U bënë vite që poetin Fatos Arapi nuk e shohin më rrugëve të Tiranës dhe vërtet miqtë e tij dhe të poezisë së tij e ndjejnë mungesën. Mua më duket se e ndjejnë dhe pemët trotuareve, ku ai ecte shkujdesshëm, me pak nxitim kur ishte vetëm dhe ëndërrimtar, po aq njëlloj, megjithëse mosha ndryshonte, flokët iu zbardhën krejt e megjithatë, kur shihte ndonjë të njohur, koleg apo student të tij, ndalte dhe biseda, çdo bisedë, e bënte më të vëmendshëm e të përzemërt po aq. Kështu e kujtoj, teksa forcohej miqësia me të, mirëkuptim brezash dhe botëve të ndryshme. Ai e kishte kulturën e takimeve, e cila mungon ndjeshëm tek ne apo keqkuptohet dhe shpërdorohet. Të tjerët, shumicën, i kemi njohur nga kurrizet. Nëse nuk i kishim kuptuar si kishin ardhur, e dimë pse na kanë ikur… Mbase e ka fajin gjysmë ëndrra, siç shkruan Fatos Arapi në një nga poezitë e tij. Ai sikur e kërkoi, më saktë sikur e zbuloi gjysmë ëndrrën tjetër të vetes pas ndryshimeve të mëdha, kur diktatura zhbëhej për t’u bërë ndryshe… dhe mbeti poet, Fatosi, i lirë për të qenë më i trishtuar dhe më i dhembshur se më parë dhe me zhgënjime sa të doje…
Gjithmonë më ka tërhequr gjysmë ëndrra tjetër, ajo e pathëna dot dhe u afrohesha shkrimtarëve me gjysmë ëndrrën e ikur, disave të burgosur, disave të vrarë bashkë me të. Gjysmë ëndrra e mbetur ishte më e rëndësishmja se gjysma tjetër apo më shqetësuese?… Si Fatos Arapin, që kishte qenë partizan që i vogël, që kishte luftuar për lirinë, të cilën e përmendëte në poezi më shumë se të tjerët gjatë sundimit të socrealizmit, etj, kam njohur dhe shkrimtarin Kasëm Trebeshina, edhe ai kishte qenë partizan i egër, e pohon vetë dhe pas luftës, atë e çuan të studionte për dramaturgji në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad, kurse Fatos Arapin për ekonomi në Bullgari, në Sofje. I arritën ëndrrat? Gjysmën? Pse po i kujtoj bashkë këta të dy? Apo më avitet imazhi, ku jam bashkë me ta? Fatos Arapi më pas u bë pedagog universitar, poet i njohur, kritikohej herë pas here për modernizma dhe hernetizëm, e largonin, etj, kurse Kasëm Trebeshinën e kthyen nga Leningradi në atdhe si të çmendur se doli kundër Realizmit Socialist dhe e burgosën… a i mbeti gjë nga gjysmë ëndrra e tij dhe gjeti brenda telave me gjëmba gjysmë ëndrrën tjetër? Apo janë viktima të idealit të tyre, njëri si i burgosur politik dhe tjetri si poet i njohur i Realizmit Socialist, që mundohej t’i shmangej? Në burg e dëgjova së pari emrin e Kasëm Trebeshinës.
Mua më kishin burgosur për ëndrrën e poezisë, që e kisha dhe poezi të ëndrrës dhe këto nuk janë dy gjysmat e së tërës, por copëza të thyera në duart e mia që m’i përgjakën. Unë isha pjesë e gjeneratës më të pafat, që vinte pas atyre të fitimtarëve, madje nga kundërshtarët. Na shikonin me dyshim, si armiq, gjithë me vrer, që ende nuk u ka ikur, edhe pse komunizmi ra në shkallë botërore, ra ëndrra e fitimtarëve si një çati e na zuri nën vete, edhe ne, të mundurve, por mbetëm mbi gërmadha më të lirë se kurrë, më të lirë se ata që na burgosën…
Dhe u përziemë të persekutuar e persekutorë, poetë që kishin qenë burgjeve dhe poetë që kishin futur burgjeve, etj, etj, na bashkonte poezia, kështu m’u duk, por në fakt ajo dhe na kishte ndarë… Po sot do flas që poezia na kishte bashkuar. A ishte dhe kjo një gjysmë ëndrre? Për të tjerët s’e di, për mua… prapë s’e di. Kur doja poezinë, doja dhe atë që e shkruante.
Më pëlqenin takimet me poetin Fatos Arapi. Ai kishte diçka atërore, të mirë. Në atë kohë mallëngjehej shpejt. Por atit i falet shumëçka… Ndërsa Kasëm Trebeshina ishte zemëruar me të gjithë atdheun, me të gjallët e të vdekurit… Poetë bashkëvuajtës nuk kisha afër kur dola nga burgu dhe pothuajse të gjithë që njihja, nuk guxonin të më flisnin. Me të ndryshuar kohët, ndryshuan dhe ata. Poezia jonë, që kishim shkruar fshehurazi burgjeve dhe internimeve, në fillim i trallisi, po e çmonin, pastaj s’e di, po e shihnin si akuzë ndaj vetes a rivale a të dyja bashkë dhe po e përflisnin, po e shmangnin, u arrit në absurde të padëgjuara duke lavdëruar poezitë që nuk ekzistonin, të ndonjë poeti që kishte qenë në burg, por s’kishte shkruar dot atje, etj, madje ndonjë gazetë që ribotonte poezi të dikurshme të ndonjë poeti, nuk harronte të vinte shënimin në krye sikur të kushte rëndësi që ato s’ishin “poezi burgu”, kur dihet që s’mund të ishin, se autori vetë s’kishte qenë ndonjëherë në burg, por shokë të tij. Po ç’kishin, pra me poezitë e tyre, kur ato nderonin letrat shqipe, që s’u përulën… Të ishte faji i gjysmë ëndrrave? Mos e përgjysmonin njeriun kështu?
Poeti Fatos Arapi po nxirrte libër pas libri me poezi. Të hollë si flatrat. Me autografin si fill fjongoje. Shtoheshin dhe shëtitjet me të. Ndodhte të shkonim bashkë dhe në takime poezie, edhe jashtë vendit, në Itali, po ai mori dhe “Kurorën e artë” në Festivalin e Strugës në Maqedoni… Pastaj s’po vinte më në Kafe “Europa”, ku e prisnin dhe miqtë, poetët Xhevo e Pano, etj, etj. Degjoheshim në telefon, më falenderonte që kujtohesha, nuk ndjehej dhe aq mirë me shëndet, sytë i ishin dobësuar shumë… dhe më kujtohedhin poezitë e tij me Homer. Gjysmë ëndrra tjetër kishte ardhur tek ai si poet. Po e sjell dhe poezinë e tij. Ai tashmë i plotë vezullon në mugëtirën e letrave shqipe. Dhe një poezi të prozatorit Kasëm Trebeshina që pret natën të ëndërrojë dhe atë vazhdojnë ta përgjysmojnë pa ndërprerje.
Ëndrra e tyre tashmë është e përplotësuar e tërë në Qiell. Po kam dhe unë një poezi për ëndrrat, e kam shkruar në burg, kur s’desha zgjim, se realiteti ishte më i keq. Në kërkim ende të gjysmës tjetër. – Sille ti! – Kjo është kredoja ime…