Për herë të parë që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë, çmimi i naftës bruto në bursën ndërkombëtare ka zbritur në nivelin më të ulët. Prej dy ditësh në bursë një fuçi naftë kushton 93-94 dollarë, nga mbi 103 dollarë që ishte çmimi në fund të korrikut.

Kjo është rënia më e fortë e regjistruar që prej 16 marsit të këtij viti kur nafta zbriti në 95 dollar fuçia. Tregjet ndërkombëtare u tronditën menjëherë pas nisjes së luftës e për pasojë çmimi i naftës bruto arriti deri në 127 dollarë fuçia në javën e parë të muajit mars, dhe gjithë kjo kohë është shoqëruar me luhatje të forta.

Por pavarësisht kësaj rënie, një fuçi kushton rreth 22 dollarë më shumë se në 5 gusht të vitit 2021. Kjo luhatje e fortë e çmimit të naftës por edhe e energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse erdhi për shkak të pozicionit dominues që ka Rusia në furnizimin e Evropës me këto produkte. Po ashtu roli dominues i Rusisë në furnizimin me gaz, ndikoj më tej në shtrenjtimin e karburantit dhe energjisë në Evropë.

Të mërkurën, grupi i prodhuesve të naftës i njohur si OPEC Plus ra dakord të rrisë prodhimin me 100.000 fuçi në ditë në shtator, një sasi e vogël krahasuar me 650.000 fuqi naftë që SHBA vendosi të hedhë në treg në muajt korrik dhe gusht.

Në vendin tonë aktualisht qytetarët një litër naftë e blejnë për 221 lekë, që është çmimi i fundit i caktuar nga Bordi i Transparencës për Monitorimin e Karburanteve. Pas uljes së çmimit të naftës bruto në bursë, pritet që edhe bordi në vend të reflektojë çmimet e reja.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:15
Ulja e naftës në bursë, Konfindustria: Bordi të reagojë! Mosndërhyrja tregon se shteti është kapur nga karteli i naftës

1658220654_konfidustria.jpg

Teksa çmimi i naftës në bursë ka rënë, Konfindustria i ka kërkuar Bordit të Transparencës që të ndërhyjë menjëherë për çmimin e karburanteve në treg. Në një reagim, Konfindustria thotë se mosndërhyrja e Bordit është përpjekje për të shtuar të ardhurat buxhetore dhe është tregues se shteti është kapur nga karteli i naftës.

“Konfindustria i kërkon Bordit të Transparencës ndërhyrjen e menjëhershme për uljen e çmimit të karburanteve në treg. Ndërkohe, që çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare në 2 javën e parë të muajit gusht 2022 ka rënë në mënyre të ndjeshme nën 95$/fuçi në tregun shqiptar vazhdon çmimi i fiksuar prej pothuaj 2 javësh në 221 lekë/litër në shitjet me pakicë. Mbështetur në vlerësimet krahësuese të periudhave të mëparshme, çmimi i naftës më pakicë sot në treg duhet të ishte të paktën nën 200 lekë/litër. Mosndërhyrja e përsëritur në kohë e Bordit të Trasparencës për uljen e çmimit është tregues i qartë i kapjes së shtetit nga karteli i kompanive të naftës si edhe përpjekje për të shtuar të ardhurat buxhetore nëpërmjet “shtrydhjes” së bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë.

Është shumë shqetësuese dhe goditje e rëndë shkatërruese për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare rritja e fortë e të ardhurave të planifikuara në buxhetin e shtetit në kushtet e inflacionit të lartë dhe me kah rrites. Në 6 mujorin e parë të vitit 2022 të ardhurat në buxhet janë shtuar me afër 200 milionë euro drejtpërdrejtë të lidhura vetëm më rritjen e çmimeve. Inflacioni i raportuar zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë është 7.8%, ndërkohe sipas të dhënave reale është mjaft më i lartë”, thuhet në reagim.

Ndër të tjera, Konfindustria thotë se çmimi i lartë i karburanteve është ndër faktorët kryesorë të goditjes ndaj sektorit të turizmit në vitin 2022.

“Çmimet e larta në nivel absolut botëror të karburanteve në Shqipëri, gërshetuar me çmimet e ulëta krahasuese në rajon kanë pasoja të forta shkatërruese sidomos për prodhimin vendor dhe industritë, që rrezikojnë qartësisht rrezikun e falimentimit. Çmimet e larta të karburanteve janë ndër faktorët kryesorë edhe të goditjes ndaj sektorit strategjik të turizmit në vitin 2022 në vazhdim”, thuhet në reagim.