Ambientalistët britanikë e kanë konsideruar "të çmendur" kryeministrin britanik, David Cameron, i cili për "turneun" e tij në qiejt e Evropës vetëm e vetëm për të zgjatur pushimet, përdor avionët e shtetit. Sipas gazetës "Daily Mirror", kryeministri mori një avion shtetëror për ta marrë nga Portugalia, ku mbërriti dje për pushime me familjen, për në Glasgow për ceremoninë përmbyllëse të lojërave të Komonuelthit. Nesër, Cameron do të hipë në bordin një avioni të Royal Air Force (RAF) dhe do të shkojë në Belgjikë për të marrë pjesë në festimet për 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore. Prej andej, Cameron do të kthehet në Portugali, këtë herë me shpenzime personale. Por, ambientalistët e Miqve të Tokës (Friends of Earth) dhe kritikë të tjerë pyesin pse Cameron nuk ka pritur dhe disa ditë për të shkuar me pushime, duke shmangur kështu shpenzimin e parave publike për fluturimet dhe ndotjen duke udhëtuar mijëra kilometra në qiejt evropianë. Një përfaqësues i grupit tha se kryeministri Cameron mburret se ndodhet në krye të një qeverisjeje të gjelbër./ATSH/