Për Rudinën, si 'bija e babait'!

Për Rudinën, si 'bija e babait'!

Rudina Hajdarin e kam takuar vetëm një herë, në një emision televiziv. Sapo ishte kthyer nga Amerika, si simbol i “Rilindjes” së PD-së së Lulzim Bashës.

Ishte një vajzë e ndrojtur, gati naive, pa atë “ligësinë” që i karakterizon njerëzit e rritur në një vend të vështirë si Shqipëria, dhe padyshim, e pamësuar për të folur si “profesioniste” në publik.

Të linte një shije të mirë me qetësinë dhe mirësinë që transmetonte, pa atë agresivitetin që jemi mësuar të shohim te politikanët tanë.

Dy ditë më parë e ndesha për herë të dytë në një kafene pranë Ambasadës amerikane. Ndryshe nga hera e parë, nuk dukej më ajo vajza që transmetonte qetësi. Ishte, ose së paku ashtu mu duk, nervoze, e shqetësuar, dhe që shihte sa majtas, djathtas, se mos po e “vëzhgonte” ndonjë sy kureshtar.

Ishte ky shqetësim, që më stepi për të shkuar ta përshëndjesja për mirësjellje.

Dhe kishtë të drejtë të ishte e shqetësuar.

Një ditë më pas, ajo do të shpallte vendimin për të mos e djeguar mandatin e deputetes, dhe e dinte furtunën që do të shkaktonte vendimi i saj.

Nuk vonoi shumë, dhe një “demokrat” safi si Gaz Bardhi, shpalli se Rudina Hajdari nuk përfaqëson më PD-në, pasi sipas tij, ajo në fakt, nuk ka qenë asnjë ditë pjesë e PD-së.

Të tjerët pas tij, thanë se Rudina jo vetëm nuk ka qenë pjesë e PD-së dhe nuk ka dhënë asnjë kontribut për të, por u afrua në parti dhe u bë deputete, vetëm se është vajza e Azem Hajdarit.

Ndërsa përmendej ky argument, në TV u shfaq sërish “regjisori” Ervin Salianji me një tjetër video në dorë, dhe bërtiste “skandal, skandal”.

Dhe për momentin më lindi pyetja, mirë Rudina u afrua prej të atit, po Salianjin kush e afroi në PD?

E afruan dijet dhe kontributi i tij, apo milionat e babait kryetar komune, me të cilat ai u katapultua buzëqumësht në majat e PD-së, edhe pse garën politike në këtë parti e kishte humbur (beteja me Këlliçin për kryetar të forumit rinor)?

Po Klevis Balliun (shkollëpak, siç i pëlqen Petrit Vasilit të quajë ata që nuk kanë arsimim), e afruan në PD për kontributin dhe vlerat e tij, apo për shkak të babit Fahri?

Po Grida Dumën, e afruan në PD vlerat e saj, apo milionat e hedhur nga lobe të ndryshme biznesmenësh?

Po Agron Shehajn, e ofruan për kontributin e tij të dhënë ndër vite për PD-në, apo e ofruan milionat si biznesmen?

Apo vetë Lulzim Basha, që në politikë hyri si shok i vajzës së kryetarit, jo si një njeri që kishte kontribuar për Partinë Demokratike.

Dhe lista mund të vazhdonte pafund!

Tani krahasojini këta me Rudina Hajdarin, një vajzë e rritur dhe shkolluar në Amerikë, e papërfolur dhe e pa zhytyr në llumin që i ka bërë pis shumë politikanë këtu, e bija e njeriut që themeloi PD-në (që natyrisht ka dritë-hije në politikën shqiptare, por për PD-në është një simbol bashkimi), që vendos të ndjekë një tjetër rrugë, ndryshe nga ajo që ka zgjedhur Basha me Berishën, vetëm se është e lirë të marrë vendime dhe nuk është e kapur nga këta, dhe e mendon ndryshe betejën politike. Siç mendojnë gjithë ata që janë perëndimorë, në Parlament dhe institucione.

Ndryshe nga ajo vajza e ndrojtur e fillimit, që ngatërrohej kur fliste dhe kishte emocione, Rudina tashmë nuk është më vetëm “bija e babait”. Tani ajo është një politikane me idetë dhe qendrimet e saj, dhe pse jo, mund të jetë shumë shpejt një alternativë opozitare në vend!

Dhe ndryshe nga fëmijët e figurave të njohura, që mbeten peng i “hijes” së prindërve të tyre, në këtë rast ajo mund të tejkalojë të atin, duke bërë atë që ai nuk bëri dot, të kthehet një alternativë politike, jo të presë më sytë nga Berisha e Basha, për përdorimin e radhës!

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat