në Strasburg.
“Regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut është një hap procedural shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se kjo Gjykatë refuzon mbi 90% të rasteve që në fazën fillestare. Qëllimi im kryesor është që përmes këtij rasti, Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (rregulla 61). Kjo do të thotë që vendimi të mos mbetet vetëm për Teutën, por të detyrojë Serbinë të ndalojë këtë praktikë sistematike për të gjithë dhe të aplikohet në të gjitha rastet e ngjashme”, ka shkruar ai.
Komente






