Për 'inat' të pandemisë shqiptarët shpenzuan më shumë për festat e fundvitit sesa në 2019-ën

Foto qytetarësh duke blerë ushqime

Konsumatorët shqiptarë kanë shpenzuar më shumë për festat e fundvitit nëpër supermarkete sesa një vit më parë. Kjo sjellje konsumatore në fund të një viti shumë të vështirë si nga aspekti shëndetësor, psikologjik, ashtu edhe ekonomiko-financiar, ka bërë që rrjetet e supermarketeve në vend, veçanërisht ata të mëdhenjtë të përjetojnë një rritje të shitjeve deri në 15% krahasuar me një vit më parë në periudhën 15 nëntor-31 dhjetor.

Elona Hametaj, CEO e SPAR Albania në një bisedë me gazetën “Si” thotë se pandemia i bëri blerësit më të vëmendshëm dhe më përzgjedhës.

“Impakti i parë që do cilësoja nga pandemia ishte fillimi i sezonit festiv 2-3 javë më parë sesa vitet e kaluara. Klientët filluan blerjet e krishtlindjeve disa javë më parë sesa zakonisht duke u kujdesur që dekori dhe produktet festive t’i vendosnin më parë në shtëpitë e tyre. Kjo ka qenë një sjellje e njëjtë në të gjithë botën dhe jo vetëm në Shqipëri. Është e kuptueshme që pas muajsh shumë të vështirë me kufizime dhe pa shumë arsye për të festuar, në fund të vitit blerësit zgjodhën të festojnë më herët se zakonisht”- shpjegon Hametaj.

SPAR, tregon ajo, operon në një segment të ekonomisë i cili ka konkurrencë të lartë. “Megjithatë, nga pikëpamja e volumeve shitjet e realizuara në 15 Nëntor -31 Dhjetor 2020 ishin gati 15% më shumë se një vit më parë. Edhe pse duhet të cilësoj që numri i vizitave të blerësve është zvogëluar me një vit më parë, por ata blejnë më shumë. Shporta e blerjes është rritur dhe kjo ka sjellë rritjen në total të volumeve të shitjes”- argumenton ajo.

Të njëjtën gjë tregon për gazetën “Si” edhe Klaudia Karabolli, Drejtore Marketingu pranë BigAlb Group. “Ky vit ka qenë mjaft frytdhënës  për rrjetin e supermarketeve tona.  Krahasur me vitin e kaluar konsumatorët kanë shpenzuar më shumë sesa pritej. Kemi pasur një rritje konsumi prej 10.37 %”- thotë ajo.

Përsa i përket shportës që konsumatorët shqiptarë kanë kërkuar për festat e fundvitit 2020, nuk pati ndonjë ndryshim në kategorinë më të shitur të produkteve krahasuar me vitet e mëparshme.

Produktet kanë qenë ato që kërkohen gjithmonë si pijet alkoolike & Jo alkoolike, ëmbëlsira, produkte të shportës ( miell, sheqer, vaj), produktet e freskëta (bulmet dhe sallameri). 

“Sigurisht edhe këtë vit u shitën në volume akoma më të mëdha produktet qe shërbejnë për gatimet tradicionale të festave si  gjeli i detit, bakllava, birra, vera, frutat etj. Ajo që do veçonim ndërkohë është numri i shportave të gatshme festive që janë një nga dhuratat që bëhen zakonisht në fundvit; janë shitur në volume akoma më të mëdha këtë vit. Kjo tregon që këtë vit kompanitë dhe blerësit zgjodhën kryesisht për të dhuruar shportat festive të ushqimeve tek stafi apo të afërmit e tyre”- tregon CEO e Spar Albania, Elona Hametaj.

Për rrjetet e supermarketeve të mëdha në Shqipëri, sjellja konsumatore ka qenë surprizë.

“Duke marrë parasysh vitin që lamë pas, ishte një vit i vështirë emocionalisht dhe ekonomikisht për të gjithë, pritshmëritë tona ishin që konsumatorët të shpenzonin më pak sesa vitet e tjera, por si përqindje krahasuar me vitin paraardhës ka qenë më i lartë. Kuponi mesatar i shpenzuar nga konsumatorët është 980 lekë ndërsa një vit më parë ka qenë 880 lekë”- shpjegon Karabolli e Big Albania.

Kurse për rrjetin e SPAR, shporta mesatare gjatë festave ka ndryshuar shumë edhe në varësi se ku janë bërë blerjet; në InterSPAR/Hypermarket apo SPAR/Supermarket.

Këtë fundvit është konstatuar një rritje akoma më e madhe e shportës mesatare sidomos klientët  zgjodhën hipermarkete për të bërë blerjet e tyre. “Në këtë format, InterSpar mundësia e zgjedhjes është shumë më e madhe, por dhe duke qenë ambiente më të mëdha është akoma më e lehte për të mbajtur distancën nga klientët e tjerë. Mesatarisht shporta mesatare e dhjetorit e 2020 ishte gati 30% më e lartë si vlerë me një vit më parë (2019) në vlerën 3,500 ALL. Ndërkohë, për Supermarketet rritja e vlerës së shportës është më e vogël, mesatarisht 15% më shumë krahasuar me 2019 në vlerën 1,000 All”- shpjegon Hametaj e SPAR.

Por viti pandemik diktoi më së shumti blerjet on line, veçanërisht gjatë periudhës së karantinës së pranverës, ku dalja për pazare ishte me leje tek e-albania dhe me kohë të kufizuar. Kjo rutinë e krijuar gjatë periudhës së vështirë, ka vijuar mandej edhe në muajt në vazhdim.

“Padyshim kanali kryesor i shitjes në industrinë ushqimore mbeten dyqanet fizike edhe pse pandemia ka sjellë një rritje të shitjeve online në të gjithë botën, ashtu dhe në Shqipëri. Gjatë vitit 2020, dyqani virtual mbetet ende një kanal shitje që zë jo më shumë se 2-5% të shitjeve në total”- thotë Hametaj.

Të njëjtën gjë pohon edhe Karabolli. “Trendi i vitit 2020 ishin blerjet online, shumë konsumatorë u drejtuan dhe e përqafuan këtë trend por në rrjetin tonë blerjet kryesisht janë përqëndruar  rreth 90 % në dyqanet fizike dhe një përqindje e vogël online në webin tonë . Porositë që janë bërë online kanë qenë më së shumti nga konsumatorë shqiptarë që jetojnë jashtë kufinjve të Shqipërisë, të cilët mund të kenë bërë porosi për prindërit, gjyshërit e tyre, ose për ndonjë të njohur apo familjar që kanë dashur t’a suprizojnë duke i bërë një dhuratë", thotë ajo.

Një nga shumë arsyet pse konsumatorët kanë rritur volumin e blerjeve, që përfaqësueset e rrjeteve të supermarketeve tregojnë për “Si”, janë edhe ofertat që bëhen për festa, por si vit i vështirë ka ardhur nga këto sipërmarrje me oferta më të mëdha.

“Ne besojmë se i jemi përgjigjur më së miri konkurrencës dhe sidomos kërkesave të blerësve tanë që kanë treguar se janë mjaft besnikë. Një ndryshim që ka sjellë pandemia ka të bëjë me rritjen e vëmendjes së blerësve karshi shpenzimeve duke i bërë më të interesuar për ofertat. Besoj se kjo sjellje do të vijojë edhe gjatë vitit 2021. Për t’ju përshtatur kësaj sjelljeje dhe kërkesës së blerësve tanë, ne ofruam gati dyfishin e ofertave në numër gjatë sezonit festiv krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë ulja e çmimeve të produkteve në oferta ka qenë nga 20% në 50%. Jemi kujdesur që ofertat t’i komunikojmë në të gjitha kanalet e komunikimit dhe kjo na ka afruar edhe më shumë me blerësit”- thotë Hametaj.

Kurse në Big Market uljet e ofertave kanë arritur në festat e fundvitit në nivelin e 80%, të cilat bënë që të afronin shumë konsumatorë në të gjithë Shqipërinë.

Përfaqësueset e rrjeteve të supermarketeve evidentojnë në lidhje me sjelljen konsumatore se ajo ka ndryshuar dhe i është përshtatur mjaft mirë vitit pandemik dhe karakteristikave të tij.

“Viti që lamë pas ishte padyshim  një "Trendsetter". Shumë njerëz u drejtuan drejt jetesës dhe ushqimit të shëndetshëm.  Konsumit të sa më shumë produkteve biologjike; fruta, perime.  Blerjet janë përqëndruar më tepër tek produktet e shportës dhe tek ushqimi i shëndetshëm. Motoja e konsumatorëve për vitin që lamë pas padyshim ishte “Pak dhe saktë”- tregon Karabolli.

Pyetjes se si e parashikojnë vitin 2021 në aspektin e shitjeve dhe sjelljes konsumatore Hametaj, përgjigjet: "Gjatë këtij viti ne duam të arrijmë edhe më shumë qytetarë dhe të jemi më pranë blerësve tanë besnikë. Planifikojmë që gjatë këtij viti të hapim një sërë dyqanesh të reja në të gjithë Shqipërinë që do të përkthehet në rritjen e volumit në mbi 17%. Puna ka filluar që në vitin 2020 për identifikimin e zonave dhe planifikojmë që minimalisht të shtojmë dhe 16 dyqane te reja në 2021 në qytetet kryesore. Në tregun ku ne operojmë, kjo do të na pozicionojë më mirë sesa konkurrenca.  Investimet do të jenë të larta për tu prezantuar më afër blerësve tanë në zonat e tyre të banimit me dyqane në formatin e supermarketeve dhe me të gjitha standardet që vet brandi ynë përfaqëson në Shqipëri ashtu si në të 48-a shtetet e tjera ku SPAR është i pranishëm.”

Kurse Karabolli shpreson që viti 2021 të jetë viti i familjeve shqiptare dhe konsumi të kthehet në nivelet normale.

Por, të dhënat më të fundit të Vrojtimit të Besimit të Konsumatorit dhe Binzesit nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se kriza e shkaktuar prej pandemisë COVID-19 i ka bërë më pesimistë konsumatorët shqiptarë.

Ata nuk kanë besim se Ekonomia shqiptare mund të përmirësohet së shpejti. Treguesi i besimit konsumator (TBK) ra me 2.0 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020.  BSH në vrojtimin e saj argumenton se ecuria e TBK-së pasqyroi rënien e tre prej katër komponentëve formues të treguesit të besimit: blerjet e mëdha (me 8.9 pikë përqindje) dhe pritjet e situatës së përgjithshme ekonomike dhe situatës financiare të familjes (me përkatësisht 1.0 dhe 0.4 pikë përqindje). Ndërkohë, gjendja aktuale e të ardhurave dhe shpenzimeve është përmirësuar me 2.2 pikë përqindje. Po ashtu edhe situata e kursimit./ Gazeta "SI"

J.GJ./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Nisja e vitit të ri shkollor të hënën, a jeni dakord me mësimin me turne dhe orët e shkurtuara për nxënësit?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Tentoi që të fikte zjarrin në tokën e tij në Kavajë, humb jetën 59-vjeçari! U asfiksua nga tymi