Sot në orën 11:30, në ambientet e shkollës “Fan Noli” do të vendoset një simbol përkujtimor në kujtim të Martin Canit, 14-vjeçarit i cili humbi jetën në nëntor të vitit 2024 në një sherr me thikë.

“Për Martinin që iu prenë ëndrrat në mes! Të mos harrojmë!”, shkruhet në pllakë.

Të pranishëm në këtë do të jenë edhe prindërit e Martinit, Engjëll dhe Florina Cani.

“Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë shpreh dakordësinë në lidhje me vendosjen e një stoli përkujtimor në ambientet e shkollēs 9-vjeçare ‘Fan S Noli’, Tiranë, në kujtim të nxënësit Martin Cani”, thuhet në konfirmimin e kërkesës.

Në nëntor 2025, në ambientet e një fushe sportive u vendos një pllakë metalike përkujtimore me portretin e Martin Canit të realizuar me lazer.

Si u vra Martin Cani? 

Ngjarja ndodhi më 18 nëntor, 3 ditë pasi kishte lindur konflikti mes dy Martinit dhe një bashkëmoshatari brenda shkollës, për motive krejt banale, i cili në dukje u mbyll, por që u rindez sërish po brenda shkollës. 2 të miturit u takuan paradite në tualetet e shkollës, debatuan sërish por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, me shokët respektivë, u takuan jo shumë larg oborrit të shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.

Autori u arrestua. Për ditë me radhë ngjarja u mbulua me mister. Babai i 14-vjeçarit të plagosur akuzoi policinë se ngjarja po fshihej dhe se në konflikt janë përdorur 2 thika dhe se djali i tij ishte goditur me të dyja. Këto deklarata të ripërsëritura detyruan policinë të bëj disa reagime publike, duke u shprehur se në ngjarje, referuar pamjeve te kamerave, dëshmive dhe provave, në sherr ishte përdorur vetëm një thikë dhe autori i dytë i pretenduar nuk kishte rol dhe thikë tjetër. 

Në dhjetor, gjykata e dënoi autorin e mitur me 16 vite heqje lirie. Ai u shpall fajtor për dy vepra penale: vrasje në rrethana te tjera cilësuese ndaj Martin Canit, si edhe vrasje në rrethana te tjera cilësuese mbetur në tentativë ndaj të miturit tjetër që mbeti i plagosur.