Lezhë, nxënësit e shkollës 9-vjeçare 'Besëlidhja' kanë treguar se edukimi mjedisor nuk mbetet vetëm në libra. Së bashku me mësuesit dhe ndihmën e prindërve, ata kanë ndërmarrë një nismë konkrete për gjelbërimin e qytetit, duke mbjellë pemë dekorative pranë memorialit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Nisma synon të përcjellë një mesazh sensibilizues për komunitetin, se mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi e përbashkët dhe se ndryshimi nis nga veprimet e vogla, por të qëndrueshme.

Për vetë nxënësit, kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën dhe angazhimi praktik janë mënyra më e mirë për të kuptuar problematikat mjedisore dhe për të marrë përgjegjësi që në moshë të vogël.

“Sot shkolla jonë po vepron për ta mbrojtur mjedisin, me veprat tona ne i japim zë atij. Ky aktivitet është një mundësi për edukuar qytetarët dhe për të ndihmuar qytetin tonë të dashur”, u shprehën dy nxënëse të shkollës.

Drejtoresha e shkollës Anisa Lishi dhe kryetarja e Bordit të Prindërve Zhuljeta Shema theksuan se aktivitete të tilla shërbejnë jo vetëm për gjelbërimin e hapësirave publike, por edhe për formimin qytetar të brezit të ri.

“Aktiviteti u mirëprit edhe nga prindërit e nxënësve. Është një aktivitet që konsiston në mbledhjen e 20 fidanëve. Secili nga këta fidanë përcjell një mesazh: që edukimi për mjedisin nuk bëhet vetëm në libra por edhe me veprimtari të tilla”, tha Anisa Lishi, drejtoresha e shkollës.

Përmes kësaj nisme, shkolla 9 vjeçare Besëlidhja synon të kthejë edukimin mjedisor në një praktikë të vazhdueshme dhe të nxisë edhe shkolla të tjera që të ndjekin të njëjtin shembull.