Për një muaj 2297 të papunë
Berisha: Nuk ramë në recesion

Portali www.epunësim.gov.al. që mundëson aplikimin online të punësimit ka nxjerrë në pah numrin e lartë të të papunëve që ka vendi ynë, duke hedhur kështu poshtë pretendimet e qeveritarëve për rritje të punësimit dhe shtim të vendeve të lira të punës. Që prej 19 shkurtit të këtij viti dhe deri dje më 11 mars, në këtë portal kanë aplikuar për punë 2297 punëkërkues, ndërsa vende të lira pune në të gjithë vendin ka vetëm 86.

Në portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit shkruhet “11/03/2013: Vende të lira pune: 86, Punëkërkues: 2297”. Pra numri i të papunëve në vend është shumë më i lartë, ndërsa ofrimi i vendeve të punës është shumë i ulët. Por një tjetër problematikë e portalit www.epunesim.gov.al, është mosfunksionimi në rregull i këtij portali.

Në portal të jepet mundësi për zgjedhur qytetin ku kërkon të aplikosh për punësim. Ndërsa realisht njoftimet për punësim që dalin janë të përmbledhura vetëm në qytetin e Tiranës. Nëse ti si punëkërkues do të zgjedhësh një X qytet, përveç Tiranës, dhe më pas të klikosh kërko, nuk të del asnjë e dhënë. Ndërkohë që në faqen e portalit shkruhet “Mënyra më e thjeshtë për gjetjen e informacionit mbi vendet e lira të punës dhe mundësitë e trajnimit në Shqipëri. Vende të lira pune në 65 qytete të Shqipërisë, CV nga punëkërkues të interesuar, informacione të ndryshme, të gjitha këto në rrjetin kombëtar të punësimit” shkruhet aty. Ndërkohë një tjetër problematikë e këtij portali, të sapo zyrtarizuar edhe nga vetë Kryeministri i vendit, është se aty nuk funksionon asnjë nga mundësitë e tjera të portalit, përveç opsionit “Fillimi”, “Vende të lira të punës” dhe “Ndihmë”.

Nëse ti si punëkërkues ose edhe si vizitor i faqes do të doje të klikoje te opsioni “Punëkërkues”, nuk do të shfaqet asgjë, përveçse faqja automatikisht do të kalojë te fillimi i saj. E njëjta gjë është edhe me opsionin “Punëdhënësi”. Ndërsa po të klikosh te “Legjislacioni”, nuk do të shfaqet asgjë, përveç do të qëndrosh te faqja e fundit që ke klikuar. Ndërkohë sipas të dhënave të INSTAT, në Shqipëri është ulur numri i të papunëve. Ndërsa portali i qeverisë për të papunët e hedh poshtë këtë pretendim, ku vetëm për gati një muaj në këtë portal janë regjistruar 2297 punëkërkues.

Një tjetër pretendim i qeverisë është se janë shtuar vendet e punës, ndërkohë te portali www.epunesim.gov.al, për një muaj ka vetëm 86 vende të lira pune. Portali i krijuar nga vetë qeveria ka vërtetuar edhe një herë se numri i të papunëve në vendin tonë është shumë i lartë. Pra po të bëjmë një krahasim midis vendeve të lira të punës dhe punëkërkuesëve këta të fundit janë shumë herë më shumë nga vendet vakante.

Projekti për Informatizimin e Shërbimeve të Punësimit po zbatohet nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit (ShKP), në bazë të VKM, nr.437, date 22.06.2011, i ndryshuar. Investimi për këtë projekt është 500 mije euro, grant i qeverisë suedeze. Ai është i shtrire në 12 zyrat rajonale të punësimit, 24 zyrat lokale të punësimit. Sistemi online në internet ofron për punëdhënësit mundësinë të regjistrohen në sistem online, të publikojnë një vend të ri pune, të kërkojnë për profile punëkerkuesish, të ftojnë punëkërkues për aplikim. Ndërsa për punëkërkuesit, mundësinë të regjistrohen në sistem dhe të plotësojnë CV.


KRYEMINISTRI BERISHA: EKONOMIA JONE NUK RA NE RECESION
Kryeministri i vendit Sali Berisha, në fund të muajit shkurt prezantoi portalin për aplikimin e punësimit online. Ai e vlerësoi këtë portal si shumë të rëndësishëm lidhjen mes Shqipërise Dixhitale dhe tregut të punës, duke theksuar se kjo menyrë garanton transparencë. “Vendi ka nevojë për punonjës dhe në kohë reale kompanitë mund të gjejnë kandidatin për vendin vakant të punës.

Kjo krizë që ka pllakosur Europën Lindore dhe vendet e zhvilluara ka në themel të saj tregun e punës, me fleksibiliteitn apo infleksibilitetin e tij, me shkallën e planifikimit apo të mos planifikimit. Me anë të dixhitalizimit ne realizojmë transparencën më të madhe dhe mundësitë më të mëdha në kohën më të shpejtë” tha Berisha.

Kryeministri gjatë prezantimit të portalit u shpreh se masa që merret për punësimin është një masë e sigurtë antikrizë dhe se papunësia është larg shifave që fliten. “Ne jemi ndër të paktat ekonomi që nuk ramë në krizë, e nuk ramë në recesion. Ne kemi një papunësi dhe niveli i saj është larg shifrave absurde që thuhen, kur bëhet fjalë për 1 milionë të papunë, në një vend që e ka forcën e punës pak më tepër se kaq, kjo është absurde. Por kjo nuk bën më pak të ndjeshëm problemin e çdo të papuni” tha kryeministri.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 12 mars 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet